Rreth 15 kompani janë të gatshme të investojnë në fushën e hoteleve elitare në zonat turistike në vendin tonë. Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, tha se interesi nga investitorët në këtë drejitm është i lartë. Strukturat e këtij lloji do të përjashtohen për 10 vjet nga pagesa e tatim-fitimit, si edhe do të kenë disa lehtësi të tjera fiskale.
Në maj të 2018-ës, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin mbi kriteret që duhet të plotësojë çdo subjekt, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”.
Sipas vendimit, investimi në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje duhet të bëhet në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit dhe aplikuesi duhet të ketë lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave të tilla.
Në vendim përcaktohet se operatori menaxhues menaxhon të paktën 5 struktura të tilla akomoduese në fushën e turizmit të cilat janë në pronësinë direkte të operatorit ose administrohen nga ata dhe ndodhen në të paktën tre vende të BE-së.
Lidhur me vlerën e investimit, vendimi përcakton se për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje investimi duhet të ketë një vlerën jo më të ulët se 8 milionë euro, ndërsa për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje të paktën 15 milionë euro.