MENU
klinika

Bie në 1.9%

Inflacioni prek nivelin më të ulët që nga janari

08.11.2018 - 12:48

Inflacioni ra për të katërtin muaj radhazi në tetor dhe arriti nivelin më të ulët që nga janari i këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 1.9%, nga 2.1% që pati qenë për gushtin. Pas tetë muajsh, inflacioni ra nën intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Rënia e inflacionit u ndikua sidomos nga grupi i ushqimeve. Inflacioni i këtij grupi zbriti në 1.8%, nga 2.6% që kishte qenë për shtatorin. Ky është niveli më i ulët i inflacionit të ushqimeve për këtë vit. Rënia ka ardhur sidomos nga zbutja e inflacionit për grupin e perimeve. Ndonëse ngelet ende i lartë, inflacioni për këtë nëngrup ra në 11.5%, nga 14.6% që kishte qenë për shtatorin dhe 18.6% që ishte në muajin gusht.

Megjithatë, rënia e inflacionit për ushqimet është ekuilibruar pjesërisht nga rritja e tij për grupe me ndikim të konsiderueshëm. Inflacioni i grupit ‘qira ujë, lëndë djegëse, energji’ u rrit në 3.4%, me sa duket i shtyrë nga rritja sezonale e çmimeve të qirave. Ndërkohë, inflacioni për grupin ‘transporti’ arriti në 4.3%, i ndikuar sidomos nga rritja e çmimeve të karburanteve.

Rënia e inflacioni në këto nivele është pjesërisht e papritur, megjithatë mund të shpjegohet me disa faktorë. Përmirësimi i ofertës së prodhimeve bujqësore e ka zbutur rritjen e çmimeve të tyre në dy muajt e fundit. Leku i fortë në kursin e këmbimit valutor ngelet gjithashtu një faktor me ndikim të konsiderueshëm në uljen e presioneve inflacioniste nga jashtë.

Vetë Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare, shprehej se rritja e inflacionit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit, është ndikuar së shumti nga komponentë afatshkurtër. Inflacioni bazë, që përjashton grupmallrat me luhatshmëri të lartë të çmimeve, ngelet në nivele të ulëta, në pasqyrim të pozicionit ciklik të ekonomisë. Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3% vetëm në vitin 2020.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Inflacioni po gjen stabilitet

Çmimet u rritën 2.2% për gushtin