MENU
klinika

Përmbledhja ditore e rajonit

Ish-kryeministrit Gruevski do t’i merret mandati

07.11.2018 - 18:00

Maqedoni

Në Kuvendin e Maqedonisë ka nisur procedura për marrjen e mandatit deputetit, Nikolla Gruevskit. Komisioni për Çështje të Mandateve dhe Imunitetit me shumicë votash ka miratuar vendimin për t’i propozuar Kuvendit marrjen e mandatit ish-kryeministrit Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës gjatë procedurës për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej 600 mijë euro.

Vendimin për dënimin e Gruevskit e ka fuqizuar edhe Gjykata e Apelit, ndërsa Gruevski në burg duhet të paraqitet më 8 nëntor, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë shtyrje prej disa ditëve, bazuar në procedurat që kanë të bëjnë me kërkesën për shtyrjen e vuajtjes së dënimit.

Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka reaguar ndaj deklarimeve të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ka thënë se Unioni i Komoreve, “është vendi i radhës që ka tërhequr njohjen për Kosovën”.

Në reagim thuhet se Kosova është duke përcjellë me kujdes fushatën agresive dhe jo demokratike të Serbisë në funksion të propagandës dhe përhapjes së lajmeve të rreme në rajon dhe më gjerë.

Serbi

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të presë më 8 nëntor në Bruksel presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç.

“Në takim, dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës, i cili është vendimtar për rrugët e tyre evropiane”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk do të heqin dorë nga e drejta e lëvizjes së lirë, ndërsa sipas tij nëse vendimi për liberalizimin e vizave nuk do të merret në dhjetor nga institucionet përkatëse të BE-së atëherë ky është një racizëm i skajshëm.

Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se është e drejtë e qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm dhe pas plotësimit të kritereve bashkësia evropiane duhet të reflektojë.

Maqedoni

Komisioni për Çështje Kushtetuese do ta fillojë diskutimin për katër draft-ndryshime për ndryshimin e Kushtetutës, i cili pritet të zgjat 12 ditë.

Seancën plenare kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili gjithashtu është edhe kryetari i Komisionit për çështje kushtetuese, e ka caktuar për 1 dhjetor.

Kosovë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të takohet sot për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, lidhur me “dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”.

“Kërkesa e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”, është pika e vetme e rendit të ditës. /Konica.al/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lëvizja e lirë për kosovarët

Veseli: Mosliberalizimi i vizave është racizëm