Paga mesatare në Shqipëri ngelet ndjeshëm poshtë nivelit dysheme të Bashkimit Europian. Aktualisht, paga më e ulët mesatare e Unionit është ajo e Bullgarisë, me 571 euro në muaj. Sipas të dhënave më të fundit dhe që i takojnë vitit të kaluar, paga mesatare bruto në Shqipëri është rreth 49 mijë lekë ose afërsisht 390 euro. Mbështetur në të dhënat e Instat, paga mesatare vitin e kaluar u rrit me rreth 7%.
Po të marrim parasysh këtë tregues, duket se diferenca në pagën mesatare mes Shqipërisë dhe vendit të fundit të Bashkimit Europian ngelet e konsiderueshme. Madje,kjo diferencë është ngushtuar disi falë efektit të mbiçmimit të ndjeshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor.
Në dy vitet e fundit, leku është forcuar me rreth 11% në kursin e këmbimit me euron. Kjo e ka zvogëluar diferencën e pagës të llogaritur në monedhën europiane.
Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh se llogaritja e pagës mesatare nga Instat mbështetet në të dhëna administrative. Tregu i punës ende karakterizohet nga një informalitet i konsiderueshëm dhe ka paga që janë më të larta nga sa deklarohen.
Po të kemi parasysh këtë, në teori mund të mbështesim supozimin se paga mesatare është edhe më e lartë se 390 euro në muaj dhe hendeku me nivelin e poshtëm të bashkimit Europian mund të jetë më i ngushtë.