MENU
klinika

Albert Çaçi

Jemen-Lufta drejt përfundimit

06.11.2018 - 09:44

Në konceptet ushtarake të luftimit, kur në front për një kohë të gjatë mbizotëron status quo, dhe asnjë palë nuk predominon atëherë janë të nevojshme bisedimet për përfundimin e luftës. Praktikisht kjo po ndodh në Jemen.

Tashmë të gjithë e kanë të qartë se Arabia Saudite dhe kualicioni i saj nuk mund t’i mposhtin Huthët në Jemen.
Eleminimi barbar i gazetarit Khashoggi në Stamboll nga ana e saudëve, që tashmë e pranuan edhe vetë, i hoqi atyre gjithë atë perde të madhe që i mbulonte me shumë kujdes gjithë opinionit publik perëndimor se çfarë ndodhte në Jemen …

Ministri i Mbrojtjes së SHBA James Mattis deklaroi javën e shkuar në mënyrë shteruese: e kemi vrojtuar këtë konflikt për shumë kohë, tani është koha për ta përfunduar, madje shumë shpejt, brenda 30 ditëve.

Rrallë është parë vitet e fundit një ultimatum i tillë nga ana e SHBA drejtuar një aleati shumë të ngushtë strategjik.
Siç duket tashmë SHBA janë vënë në një situatë shumë të vështirë dhe kanë kuptuar se Saudët nuk mund ta fitojnë kurrë këtë luftë dhe çdo mbështetje të mëtejshme do të komprometoje edhe pozicionin e SHBA para opinionit publik botëror.

Aq më tepër që SHBA nuk ka asnjë lloj interesi ekonomik në këtë luftë, vetem se mbështet këtë aleat, që tani me “bëmat” e tij është bërë i pasuportueshëm.

Nga ana tjetër SHBA pardje hapën një front tjetër duke vendosur sanksione dragoniane ndaj Iranit. Dhe ky është vetëm fillimi, pasi askush nuk e ka të qartë deri ku mund të shkojë ky konflikt i rrezikshëm me pasoja shumëplanëshe ekonomike, ushtarake dhe gjeostrategjike.

Kështu që SHBA duan fushën e lirë për tu përqendruar tek objektivi kryesor, që është Irani dhe jo të mbështetin një luftë të humbur, pa asnjë prespektivë pozitive, që vetëm e deskretiton në sytë e mbarë botës.

Në fakt kjo është pasojë i një lufte 3-vjeçare ku shteti më i pasur i botës lufton me shtetin absolutisht më të varfër të botës, por me një aftësi luftimi dhe qëndrese impresionuse, dhe këtë e dëshmon fakti që nuk është pushtuar asnjëherë në histori. Jemeni është një nga të pakta vende që Perandoria e famshme britanike nuk arriti ta pushtojë ndonjëherë megjithëse tentoi disa herë.

Lufta ka hyrë tashmë një fazë degjenerative, ku nuk po kursehet më asgjë, porte, aeroporte ndërkombëtare, spitale, qendra të banuara, shkolla, kopshte fëmijësh dhe civile të pambrojtur.

Duhet të ishte një blitzkreig, jo më shumë se tre muaj ndërhyrja e Arabisë Saudite dhe aleatëve sunit në Jemen, por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve të strategëve ushtarakë saudë. Tashmë pas 3 viteve luftime dhe mbi 50 miliardë dollarë të shpenzuara po përvijohet një Vietnam i plotë në gjithë terminologjinë ushtarake të këtij termi.

Një ushtri e pajisur me një armatim supermodern perëndimor e koalicionit sunit bombardojnë pothuajse çdo ditë në Jemen dhe rezultatet janë se jo vetëm që Huthit (shia 35% e popullsisë të mbështetur nga Irani) nuk po dorëzohen por tashmë kanë filluar të godasin me raketa (për fat jo moderne) Riadin dhe Abu Dabin.

Kur në mars të 2015 Riadi nën drejtimin e princit të ri ambicioz Muhammad bin Salman planifikoi ” Decisive Storm” në Jemen askush nuk mund të parashikonte që ngjarjet do të shkonin kështu, të paktën jo në këtë mënyrë tragjike.

Lufta nga teorikisht asimetrike është shndërruar në luftë pozicionesh, me një ndarje të territorit të Jemenit praktikisht në dy zona. Në zonën veri-perëndimore që përkon pak a shumë me Republikën Arabe të Jemenit para 1990 ose Jemeni i Veriut me kryeqytet Sana që e zotërojnë Huthit dhe pjesa tjetër që korrespondon me Jemenin e Jugut me kryeqytet Aden që e zotërojnë mbështetësit e ish-Presidentit Hadi të mbështetur nga Saudët.

Por objektivi kryesor strategjik për të cilët Saudët ndërhynë, ai që të merrte nën kontroll pjesën bregdetare të Detit të Kuq, sipër ngushticës strategjike të Bab el Mandelit deri tani ka dështuar pasi ai zotërohet plotësisht nga Huthit duke rrezikuar lundrimin në Veri drejt kanalit të Suezit.

Por lufta e sotme në Jemen së bashku me atë në Siri pasqyron një përplasje me të madhe gjeopolitike pasi ajo është një sfidë për kontrollin rajonal midis Mbretërisë sunite saude dhe Iranit shia. Riadi është i frustruar nga Irani për atë që ai e konsideron një aspirim të Teheranit për të rikrijuar Perandorinë Persiane dhe t’i marrë drejtimin e botës myslimane.

Riadi nuk ka dyshim se Irani ka si objektiv t’i kthejë Huthit si Hezbollahët në Liban, duke kërcënuar Mbretërinë nga Jugu.

Por strategët gjeopolitikë amerikanë kanë arritur në një konkluzion të pakëndshëm, se nuk ishte Irani që kishte ndonjë lidhje të ngushtë me Huthët siç i ka me hesbollahët, por ishte nisja e luftës nga sauditët që forcoi së tepërmi lidhjet e Iranit me huthët dhe kjo është një humbje strategjike në favor të rritjes së influencës shia në gadishullin arabik.

Dhe ndërkohë populli më i varfër i globit vazhdon të vuajë pasojat e tmerrshme të një lufte që në thelb duket qartë që është një luftë me prokurë midis Arabisë Saudite dhe Iranit dhe midis shitëve dhe sunitëve për dominimin rajonal të Lindjes se Mesme, dhe që Jemeni për fatin e tij të keq ka rënë pre.

Shifrat janë të frikshme: 17000 të vrarë nga të cilët 10 000 civilë ku mbi 7 000 janë femijë (Jemeni ka 64 % të popullsisë prej 28 milion banorë nën 20 vjeç (pasi vendi më i varfër në botë ka lindshmërinë foshnjore më të lartë të botës), 5 milionë të uritur që presin ndonjë ndihmë nga OKB, 82% e popullsisë e detyruar për të jetuar me ndihma ekonomike, mbi 40 % e atyre pak fabrikave që ishin janë shkatërruar plotësisht. Sipas OKB vendi rrezikon seriozisht epidemi masive të kolerës dhe bllokada totale detare nga Saudët nuk lejon furnizimin e ndihmave ndërkombëtare në ilaçe dhe ushqime,.

Mund të jëtë konflikti i vetëm në kohët moderne, me kaq shumë viktima civile i pa internacionalizuar. OKB nuk ka nxjerrë asnjë rezolutë të Këshillittë Sigurimit, pasi fuqia politike dhe financiare e Arabisë Saudite ka bllokuar gjithçka.

Por tashmë pas eliminimit me metoda mesjetare të gazetarit Khashoggi, edhe vetë Trump u detyrua të marrë pozicion. Është e tmerrshme të shikosh vrasjen e 39 fëmijëve nga bombardimi i autobusit të shkollës me armët tona që nuk mund të lihen në dorë të këtyre njërëzve që kryejnë krime te tilla.

Një gjykim drastik që flet qartë se SHBA ja kanë hequr tashmë mbështetjen Saudëve dhe Emirateve për të vazhduar këtë luftë që nga çdo pikpamje tani duket pa kuptim.

Kjo luftë tashmë ka devijuar në një drejtim shumë të rrezikshëm, ku kokfortësia dhe sedra po dominojnë një situatë të bllokuar ushtarakisht ku të gjithë duan të fitojnë me  do kusht dhe në horizont nuk duket asnjë zgjidhje.

Edhe sikur Arabia Saudite të arrijë t’i mposhtë Huthit, ajo kurrë nuk mund të frenojë një luftë guerrilase që do të kërkonte një impenjim financiar dhe trupa ushtarakë ndoshta edhe më të madh se vetë lufta pasi mund të vazhdojë me vite.

Luftëra të tilla guerrilase nuk po arrijnë t’i fitojnë as fuqitë e mëdha me potenciale të fuqishme ushtarake dhe jo më Arabia Saudite që e ka luftën e parë jashtë kufijve të saj dhe nuk është shquar asnjëherë për aftësi luftuese.

Shpresa është që tani SHBA po pozicionohen qartë kundër vazhdimit të mëtejshëm të kësaj lufte, duke i bërë presion direkt Arabisë Saudite dhe EAU dhe ndoshta për jemenitet fatkeq (historia nuk është treguar asnjëherë bujare me ta ) do të mund të shikojnë dritë në fund të tunelit, për të arritur paqen dhe për të nisur kurimin e plagëve të mëdha që i ka hapur kjo luftë e çmendur.

Dhe si rregull, që nga Lufta e Parë Botërore kur SHBA vendosin që një luftë duhet të përfundojë, ajo përfundon realisht.

Albert Çaçi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Pasojat e globalizmit