MENU
klinika

Vrasja në Bularat

Kacifas/ Familjarët kërkesë në Prokurori për tërheqjen e trupit

05.11.2018 - 10:30

Familjarët e Kostandino Kacifas, i cili mbeti i vrarë nga RENEA në Bularat të Gjirokastrës kanë bërë kërkesë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për tërheqjen trupit të 35-vjecarit.

Trupi i të ndjerit mbahet në ruajtje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore deri në përfundim të plotë të ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa Prokuroria pritet të vendosë sot nëse do t’u japë trupin familjarëve apo jo.

Janë mjekët ligjore, që do të thonë fjalën e fundit, për mënyrën sesi është qëlluar ndaj Kacifasit dhe distancën prej nga është qitur me armë në drejtim të tij. Ndërsa përmes analizave toksikologjike, do të përcaktohet nëse 35-vjeçari ka qenë nën efektin e ndonjë substance.

Kujtojmë se më herët, avokati i familjes Kacifa në një intervistë për mediat greke u shpreh se trupi i 35-vjecarit do t’i kthehet familjes ditën e martë. Sipas tij autoritetet shqiptare kanë rëndë dakord t’i dorëzojnë trupin e të ndjerit familjes.

Ngjarja
Në prag të zhvillimit të festës së Greqisë(Dita kur grekët i thanë jo ushtrisë italiane të hynte në Greqi në 1940-tën), e cila si çdo vit u organizua edhe në qendër të fshatit Bularat në Gjirokastër, të shtëna me armë tronditën zonën.

Policia, e cila po qëndronte në qendër të fshatit për mbarëvajtjen e festës menjëherë është nisur ne drejtimin nga janë dëgjuar të shtënat, ndërsa identifikoi edhe personin që qëlloi me armë.

Kostandin Kaçifa sapo ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Gjirokastër shkoi dhe nje helikopter i Ministrisë se Brendshme dhe forcat speciale RENEA nga Tirana, te cilat bënë të mundur edhe lokalizimin e autorit. Por pasi nuk iu përgjigj thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, 35-vjecari qëllonte me armë zjarri, ndërkohë që mbeti i vrarë.