MENU
klinika

Ekspertiza mjeko-ligjore

Rasti Kacifas dhe makinacionet pas vdekjes së tij

31.10.2018 - 18:04

Nga Erdi Bërxulli

Çështja e vrasjes së Konstantinos Kacifas nga efektivët e RENEA-s ka pasuar me shumë polemika dhe ngjyrime politike e nacionaliste.

Edhe pas vrasjes, nga mediat greke qarkullojnë disa versione se si homogjeni grek (term i përdorur nga grekët si bashkëpatriot) u ekzekutua nga policia shqiptare.

Në mediat e përditshme greke, ngjarja e Bularatit ishte në faqet e para. Titujt si “Homogjeni grek vritet nga plumbat e shqiptarëve”, ishin në çdo ballinë.

Përplasje ka patur edhe me çështjen e autopsisë, ekspertizës së trupit të të ndjerit. Familjarët e tij kanë kërkuar një ekspert të jashtëm mjeko-ligjor i cili të bëjë ekspertizën e trupit dhe jo nga mjeko-ligjorët e caktuar nga shteti shqiptar.

Ndryshimi i procedurës penale në vitin 2017, ka bërë të mundur që në raste të autopsisë, ekspertizës mjeko-ligjore përveç mjekëve të shtetit, në ekspertizë mund të jetë i pranishëm edhe një ekspert i jashtëm si përfaqësues i familjarëve të viktimës.

Më poshtë paraqitet neni 179, pika 3 e tij e ndryshuar me ligjin nr.35/2017 ku përcaktohet që mund të caktohen ekspertë të tjerë, vendas ose të huaj, jashtë listës së caktuar më parë.

Neni 179
Caktimi i ekspertit
(Shtuar fjalë në pikat 1 dhe 4 me ligjin nr. 8813, datë 13.6.2002;
ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017)

Caktimi i ekspertit bëhet duke e zgjedhur atë ndërmjet personave që janë regjistruar në librat e caktuar për këtë qëllim ose ndërmjet atyre që kanë njohuri të posaçme në degën përkatëse.

Kur ekspertimi shpallet i pavlefshëm ose duhet të bëhet ekspertim i ri, organi procedues merr masa, kur është e mundshme, që detyra e re t’i besohet një eksperti tjetër.

2. Vendimi i organit procedues për caktimin e ekspertit i njoftohet të pandehurit ose mbrojtësit të tij, duke i bërë të ditur se ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e ekspertit, të propozojë ekspertë të tjerë, të marrë pjesë vetë në ekspertim, kur është e mundur, dhe të parashtrojë pyetje për ekspertin.

3. Kur kërkimet dhe vlerësimet paraqiten shumë komplekse ose kërkojnë njohuri të ndryshme në disa degë, organi procedues i ngarkon kryerjen e ekspertimit të disa ekspertëve.Në raste të veçanta, kur ekspertimi nuk mund të kryhet nga lista e ekspertëve të regjistruar pranë gjykatës, organi procedues, pasi merr paraprakisht mendimin e palëve, cakton ekspertë të tjerë, vendas ose të huaj, jashtë kësaj liste.

4. Eksperti është i detyruar të kryejë detyrën e tij, me përjashtim të rasteve kur ekziston një nga shkaqet që e përjashtojnë atë nga qenia ekspert ose kur pretendon se nuk është kompetent ose nuk ka mundësi të kryejë ekspertimin dhe kërkesa e tij pranohet nga organi procedues.

Sikurse parashikohet ekspertiza, pra autopsia zgjat të paktën 3 javë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka komunikuar me drejtues të Mjekësisë ligjore ku dhe kanë kërkuar kryerjen e ekspertizës sa më shpejt.

Ekspertët e mjekësisë ligjore në Tiranë, në fakt kanë vlerësuar edhe ekspertizën e dërguar nga mjekësia ligjore e Gjirokastrës.

Familja e Kostantinos Kacifës pretendon se djali i tyre është goditur me armë zjarri nga një distancë e afërt.
Kështu që familjarët kanë pajtuar një avokat grek dhe një mjek nga spitali i Janinës, të cilët do të ndjekin procesin e autopsisë që do të kryhet në Tiranë.

Familjarët e Konstandinos Kacifas refuzuan varrosjen e djalit të tyre pasi pretendojnë se nuk është bërë ekspertiza e duhur për rastin.

Avokati i familjes së Kacifës, Javanopulos, deklaroi që i është lejuar ta shohi trupin e pajetë të Kacifasit në morg për vetëm 5 minuta. Ai tha që trupi kishte plagë të dukshme të dy plumbave, por në plagë nuk kishte mbetje plumbash pasi trupi ishte larë dhe plagët ishin qepur.

Javanopulos gjithashtu pretendon se Konstantinos Kacifa është qëlluar nga një distancë e afërt, rreth 15 metra, si dhe e quan të paprecedentë dërgimin e kufomës për ekspertizë në Tiranë.

Përgjigja që do t’i japin ekspertët mjeko ligjor të Tiranës është që a është qëlluar Konstantinos Kacifas nga një distancë e afërt nga forcat RENEA apo jo.

Ajo që dihet është që Kacifas ka në trupin e tij dy plagë plumbash në afërsi të kraharorit, të cilat i kanë marrë jetën dhe sikurse thuhet të paktën në relacionin e mjekësisë ligjore të Gjirokastrës këto të shtëna kanë qenë nga një distancë e konsiderueshme, ashtu sikurse policia dhe RENEA kanë thënë edhe në versionin e tyre të parë të shkëmbimit me armë zjarri me Kacifasin, për rreth dy orë në Bularat.

Çështja ndërkohë është referuar pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale “Të vrasjes në rrethana cilësuese” të oficerëve të Policisë së Shtetit të ngelur në tentativë, si dhe nxitje të urrejtjes ndaj kombeve.