MENU
klinika

Investimi 70 mln euro në Akërni

Indianët do ndërtojnë impiantin fotovoltaik

10.11.2018 - 11:20

Shpallet kompania fituese për ndërtimin e impiantit fotovoltaik të Akërnisë. Kompania fituese është konsorciumit India Power Coporation LTd dhe investimi arrin në vlerën 70 milionë euro

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot përfundimin me sukses të procedurës të hapur konkuruese për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Zonën e Akërnisë (Vlorë).

Impianti parashikon një kapacitet gjenerues të instaluar 50 MW si pjesë e masave mbështetëse dhe ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë prej 50 MW (100 MW në total), të cilat do të jenë lirisht të tregtueshme në tregun e energjisë. Në garën e hapur ndërkombëtare, të shpallur në 6 Gusht 2018, u paraqitën zyrtarisht gjashtë oferta në datën 17.09.2018.

“Në fazën finale të vlerësimit, u kualifikuan 3 ofertues, ku sipas procesit të vlerësimit, oferta që u vlerësua me më shumë pikë si kombinim i besueshmërisë teknike, financiare, eksperiencës së ngjashme, cmimit dhe kapaciteteve shtesë të instaluara, ishte oferta e paraqitur nga bashkimi i shoqërive India Poëer Corporation ltd e rregjistruar në Indi, Mininig Resources FZE, e rregjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Midami Limited, e rregjistruar në Hong Kong” informoi sot ministria e Energjetikes.

Kush është konsorciumi India Power Coporation LTd

Kjo ministri thekson se Kompania lider e konsorciumit India Power Coporation LTd, është një nga kompanitë më të mëdha energjitike të Indisë, me eksperiencë 100 vjeçare, me kapacitete të instaluara prej 1500 MW, që përfshin kapacitetet të prodhimit të energjise termike, erës dhe energji diellore dhe e zotëruar nga Grupi Kanoria Foundation, një konglomerat ekonomik indian me një portofol asetesh prej 15 Miliardë USD, duke krijuar besueshmërine e nevojshme për përmbushjen e këtij projekti.

Projekti do ketë vlerën prej rreth 70 milion Euro dhe do të krijojë mundësi të shumta punësimi.

“Ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm në diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri dhe do të hapë gjithashtu rrugën për krijimin e Shqipërisë si një qendër të energjisë diellore në rajon. Oferta e shpallur fituese, siguron nje cmim energjie për 50 MW me një vlerë prej 59.9 Euro/MW për 15 vite dhe një kapacitet shtesë prej 50 MË (100 MË në total) pa mbështetje për blerje energjie. Afati i zbatimit të investimit është 18 muaj” njofton ministria e Energjisë.