MENU

Albert Çaçi

Libia-Vendi i mbetur pa shtet

04.11.2018 - 11:38

Në qoftë se dikush duhet të mbante një leksion përpara studentëve të shkencave politike se përse është i domosdoshëm organizimi shtetëror në një vend, dhe se ç’ndodh kur ai nuk ekziston, rast më sinjifikativ  se Libia nuk mund të gjendet.

Shumë e thjeshtë: Libia praktikisht ka mbetur  pa shtet.

Ekzistojnë 2 Parlamente, ai i Tripolit dhe ai i Tolbrukut, me qeveritë përkatëse që praktikisht nuk e njohin njëra-tjetrën. Atë të Tripolit me në krye Sarraj e njeh një pjesë e OKB dhe një pjesë e  Perëndimit, këtë të Tolbrukut me në krye gjeneralin  Haftar e njeh Egjipti, Rusia, Arabia Saudite, dhe tashmë është bashkuar dhe Franca.

Një mori bandash të armatosura deri në dhëmbë  nga arsenali i pafund i armatimit të Gedafit i bien vendit kryq e tërthor  duke kryer të gjitha llojet e trafikut ilegal që nga emigracioni klandestin, droga, prostitucioni, armët, shitja e organeve, kontrabanda e naftes etj. Nuk ka lloj trafiku që nuk kryhet sot në Libi.

Turma emigrantësh  klandestinë nga Afrika qendrore (Çad, Niger, Nigeri-250 milion banorë) mësyjnë çdo ditë drejt brigjeve europiane duke u kthyer në një problem jashtëzakonisht të komplikuar për Europën, ku shtetet e saj grinden me njëri-tjetrin për shpërndarjen e tyre. Aktualisht janë 600 mijë emigrantë në brigjet e Libisë që presin për tu dyndur drejt Italisë por qeveria e re italiane ka bllokuar gjithçka më forcë,

Mbi 40 tribu në gjithë vendin kanë rrethuar nga një pjese  të territorit dhe e qeverisin për hesap të tyre.

Dhe më tej pastaj gjithe konstelacioni i xhihadistëve,  përfshirë ISIS, AL-Qaeda, kanë filialet e tyre në Libi ku kanë okupuar pjesë të territorit dhe disa zona naftëmbajtëse dhe luftojnë si midis tyre ashtu dhe kundër dy qeverive. Shtoi këtyre dhe gjithë mbeturinat e regjimit te Gedafit të organizuara në milici te ndryshme.

Kështu që sot Libia është kthyer në  një amalgamë shpërthyese, të gjithë kundër të gjithëve, që nuk ekziston në asnjë vend tjetër të globit.

Libia është një vend në Afrikën Veriore me një sipërfaqe prej 1,76 milion kilometra katrorë me një popullsi prej 6,2 milion banorë me një GDP  prej 82 miliard dollarë (e llogaritur ne kohën e Gedafit pasi tani  në këtë situatë nuk ka ekonomist që mund ta definojë). Vendi prodhonte  1,8 milion fuçi nafte në ditë  deri në vitin 2012, një  nga naftat  më cilësore në botë, ndërsa tani ka zbritur  në vetëm 500 000 fuçi në ditë.

Deri në vitin 1911, ka qenë pjesë e perandorisë otomane  e ndarë në tre krahina  Tripolitana (pjesa gjatë kufirit algjerian dhe  një pjesë mesdhetare me qender Tripoli), Cirenaica (pjesa gjatë kufirit egjiptian, një pjesë të bregdetit mesdhetar me qëndër Tolbruk, ku përfshihet edhe Bengazi) dhe Ferzan  në pjesën qendrore. Në këtë vit  i kalon Italisë dhe në kohën e  Duçes bëhet bashkimi i të gjithë territorreve në Libinë e sotme.

Në 1943 aleatët përzunë  italianët dhe trupat gjermane. Me  Traktatin e Paqes të 1947 Anglia merr  në zotërim Tripolitanën dhe Cirenaicën dhe Franca merr Ferzanin. Në dhjetor 1951 fiton  panvarësinë dhe shpallet monarki dhe më 1969 Gedafi me grusht shteti merr pushtetin dhe e mban deri më 2011 ku dhe e eleminojnë. Praktikisht që prej këtij  viti ndodhet në një gjendje kaotike të padefinueshme.

 Në janar 2011 nisi në Botën Arabe një lëvizje kundër regjimeve të korruptuara, e ashtuquajtura Pranvera Arabe.

 Kjo lëvizje u prit me një entuziazëm të madh në gjithë botën perëndimore.

Shpresa e madhe ishte se ashtu siç u shemb bota komuniste, ku mbas ngjarjeve në Hungari  nën një efekt domino  ranë të gjithë regjimet deri dhe Bashkimi Sovjetik, po kështu demokracia do të triumfonte në gjithë botën arabe. Ky ishte një gabim i madh strategjik. Nëse vendet komuniste bënë ndryshimet demokratike relativisht në mënyrë paqësore, dhe  kjo iu dedikohej historisë, kulturës, fesë, nivelit ekonomik, bota arabe ishte një gjë krejt tjetër, qoftë për traditën, nivelin ekonomik, besimin fetar.

 Shumë shpejt entuziazmin e Pranverës Arabe do ta zinte trishtimi i Dimrit Arab.

 Vendi ku Pranvera Arabe dështoi në mënyre spektakolare ishte pikërisht Libia.

Gedafi e bëri të qartë që në fillim se nuk do ta linte pushtetin në mënyrë paqësore dhe nisi një përleshje e përgjakshme. Ky lloj revolucioni nuk po ecte dhe duhej patjetër ndërhyrja nga jashtë. Iniciatore u bënë Franca  e Sarkozi dhe Anglia e Cameron, dy vendet qe e kishin patur koloni dikur.

Duhet theksuar se SHBA nuk ka patur interesa ekonomike në Libi pasi Gedafi ishte një antiamerikan dhe  e bënte tregtinë e naftës me ENI-n e Italisë. SHBA e kishte bombarduar njëherë Tripolin në 1986 pas përgjegjësisë se regjimit në atentatin terrorist ajror  të Lokerbit në Skoci. Bile vetë Obama në një intervistë në fund të mandatit shprehte zhgënjimin e tij nga europianët që ishin sjellë si pazarxhinj dhe e kishin përdorur SHBA kryesisht për të  marrë naftën e Libisë.

U kërkua një mandat nga Këshilli i Sigurimit te OKB, ku Rusia  e Medvedevit (Putini ishte kryeministër), abstenoi së bashku me Kinën duke i hapur rrugë krijimit të  non fly-zonë në Libi dhe u dha  një mbështetje e madhe ushtarake dhe financiare rebelëve anti-Gedaf.

Fundi dihet. Në 2011 Gedafi u linçua nga turmat dhe regjimi ra duke i hapur rrugën një situate kaotike. Këtu u kuptua që Perëndimi nuk kishte asnjë strategji se si do ecej përpara. Forcat që kishin mbështetur nuk kishin lidhje me konceptet e demokracisë dhe po rrëshqisnin  drejt  ideologjisë  islamiste  fondamentaliste dhe tentonin të vendosnin ligjin e sharisë.

Situata filloi të degradonte dhe ndodhi  edhe akti terrorist në konsullatën amerikane në Bengazi ku mbeti i vrarë edhe vetë  ambasadori amerikan. Kështu po jepeshin  shenjat e para të lindjes së ISIS që u krijua me vonë në Irak e Siri pasi u transferuan nga Libia.

Duhet theksuar se si ideologjia fillestare ishte ajo e Vllazërisë Myslimane, një organizatë islamike i financuar nga Katari dhe Turqia  për interesat e tyre.

Vllazëria Myslimane zaptoi në 2011  sheshin  Tahrir në Kairo dhe mbas një rezistence të fortë dhe të guximshme largoi nga pushteti dhe arrestoi liderin historik për 30 vjet rresht  të Egjiptit, Hosni Mubarak dhe solli në pushtet Morsin. Ky veprim prishi të gjithë ekulibrat në Lindjen e Mesme  që do të ndikonin edhe në Libi.

Arabia Saudite që e ka shpallur jashtë ligjit Vllazërinë Myslimane, nuk ishin dakort dhe mbështetën gjeneral  Al Sisin, i cili në 2013 kryen një grusht shteti klasik, arrestoi Morsin dhe nxorri  jashtë ligjit Vllazërinë Myslimane.

Duhet theksuar se se ky grusht shteti nuk u dënua ashpër bile ne heshtje edhe u miratua nga Perëndimi.

Pasi të mendosh se kur nga Siria me 23 milion banorë u nisën rreth 2 milionë emigrantë nëpër Europë dhe e tronditën nga themelet gjithë Bashkimin Europian, bile edhe vetë Gjermaninë e pasur  imagjinohet  çdo të ndodhte në qoftë se Egjipti me 100 milionë banorë do të kishte përfunduar si Libia. Dhe të mos harrojmë se poshtë Egjiptit është Etiopia  me 100 milion banorë dhe Sudani me 40 milion banorë.

Al Sisi nuk ja fali kurrë amerikaneve dhe Turqisë mbështetjen e Morsit dhe arrestimin e Mubarakut dhe gjatë gjithë mandatit të Obamës nuk komunikoi më me të  dhe gjithashtu ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Turqinë, që vazhdojnë edhe sot. Bile Al Sisi  e spostoi aksin politik drejt Putinit ku filloi një bashkëpunim të ri ekomomik e ushtarak. Me mbështetjen edhe të  Arabise Saudite  që e financoi bujarisht, Egjipti i ktheu sytë nga Libia pasi nuk mund ta lejonte Vllazërinë Myslimane  të ringrihej aty.

Përzgjodhi një ish-gjeneral të Gedafit, të shkolluar në Moskë, Haftarin që organizoi milicinë e tij dhe sulmoi Bengazin dhe Tolbrukun duke u imponuar me forcë  kapo i Cirenaice. Milicia e tij shtypi  gjithë grupet terroriste islamike  në Libinë  Lindore  dhe nga ky pozicion nuk shikohet shume  keq nga Perëndimi.

E thënë ndryshe nga pozicione force  Haftari ju imponua të gjithëve  dhe tani  është bërë faktori kyç dhe nuk mund të neglizhohet.

Problemi është se në Libi janë përfshirë shumë shtete që kanë interesa të kundërta me njeri-tjetrin .

SHBA, pa të cilën nuk zgjidhet dot sot asnjë krizë në botë nuk është shumë e interesuar për Libinë pasi është e angazhuar në Irak, Siri, me Iranin dhe Korenë e Veriut dhe mbi të gjitha nuk ka interesa direkte  ekonomike në Libi. Edhe Britania e Madhe mbas Brexit dhe rënies së Cameron është tërhequr nga Libia.

 Gjithë loja tashmë zhvillohet midis Francës , Italisë dhe Egjiptit.

Macron synon që të largojë Italinë nga Libia dhe naftën libiane nga Eni ta marrë në koncension Totali francez. Duke shfrytëzuar se në fillim Macron krijoi lidhje të ngushta  me Trump, nisi të kërkonte  rolin primar në Libi. U afrua me Haftarin dhe Egjiptin dhe organizoi një samit në Paris me gjithë grupet dhe tributë libiane duke mos e ftuar Italinë.  Por marrëdhëniet Trump-Macron u dobësuan mbas takimit të G-20 në Kanada në qershor, kur Macron deklaroi se Franca po shikonte mundësinë që këtë samit ta organizojë pa SHBA  si reagim ndaj mosfirmosjes së konkluzioneve nga Trump. Për Trump kjo ishte shumë por  edhe vendosja e taksave për çelikun dhe aluminin francez i ftohu më  tej marrëdhëniet.

Ndërkohë në qershor në Itali  një qeveri populiste  zëvëndësoi qeverinë e dobët të Gentilionit, të cilën Macroni e kishte spostuar pa shumë kortezi diplomatike. Qeveria e re italiane bllokoi gjithë emigracionin ilegal nga Libia dhe për këtë veprim fitoi dhe simpatinë e Trump  që në thelb i mbështet qeverite sovraniste.

Italia filloi të luajë një rol aktiv për Libinë  duke sfiduar hapur  Francën. Vizita e Contes në Shtëpinë e  Bardhë i siguroi Italisë mbështetjen e SHBA për rolin dominant të Italisë në Libi. Më tej Conte shkoi në Moskë ku mori edhe mbështetjen e Putinint që ka një influencë të madhe mbi Haftarin.

Italia e vazhdoi më tej sfidën ndaj Francës, duke  organizuar një  konferencë për Libinë, që do të zhvillohet 11 nëntorin e ardhshëm  në Palermo. Duke siguruar  mbështetjen e SHBA  por edhe të Rusisë, qeveria e re italiane tashme ka filluar të  kërkojë një rol primar duke spostuar  Francën, që në këtë moment nuk ka as mbështetjen e Gjermanisë së dobësuar politikisht por edhe se  problemi i emigrantëve  nga Libia ka tronditur nga themelet gjithë BE.

Nga konferenca e Palermos në 11 nëntor pritet  një  strategji për të ringritur shtetin e dështuar libian. Ndoshta krijimi i një federatë me tre pjesët e saj mund të jetë zgjidhja më e pranushme për momentin

Vetëm një gjë është e sigurt, se Libia siç ka qenë  para Pranverës Arabe nuk ka për të qenë më.

 Gjithçka  tashmë ka ndryshuar  nga të gjitha pikëpamjet, gjeografike, politike, ekonomike dhe  shoqërore. Dhe natyrisht  jo për mirë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albert Çaçi

Brazili ndryshon faqe

Albert Çaçi

Militarizimi i Arktikut