…edhe çajnë drrasa qysh Mic Sokoli e historia e tij përballë artilierëve osmanë âsht mënyra e gabueme e narrativës kombëtariste mbi të kalumën. E mirë bre, s’durohet njeri pa thanë, e pse në Amerikë nuk ka thuejse qytet pa nji monument të Paul Revere-it? Nji argjendar me zanat, ai ka hy në histori veç pse, në momentin që e ka vnu re flotën britanike, kalëron me mushkën e tij për me e njoftue milicinë fshatare amerikane (kur këta veç kishin nis rebelimin ndaj Kunorës perandorake).
Me e qitë Paul Revere-in në nji kontekst kudo tjetër, në Evropë, Rusi, etj, zor që kalërimi i tij (pamvarësisht misionit) do të ngrente kandar në rrjedhat e historisë, e aq ma pak me u fiksue si ngjarje. “Unë jam unë dhe rrethanshmënia jem”, ky pohim qendror në ekzistencializmin e Jose Ortega y Gaset mundet me u përthye në realitetin tonë “Ne jemi ne dhe rrethanshmënia jonë”. Le të pallavrojnë cinikët e ikonoklastët sa t’dojnë, ama Mic Sokoli, para se me qenë i legjendarizuem në tela të çiftelisë, âsht nji realitet që nuk e ndryshon: as betejën e Slivovës (prill 1881) mes vullnetarëve të Lidhjes Shqiptare dhe divizioneve osmane të Dervish Pashës, as ashpërsinë e luftimeve ku s’ka distancë istikamesh e as zjarr po përleshje fyt-me-fyt, e as artilerinë osmane që përcaktoi fatin e betejës, e ku vritet edhe Mici.
Normal që na s’kem as Hollywood e asnji gja tjetër me e ekranizue nji epikë të vërtetë (lufta e kryengritësve shqiptarë kundra nji ushtrie perandorake), por kemi edhe fond-ofruesë të ndryshëm edhe fond-thithësa vendorë që knaqen me ba “ekzorcizëm” ndaj historisë tonë, demek po na çlirojnë prej fantazmave të miteve?