Pas reshjeve të para të borës dhe problemeve të shkaktuara në akset rrugore, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar sot se të gjitha akset nacionale pas ndërhyrjes dhe pastrimit të borës janë të kalueshme.
ARRSH-ja iu bënë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes teksa lëvizin në akset problematike, ndërsa porosit që të respektohen rregullat e qarkullimit së bashku me udhëzimet e policisë rrugore.
Sipas ARRSH-së, ajo që duhet të ketë vëmendje të shtuar është prania e akullit në disa akse nacionale, pasi temperaturat e ulëta bëjnë të mundur krijimin e shtresave, të cilat mund të kthehen në një problem serioz për drejtuesit e mjeteve.
Njoftimi i ARRSH-së:
Në aksin Përrenjas-Qafë Thanë-Lin po punohet me 2 borëpastruese. Në aksin Pogradec-Qafë Plloçë-Maliq janë 2 borëpastruese. Në aksin Maliq-Korçë është në veprim 1 borëpastruese. Në aksin Korçë-Voskopojeë janë 2 borëpastruese.
Në aksin Korçë-Kapshticë, janë 4 borëpastruese. Në këto dy akse është punuar me intesitet të lartë dhe në këto momente është normalizuar situata.
Pavarësisht se reshjet kanë filluar dhe në aksin drejt Qafës së Malit dhe Fushë Arrëzit, kalueshmeëria vazhdon normalisht.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve te mjeteve të tregohen shumë të kujdesshëm gjatë udhëtimit në orët e natës dhe në orët e para të mëngjesit, pasi në segmente të caktuara mund të ketë ngrica për shkak të temperaturave të ulëta.
Shumë e rëndësishme që të respektohen rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistika dhe udhëzimet e punonjësve të policisë në terren.