MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Një zgjidhje për protestën në Astir

26.11.2018 - 00:29

Çdo baba fëmijësh, ka ndjekur me trishtim një shfaqje joelegante të liderit të opozitës, i cili asistoi pa lëvizur para një fëmije të moshës 12-vjeçare, që e kishte babanë në burg si protestues të Astirit për të mobilizuar mbështetje publike edhe nëpërmjet mediave.

Pamja e kryetarit të opozitës, Basha, që i kishte vendosur dorën në sup një fëmije e cila recitoi me një lloj saktësie një tekst që ja kishte shkruar dikush, nuk është pamja që dikush edhe kundër kësaj qeverie, do ta donte për djalin e vet.

Aq e vërtetë është kjo, sa dhe zoti Basha i cili ka njëlloj sensi mase si baba fëmijësh që është- e ndaloi diku në një moment këtë shfaqje.

E bëri për t’i kërkuar djalit të vogël që të thoshte atë që në fakt ishte pretendimi legjitim i të voglit : “lironi babin tim për 28 nëntor që është dita e lindjes sime”.

Kjo ishte pjesa më domethënëse, mirëpo shou me fëmijë vazhdoi. Djali si për t’i dhënë më shumë oksigjen opozitës, ju drejtuar Erion Velisë duke i thënë : o Erion Velia Basha është më i mirë se ty !

17-vjecari i dhunuar-konica.al
17-vjecari i dhunuar-konica.al

Ishte një shfaqje, ku forma e manipulimit të fëmijëve për qëllime politike, arriti përmasa unike.

Kemi parë në të dy krahët, kryeministrat e radhës, Ramën përfshirë që arsye dekorative, për të mbushur manifestimet e tyre, që nuk dekurajohen nga fakti që degët e partive në rrethe i mbushin sallat apo tubimet me fëmijë.

Erion Velia, ka dhe ai stilin e vet të manipulimit, por që ka brenda sheqer, apo dhimbje që asistohen prej tij në formën e dërgimit në spital.

Ndërsa një fëmijë që reciton një tekst politik para protestuesve, një tekst kaq të fortë mobilizues nuk ishte parë.
Basha si lider opozite dhe protesta.

Kjo risi lidhet me faktin se zoti Basha është në përgjithësi në vështirësi për të imponuar rolin e tij si lider i opozitës. Kësisoj ka zgjedhur një mënyrë që nuk përputhet me atë që ka qenë dhe është pritshmëria perëndimore rreth tij, pritshmëria e opinionit publik vendor.

Ai ka zgjedhur apo i është imponuar të jetë një Bashë që i ngjan paraardhësit të tij. Ne pamë dhe po shohim një Bashë shkolluar në Holandë, një profesor të së drejtës, që ka punuar në administratë ndërkombëtare, që ka zgjedhur të bëjë shefin e opozitës me një variant të ngjashëm me atë që bënte paraardhësi i tij.

Përtej konstatimit që kjo shfaqje, ky kopjim i origjinalit, nuk mund të sjellë sukses sa origjinali, do duhet të themi diçka që lidhet me këtë protestë.

Zoti Basha dhe opozita e gjetur në krizë nga pamundësia për të formuar një masë kritike mbështetësish, protestuesish në zona të ndryshme të Shqipërisë, apo dhe në Tiranë që do të krijonin një presion mbi qeverinë, për të arritur qëllimet politike janë kapur pas protestës të Astirit me çdo kusht dhe po tentojnë të krijojnë frymë revolucionare pikërisht nëpërmjet saj.

Në këtë kapje, kacavjerrje kemi disa pika që janë absurde.

Së pari kemi një forcë të djathtë që po mbështet protestën e një pjese të banorëve, që kanë zaptuar nga nevoja për jetesë apo nga makutëria e nxitur në kohë të kapitalizmit, toka të pronarësh të ligjshëm, apo toka shtetërore.

Për një parti të djathtë, që do duhet të ishte partia e ligjshmërisë, partia e pronarëve të ligjshëm, të mbështesë një kauzë të tillë është diçka paradoksale.

Së dyti, duke e kuptuar paradoksin në këtë qasje, Basha po fokusohet tek afera korruptive që qëndron sipas tij mbrapa këtij projekti.

Mirëpo dhe aty ka paradokse : a mund t’i kërkohet Arta Markut, që Basha e akuzon si të lidhur me Ramën që të veprojë kryesisht?

Pse nuk denoncon opozita në prokurori, një projekt si ky, ndërsa e bën për akuza shpifjeje?

A nuk ka arra në gojë, Basha kur flet për të ashtuquajturit oligarkë, njerëz që dikur kanë qenë afër tij, janë afër Ramës, do jenë prapë afër tij, sepse i tillë është modeli konsensual i kapitalizmit tonë ?

Së treti, kemi një lider opozitë jurist, i cili pyetur në një emision, se si e shikonte zgjidhjen për kauzën e protestës u përgjigj se zgjidhja ekziston!

Sipas tij, kuadri ligjor dhe kushtetues posaçërisht ua njeh protestuesve pa dallim,- banorëve që janë në tokën e tyre, banorët që janë në proces legalizimi, brenda gjurmës, apo jashtë saj, të drejtën e dëmshpërblimit.

Basha nuk ju referua ligjit të legalizimeve që e ka bërë vetë në 2006-ën, si ministër transporti, duke përjashtuar ata që preken nga ndërtimet publike, por ju referua kuadrit kushtetues, që sipas tij e njeh dëmshpërblimin për secilin prej këtyre kategorive.

Brenda banorëve që vijnë me bindje të ndryshme politike, me siguri ka dhe të majtë që janë gënjyer dhe janë mashtruar, siç thuhet dhe nga qeveria e Ramës.

Pra ka votues të të gjitha forcave politike që presin një zgjidhje reale : ata duan që titujt e tyre të pronësisë të konfirmohen, apo të merren tituj pronësie që u garantojnë qëndrueshmëri në ato banesa apo një dëmshpërblim të plotë.

Mirëpo duket se opozita ka një qëllim paska më të ndryshëm : protesta të zgjasë sa më shumë, protesta të krijojë një masë kritike kundër qeverisë e cila eventualisht nuk tërhiqet, apo të bëjë lëshime të tjera jo vetëm thjesht me banorët e Astirit, por dhe lëshime të tjerë politike.

Sepse ai nuk po jep zgjidhjen. Nuk po lufton institucionalisht për të.

Pyetja reale, duke nisur nga interesi i banorëve është: Cila është zgjidhja legale?

A ka një zgjidhje legale që këta banorë të mos shndërrohen në protestues profesionistë që të bllokojnë rrugët, të mos rrinë në shi, të mos shtyjnë fëmijët e tyre që të recitojnë poezi të dobëta të shkruara nga grafomanë të caktuar të opozitës, por të marrin titujt e pronësisë apo dëmshpërblimin që u takon ?

Nuk ka asnjë diskutim që në sjelljen e qeverisë ndaj këtyre banorëve ka diçka arrogante.

Ka një sjellje arrogante,sepse nuk po respektohet kuadri kushtetues apo dhe i konventave evropiane të cilat e ndalojnë cënimin e disa të drejtave themelore siç është e drejta për strehim apo e drejta për të mos u diskriminuar.

Qeveria për të ulur koston e shpronësimeve për interes publik, preferon zgjidhjen e ashpër, zgjidhjen arbitrare. Pa folur që po reagon me vonesë, po informon me vonesë dhe e gjitha kjo tregon mungesë respekti për qytetarin.

Mirëpo opozita nuk duhet të ofrojë thjesht mbështetje, por dhe duhet të ofrojë zgjidhje. Pra para se të imagjinojë që qeveria do dorëzohet para presionit të banorëve, do të duhet t’i ofrojë banorëve zgjidhjen e saj ekskluzive.

Kjo është si të thuash pikëpyetja kryesore.

Zgjidhja ligjore

Nga bashkëbisedimi me kolegë të ndryshëm, juristë, gazetarë, ka dy opinione dominante. Një është ai i zotit Basha që zgjidhja ekziston brenda kuadrit legal ekzistues. Mirëpo nëse zgjidhja do të ishte kaq e qartë, pra që në favor edhe të banorëve që nuk janë përfshirë në procesin e legalizimit ka kompensim me vlerën e tregut, qeveria do ta kishte të vështirë që t’i shmangej kësaj zgjidhje ligjore dhe kushtetuese.

Por ka një grup tjetër, që thonë se duhet një zgjidhje e re. Dhe këtu ka dy variante, një ligj i veçantë që bëhet vetëm për banorët e Astirit- dhe kjo do të ishte absurde dhe paradoksale, sepse në fund të fundit ligjet kanë karakter të përgjithshëm.

Apo një ligj që në përgjithësi zgjidh situatën e atyre banorëve, të cilët kanë ndërtuar pa leje banesat apo bizneset e tyre në mënyrë të paligjshme, në pronë publike apo në pronë private dhe nuk përfshihen në proces legalizimi. Pra nuk meritojnë kompensim.

Zgjidhja më e mirë do të ishte një ligj me karakter të përgjithshëm që rregullon situata të cilat janë dhe duhet të paraqiten jo thjesht në Astir, por kudo ku shteti zgjeron rrugë apo i ndërton ato, apo dhe vepra të tjera publike.

Unë preferoj variantin e fundit, nëpërmjet të cilës Shqipëria t’i japë vetes një zgjidhje përfundimtare për probleme të tilla.

Kësisoj shqiptarët le të protestojnë për shumë arsye të tjera, por jo për një arsye si kjo. Është një problem i madh, një gangrenë e madhe që kanë krijuar më së shumti paraardhësit e zotit Basha- duke lejuar ndërtime abuzive, edhe të krahut të majtë, por që duhet të marrë fund.

Paradoksi i diskriminimit.

Brenda banorëve fqinjë me njeri tjetrin, disa prej tyre që janë në proces legalizimi do marrin dëmshpërblim, disa prej tyre që janë ngjitur dhe janë pjesë e gjurmës se rrugës nuk do të marrin atë. Ky është një diskriminim, një shkelje e Konventës Europiane. Kjo padrejtësi duhet riparuar.

Këta banorë kanë ndërtuar ose në pronë private, ose në tokë shtetërore. Shteti dëmshpërblen privatin që ka tokën e ligjshme dhe i jep dëmshpërblim për herë të dytë atij që ja ka zaptuar pronarit të ligjshëm.

Komshiu, i cili ka ndërtuar ngjitur me të, por fatalisht në një zonë ku kalon gjurma e zgjerimit të rrugës nuk dëmshpërblehet.

Ky individ ka investuar mbi 20 vjet (kjo ngjan situata më e shpeshtë në Astir), në tulla në llaç, ka ngritur një shtëpi ose biznes, ku trualli nuk i përket. Pjesa tjetër është një investim i tij, ndaj ai pret që shteti t’i japë dëmshpërblim dhe të mos ta diskriminojë në raport me komshiun, që arriti të legalizohet.

Shteti duhet të adoptojë një zgjidhje që mban parasysh secilin prej këtyre kategorive. Së pari, ish-pronarin e ligjshëm.

Duhet një zgjidhje që të kënaqë të gjitha palët. Jo si zgjidhja e sotme, që privilegjon dikë që ka zaptuar pronën e privatit, duke e dëmshpërblyer, ndërkohë që nuk dëmshpërblehet dikush që ka zaptuar pronën shtetërore.

Shteti tregohet diskriminues, pasi e privilegjon veten duke dëmshpërblyer vetëm ata që kanë zaptuar pronën private.

Shteti do duhet që në emër të respektimit të konventës europiane antidiskriminim të caktojë dëmshpërblim jo për truallin ku është ndërtuar, por për muret për investimin që është bërë mbi atë pronë të paligjshme.

Pra duhet që të dëmshpërblejë, edhe ish-pronarin, dhe atë që është përfshirë nga legalizimi, dhe atë që nuk përfshihet në ligjin për legalizimin.

Kjo duhet bërë me një ligj të veçantë, dhe opozita krahas mbështetjes që u jep atyre banorëve do duhet që të çojë këtë ligj në Parlament.

Kjo është zgjidhja e cila garanton protestuesit e Astirit të kthehen të qetë në shtëpi.

Kësisoj me gjasë ata do të shkojnë të votojnë dhe më shumë se herët e tjera për partinë demokratike, por ama protesta si këto të mos ketë më në zona të tjera të Shqipërisë.