MENU
klinika

Shqipëria tradicionale

Oda e miqve, tregues i statusit të familjes!

04.11.2018 - 17:26

Në shoqërinë tradicionale shqiptare, madje deri në mbarim të luftës së dytë botërore, hierarkia e banesave, me tërësinë e elementëve të tyre, arkitektonike dhe të mobilimit, shprehte në një masë të konsiderueshme hierarkinë shoqërore.

Banesat përdhese, me më pak thina, e ndërtuar prej materialesh më pak të qëndrueshme në kohë, me fare pak ornamente dekorative, e mobiluar në mënyrë modeste, dëshmonte simbolikisht se pronari i saj i përkiste shtresave të varfra të popullsisë.

Më të pasurit, bejlerët, agallarët, tregtarët, bajraktarët etj, identifikoheshin në rrafsh të hierarkisë shoqërore edhe nga banesat.

Përgjithësisht këta kishin banesa 2-3 katëshe, të ndërtuara kryesisht me tulla të pjekura ose me gurë, me më shumë kthina dhe më të gjera e më të ndriçuara, me dritare me xham dhe me ornamente gurësh të gdhendur me figura të ndryshme sidomos në qoshet e jashtme të muraturës në harqet prej guri të dritareve dhe të dyerve të jashtme.

Në mjediset e banesës ishte shtëpia ose oda e miqve që dëshmonte simbolikisht në mënyrën më të sintetizuar fuqinë ekonomike të familjes.

Sa më të gjera dhe më të mirëmobiluara të ishin mjediset e pritjes dhe të nderimit të miqve, aq më autoritare ishte familja, në krahinë ose në qytet, aq më shumë kjo familje investonte kapitale financiare dhe shoqërore për të përballuar sfidat e kohës që shqetësonin banorët e një bashkësie të gjerë.

Përmasat e mjediseve të destinuara për miqtë dhe rrezatimet simbolike shoqërore të tyre mund të kualifikohen në këto nivele kryesore:

1. Oda e miqve me sip 20m katror. Përgjithëisht këto oda ishin pak më të mëdha, pak më të larta dhe më të mirëmobiluara se mjediset e tjera të banesës.

Mjedise mikëpritje me këto përmasa simbolikisht tregonin se familje të tilla kishin mundësi të prisnin dhe të nderonin të afërm dhe miq, me të cilët kishin lidhje shpirtërore dhe që ishin të predispozuar të angazhoheshin pa rezerva në zgjidhjen e problemeve të ndryshme të familjes mikëpritëse.

Zakonisht familje të tilla prisnin miq brenda rrezes relativisht të kufizuar të të afërmve, të krushqve dhe fqinjve.

2. Oda e miqve me sip 24-40m katror dëshmonte simbolikisht në shumicën e rasteve se familja që e posedonte atë kishte autoritet moral e shoqëror të konsoliduar në fis dhe në fshat.

Në odën e miqve me këto përmasa diskutoheshin çështje që kishin të bënin drejpërdrejt, jo vetëm me familjen mikëpritëse, por edhe me individë ose familje të tjera te fisit ose te fshatit.

Në oda të tilla nderoheshin si miqtë intimë ashtu edhe miqtë me status “zyrtar”, domethënë persona jashtë sistemit të lidhjeve fisnore, miqësore dhe fqinjësore, por të angazhuar për diskutimin dhe zgjidhjen e problemeve të ndryshme jashtë bashkësisë.

3. Oda e miqve me sip deri ne 80m katror simbolikisht tregonte se familja që e posedonte atë kishte status të ngritur në krahinë ose më gjerë. Mjedise të tilla shërbenin për të organizuar kuvende me nivel krahinor ku merreshin vendime me rëndësi të madhe.

Përgjithësisht oda e miqve ishte më e mirëmobiluar se të gjitha mjediset e tjera të banesës. Orenditë e odës së mikëpritjes ishin më cilësore.

Ato jo vetëm u krijonin më shumë komoditet miqve, por edhe ishin më të zbukuruara me elemente artistike për këto arsye shpesh oda e miqve emërtohej “oda e madhe” ose “oda e mirë”.

Pjesëmarrja në bisedat që zhvilloheshin në odën e miqve qoftë edhe si dëgjues, sidomos për të rinjtë, ishte një shkollë e vërtetë shoqërizimi.

 

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!