Bojkoti i opozitës vazhdon dhe ndërkohë që në Kuvend maxhoranca po diskuton projekt buxhetin e vitit 2019, opozita po zhvillon paralelisht një tryezë për buxhetin 2019 me përfaqësues të biznesit, ekspertë, gazetarë e grupe interesi.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD, Lulzim Basha tha se rritja e borxhit dhe koncesionet kanë sjellë një faturë të tmerrshme për ekonominë dhe se buxheti i vitit 2019 është buxhet i pasurimit të oligarkëve dhe i vjedhjes.
“Opozita do bëjë publike buxhetin që vjedh dhe zhvat taksat e shqiptarëve. Dhënia e koncesioneve 10 oligarkëve. Rritja e borxhit dhe koncesionet kanë sjellë një faturë të tmerrshme për sektrorët e ekonomisë. Shqipëria ka nevojë për një buxhet realist që të ndalë largimin masiv të shqiptarëve, pasi 1 në 6 shqiptarë po largohet nga vendi. Buxheti 2019 është buxheti i vjedhjes dhe pasurimit të oligarve”- tha Basha.
Ndërkohë deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se me këtë buxhet, prioritet i kësaj qeverise duket se është pastrimi i parave dhe koncesionet për oligarkët.
“Ku kanë shkuar të gjithë taksat e rritura të Ramës? Nuk ka shkuar as në bujqësi as në shëndetësi, por për pasurimin e oligarkëve. Kemi bërë mbi 100 amendamente. Sot Kuvendi thotë se opozita nuk bën propozime. Me këtë buxhet që ka harruar duket sikur është buxheti i fundit i Rilindjes. Unaza e Tiranës me 40 mln euro për 2 kilometra. Prioritet është pastrimi i parave dhe koncesionet për oligarkët”- tha Tabaku.