Gjykata e Tiranës ka nisur seancën për caktimin e masës së sigurisë për 11 protestuesit e arrestuar pas protestës së të enjtes në parlament.
Deputetët e opozitës kanë debatuar me policinë pasi kanë tentuar të hyjnë në Gjykatë dhe fillimisht nuk janë lejuar. Por më pas ata kanë hyrë në seancën për masën e sigurisë.
Bëhet fjalë për deputetët e opozitës Aldo Bumçi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Klajda Gjosha, Kejdi Mehmetaj, Endrit Braimllari dhe Silva Caka.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 6 nga 11 të arrestuarit: Fluturim Goleci, Amarildo Sinanaj, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Ruzhdi Daci si dhe për Shpati Bilbilajn. Ndërsa për 5 të tjerë prokuroria ka kërkuar detyrim paraqitje.
Personat e mësipërm akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, por edhe për prishjen e qetësisë publike e kryer në bashkëpunim.
Nga përleshja e të enjtes së kaluar para godinës së Parlamentit mbetën të lënduar 15 efektivë të policisë, mes tyre edhe efektivja 26-vjeçare, Ina Nuka, e cila humbi dy gishtat e dorës së djathtë pas shpërthimit të kapsollave të hedhur nga protestuesit.
Ndërkohë jashtë Gjykatës familjarët e personave të arrestuar, banorë të Unazës së Re kërkojnë lirimin e tyre duke akuzuar kryeministrin.