MENU

Letërsia shqiptare

Panairi 2018, arritje e problematika

19.11.2018 - 12:27

Nga Eugent Kllapi/

Sot mbyllet një festë e madhe me kuptim të gjithanshëm për një shoqëri të emancipuar, festa e Edicionit të 21 të Panairit të librit në Tiranë 2018.

Gjithë ky vrull njerëzish që hyrën e dolën në panairin e librit solli disa problematika dhe disa ndikime pozitive në shoqëri.

Në këtë event u bënë mbi 50 aktivitete si dhe u ndanë çmime për librat më të mirë. Një nga aktivitetet më të  rëndësishme ishte promovimi i librit të fundit të Ismail Kadaresë ”Kur sunduesit grinden”. Një nismë pozitive shumë e madhe është se autorë të librave vijnë në panair të bashkëveprojnë me lexuesit. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për lexuesit. Në të mund të dallohen, Artan Fuga, Besnik Mustafaraj, Flutra Açka, Mira Meksi etj.

Në eventin më të rëndësishëm të ndarjes së çmimeve sivjet juria e përbërë nga 5  annëtarët, Leli Sula, Ledja Dushi, Arta Marku, Agim Baçi, Rudiere Bara përzgjodhën 130 vepra ku çmimin e karrierës e mori Kim Mehmeti me motivacionin për krijimtarinë origjinale.

Për krijimtarinë më të mirë iu dha Brajan Sukajt me Romanin ”Ciklopi”. Çmimi për romanin më të mirë iu dha Donika Omarit me romanin ‘’Nga ana e princessës së vdekur’’, për përkthimin iu dha Ilia Lëngut për shqipërimin e mirë të ”Të drejtës së Albert Kamysë.

2 çmime inkurajuese iu dhanë autores Iva Nikolli për romanin ‘’Vetëm për ty’’, dhe Eugerta Grypit me romanin ‘’Gjithçka rreth asgjësë’’ për përshkrimin e realitetet njerëzor në origjinalitet.

Grypi më shumë se mori çmimin ishte e vetmja që kritikoi gjendjen e librin të sotëm në Shqipëri. Sipas saj ‘’Kjo thirrje shkon për të gjitha institucionet e sidomos për ‘ministrinë e shkatërrimit të Kulturës shqiptare’ të përfaqësuar nga Mirela Kumbaro që i ka dhënë fund Biblotekës Kombëtare përpara disa muajsh janë shkatërruar 12 mijë libra dhe sot asnjëri nuk mban njeri përgjegjësi. Jemi i vetmi shtet në botë i cili nuk ka Biblotekë Kombëtare prej tre vitesh dhe të gjithë studentët lenë kartën e identitetit për  të marrë një libër dhe ky është një turp i Zotit’’.

Dhe në të vërtetë saga në Bibliotekë Kombëtare ka pak kohë që ka filluar, dhe problemet nuk kanë të sosur aty.

Çmimin special e mori Zef Skiro de Magio për poemën arbëreshe. Ai theksoi se ky çmim për të ishte një mrekulli. Megjithatë nuk duhet të lavdërojmë gjithçka në çdo gjë, fundja duhet të gjejmë ato gabime që mundemi për t’i përmirësuar.

Pozitivitet dhe problematika

Pikë së pari është e rëndësishme që plus eventeve të thuhet se identifikohet dhe përballet botuesi me lexuesin, autori me lexuesin. Të dyja anët marrin dhe japin, nxjerrin përfundime, dallojnë ndryshime dhe sjellin diçka të re për kulturën shqiptare.

Në këtë vrull njerëzish që janë të interesuar për shijet e tyre dallohet edhe mënyra si orientohen të dyja palët për autorët, të huaj apo të vendit, klasikë apo modernë.

Në përgjithësi ka një gamë të gjerë të librave të llojeve të ndryshme, gjinive të ndryshme dhe të shijeve nga më të ndryshmet. Ka një kategorizim të gjinive të librave dhe kjo lë shije për mirë. Ka një larmi të stendave për libra për fëmijë, dhe kjo është më kryesorja e panairit.

Ka autorë të mirë shqiptarë në shumë stenda me gjini kryesisht historike, kulturologji si dhe të llojit thriller, Aventurier etj.

Po të jesh i kujdesshëm dhe të qëndrosh në hyrje të Pallatit të Kongreseve, vëren se fluksi i madh i vizitorëve që nuk kanë blerë libra është më i madh se fluksi i atyre që blejnë libra. Pra ky event kombëtar shikohet më shumë si një formë gëzimi i përgjithshëm për të parakaluar nëpër stenda, dhe për të gjetur libra të arsyeshëm, sesa për të blerë.

Shumë të rinj nuk dalin me duar të zëna me qese dhe kjo të bën përshtypje. Rinia e shikon më shumë si formë argëtimi.

Në qoftë se gjithashtu shikojmë sasinë e librave që shiten, me sasitë e librave që ngelen stoqe në shtëpitë botuese do të shohim se sasia e stoqeve është shumë herë më i madh se ato që shiten.

Një problem madhor është për politikat që ndjek shteti për stimuluar shtëpitë botuese, por gjithashtu për ndërhyrjen e stabilizimit të librit. Libri prej shumë kohësh ka kaluar në krizën e tij. Institucionalisht duhet të japin më shumë forma që botuesi të çlirohet nga barra të ndryshme, por më e rëndësishme është që kjo barrë të shkojë në uljen e çmimit të klientëve, jo fitimit të disa shtëpive botuese.

Shtëpitë botuese pothuajse janë pozicionuar në vende siç kanë qenë vjet. Në kat të parë kanë qenë shtëpi botuese të njohura si Dudaj, Pegi, Dituria, Uegen, etj kurse në katin e dytë të shumtën e librave e zënë ata të shtëpive botuese me gamë librash të specializuar për fe, mjekësi etj.

Gjë e parë që vërehet nga njerëzit është se çmimet janë të larta. Ato variojnë nga 5 mijë lekë në 40 mijë lekë të vjetra në varësi të autorit, librit, kategorizimit të tij në gjini, në sasi si dhe në mënyrën e marketingut. Ky është një nga shqetësimet bazë për lexuesin që, sa e do librin, e shikon me admirim por nuk i blen dot ato që ai do.

Në qoftë se shikojmë në kohën e komunizmit një libër ka kushtuar nga 4 lekë të vjetra në 12 lekë të vjetra, më pas libri shtohet në lekë dhe maksimumi libri i specializuar shkon në 100 lekë të vjetra kur rroga e një punëtori të thjeshtë ishte 5 mijë lekë të vjetra në muaj.

Pra me një llogari të thjeshtë nallbançe, bruto punëtori merrte 1 libër e gjysmë të specializuar, në kohën tonë i bie një libër të themi 50 mijë lekësh. Sot një punëtor i mesëm që merr 15 mijë lekë të vjetra nuk e merr dot një libër 50 mijë lekësh. Kurse punëtori i dikurshëm, apo nënpunësi blinte 4 libra të thjeshtë, letrarë apo historikë në kohën e tij, sot ai me lekët e ditës i bie të marrë vetëm një libër. Kostoja për të blerë një libër po shtohet, po vështirësohet.

Nga ana tjetër, megjithëse shumëfishohen librat dhe autorët çmimet qëndrojnë të larta,  kjo situatë në gjuhën ekonomike do të thotë monopol.

Megjithatë, nuk mungojnë libra të lirë të çmimeve të ndryshme, nga 5 mijë lekë në 7 mijë lekë të vjetra, aty lexuesit mundohen të blejnë më shumë. Ato duhet t’i gjurmosh në tre katër stenda.

Librat kanë korrektim dhe redaktim të keq. Në shumësi stendash botuese ka një difekt të madh të korrektimit letrar të tyre. Kjo ndodh, si me gabime drejtshkrimore (që janë të arsyeshme për shumë arsye), dhe me gabime logjike. Ka dhe gabime konceptuale në disa lloj librash të natyrës psikologjike, historike. Mungojnë shumë librat enciklopedikë, një gamë e madhe e autorëve klasikë, si dhe e autorëve shqiptarë të kaluar ose të harruar.

Për librat nuk ka kritikë letrarë të mirëfilltë që të merren me studimin cilësor të përmbajtjes dhe të sasisë në Edicionin e 21 të Panairit. Të bëjë një studim thelbësor me forma të ndryshme shkencore për të ekspozuar një kritikë letrare profesionale dhe t’ia ekspozojë publikut.

Ka vetëm forma reklamimi opinionizmi të përgjithshëm dhe gjeneral të disa eksponetëve që kalojnë nga të vetshpallur gazetarë në analistë, më pas në studiues kulturore, përkthyes e deri në kritik letrar, gjë që lë shije të hidhur te publiku i specializuar të themi 10% që lexon dhe di të orientohet.

Vetshpallen kritikë letrarë nga asgjëja në panaire, vetshpallen analistë, specialistë të komunikimit, pa ditur shkencën e komunikimit, vetshpallen studiues nga mediat për librat, pa ditur si mund të studiohen këto forma komunikimi shkencërisht siç e do kritika letrare.

Nga ana tjetër, vetë mediat janë forma reklamimi të mundshme panairi. Kjo është gjë shumë e mirë, por gazetarët nuk analizojnë fenomenet por i shoqërojnë ato deri në pikën kur ato zhduken, i reklamojnë dhe padashur nga gazetarë kthehen në agjentë marketingu të shtëpive botuese. Vetëm pozicinojnë fakte të mirëekspozuara dhe nuk gërmojnë në fakte të pa ekspozuara që shumëkush i sheh. Gazetarët më shumë bëjnë qoka sesa kulturologji.

Librat me natyrë të eksponentëve politikë ekspozohen më shumë se ç’duhet nga mediat, ato janë forma reklamimi po nga ana tjetër mbysin mendimin e lirë, të padëgjuar apo mendimin e autorëve që duan të futen në këtë luftë leximit dhe reklamimi.

Shtëpitë botuese duhet të mendojnë më tepër sesa përqëndrimin kulturor dhe sidomos qendërsimit kulturor. Ky fenomen i shëmtuar ka kohë që po ndodh në shumë vite panairesh.

Lihen mënjanë kolosë të mendimit shqiptar të kohëve të kaluara që duhen të mos harrohen, sidomos nga brezi i ri, dhe promovohen parcialitete kulturore.

Ka një qendërsim të pushtetit kulturor, ku disa instanca, figura apo grupe mbizotërojnë tek e gjitha. Gjithmonë dalin në pah pas çdo viti pothuajse të njëjtët aktorë bashkëveprues dhe të njëjtët dhe të njëjtat problematika fshihen.

Librat e rinj janë shumë të pakët(pothuesje 3 në çdo stendë), në stenda afishohen të gjitha librat e vjetër, ribotimet. Gjithashtu listë librash si dhe një panoramë të të gjithë librash për lexuesit shumë shtëpi botuese nuk mund të t’i japin, po kjo orienton shumë lexuesin.

Sasia e stokut shtohet në përpjestim të zhdrejtë me sasinë e krijimit. Stoku krijon një presion të jashtzakonshëm për shtëpitë botuese. Nga ana tjetër kjo është gjë e mirë, çmimet duhet të uleshin.

Vetëm për kategori të gjera ose të përgjithshme librash ka ulje shumë të vogël prej një mijë ose dy mijë lekësh. Megjithatë mbizotërojnë çmimet e kripura për librat që janë fondamentalë, kjo si e letërsisë klasike dhe asaj moderne.

Më shumë njerëzit janë të interesuar për kategori të lehta(sensacionale) sesa për librat klasikë apo të lëmit teknik, profesional, historik, psikologjik. Daniel Steel kryeson.

Dhe mbi të gjitha libri është i kripur, i shtrenjtë për familjet, për të rinjtë.

Mos u ankoni në qoftë se rinia nuk do të lexojë!