MENU
klinika

Shteti të japë incentiva

Paratë e bixhozit të investohen në tregun financiar

10.11.2018 - 14:21

Mbyllja e lojrave të fatit vitin e ardhshëm është padyshim një zhvillim i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Ky biznes qarkullonte qindra miliona euro dhe thithte sasi të mëdha kapitali. Mbyllja e kësaj “grope” që thithte miliarda mund të jetë një mundësi për të promovuar zhvillimin e tregut financiar.

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, shprehet se lojërat e fatit u bënë masivizimi i një modeli negativ moral, social dhe ekonomik. Sipas tij, individët duhet të çrrënjosin besimin se mund të pasurohen pa punë dhe mund. Shqiptarët duhet të edukohen me kursimin dhe me gjetjen e alternativave racionale për të investuar paratë e tyre.

Shumë prej parave që hidheshin në bixhoz mund të garantojnë kthime të sigurta, nëse investohen në institucione financiare, si fonde investimesh apo pensionesh private.Sipas tij, shqiptarët duhet të heqin dorë nga mentaliteti se mund të pasurohen shpejt dhe pa mund.

“Bixhozi nuk është gjë tjetër, veçse pjesë e këtyre skemave. Nuk ndodh që bëhesh i pasur duke luajtur, rastet janë shumë të rralla. Nuk mund të jetohet me një shpresë të tillë jo realiste,” shton ai.

Ai vë në dukje se individët dhe familjet kanë nevojë të kursejnë. Edhe pak para të shpenzuara mund të kursehen dhe në fund të vitit mund të arrihet një shumë e tillë që të investohet në alternativat që ofron sot ekonomia dhe të sigurojë fitime në të ardhmen. Sipas tij, më të thjeshtat dhe më të pranueshmet për të gjithë janë fondet e investimit apo fondet private të pensioneve.

Drejtori i Bursës së Titujve ALSE, Artan Gjergji, thotë se ajo kategori e lojtarëve, të cilët disponojnë shuma të mëdha parash dhe kërkojnë alternativa për të siguruar fitime prej tyre, mund të jenë një kontigjent investitorësh potencialë në tregun financiar. Zoti Gjergji mendon se investitorët mund të tërhqien në tregun financiar përmes incentivave fiskale. Një ide mund të jetë ulja ose zerimi i tatimit për të ardhurat nga investimet financiare.

“Me pak kursime, sado modeste, çdo qytetar mund të bëhet pjesë e një skeme pensionesh private, që në të ardhmen do ta shpërblejë me një të ardhur shtesë mbi pensionin që do të marrë nga sigurimet shoqërore. Çdo qytetar mund të bëhet gjithashtu pjesë e një fondi të investimeve. Investimi i parasë në alternativa të besueshme jo vetëm të ruan nga rreziku i inflacionit, por edhe të sjellë edhe një shtesë të caktuar, në varësi të instrumentit financiar ku secili zgjedh të investojë. Nëse individët do orientoheshin drejt produkteve financiare, kjo do të sillte një ndikim shumë pozitiv edhe në zhvillimin e vetë tregut financiar,” thotë z.Gjergji.

Me qëllim nxitjen e investimeve të indiviëve në tregun financiar, z.Gjergji sugjeron që qeveria të përdorë incentiva fiskale. Në mjaft vende, përfshi ato të rajonit, tatimi mbi fitimin nga investimi është zero dhe, sipas tij, kjo është forma më e mirë sesi ti mund t’i joshësh qytetarët që me kursimet e tyre të investojnë në tregjet financiare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN