MENU
klinika

Deklaratat e Annegret Kramp-Karrenbauer

“Pasardhësja” e Merkelit: Epoka e saj ka mbaruar

07.11.2018 - 16:41

Kandidatja e favorizuar për të pasuar Angela Merkel drejtuese e Unionit Kristian Demokratik të Gjermanisë ka deklaruar se epoka e Merkel  ka mbaruar me të vërtetë.

“Një epokë ka mbaruar, dhe tani duhet të fillojmë një kapitull të ri , me forca të reja dhe stil të ri”, tha Annegret Kramp-Karrenbauer para gazetarëve, duke filluar kështu fushatën për të qenë udhëheqëse e CDU.

Ndërsa theksoi nevojën për një fillim të ri, zonja Kramp-Karrenbauer, e cila aktualisht është sekretare e përgjithshme e CDU-së, gjithashtu premtoi se do të ketë një lloj vazhdimësie të së kaluarës.

Merkel javën e kaluar tronditi Gjermaninë duke njoftuar se ajo nuk do të kandidojë më për të qenë në krye të CDU-së, pas rezultateve aspak të mira në zgjedhjet në shtetin e Hesse.

Kramp-Karrenbauer,  shihet si kandidatja që do të vazhdojë politikat e Merkelit, në një kohë kur pjesa më e madhe e CDU-së  janë të etur për ndryshim. Performanca e zonjës Kramp-Karrenbauer të mërkurën pasqyroi dilemën me të cilën ajo përballet: të jetë besnike ndaj kancelares  Merkel, apo të zgjedhë rrugën e kundërt.

Rivalët e saj më të fortë janë Friedrich Merz, i cili dikur ishte drejtues i Bundestagut të CDU dhe ministri i shëndetësisë Jens Spahn. Të dy janë konservatorë të mbështetur fuqimisht në CDU.

Spahn ishte një nga kritikët e Merkelit pas vendimit të saj për të hapur “portat” e Gjermanisë në vitet 2015-2016, kur më shumë se 1 milion migrantë arritën në Gjermani.

Ndërsa Merz u tërhoq nga politika në 2009. Që atëherë ai ka qenë aktiv në biznes dhe është kryetar i BlackRock Germany.

Në dallim nga dy kandidatët meshkuj, Kramp-Karrenbauer shihet si besnike ndaj Merkelit, dhe pikëpamjeve të saj liberale.

Peter Altmaier, Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, tha “Shumica dërrmuese e gjermanëve nuk duan një ndryshim thelbësor”. Altmaier tha se për shembull nuk kishte nevojë për një ndryshim të politikës mbi imigracionin.

Kramp-Karrenbauer e përsëriti këtë pikë të mërkurën. “Ajo që ndodhi në vitin 2015 është një realitet dhe një fakt dhe nuk mund të fshihet “, tha ajo, duke shtuar se njerëzit kërkonin përgjigje për problemet konkrete.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate

‘Tragjedia’ e Angela Merkel

Do të japë dorëheqjen

Fundi i epokës “Merkel” erdhi

"Gjermania, qendra e Bashkimit Europian"

Evropa në duart e pasardhësve të Merkelit…