Këngëtarja e njohur shqiptare Elvana Gjata nuk është më në kërkim policor.
Kjo, pasi ka përfunduar afati prej 30 ditësh ku Elvana Gjata ishte në kërkim në lidhje me vrasjen në ish-Bllok, ngjarje në të cilën mbeti i vrarë 28-vjeçari Fabian Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.
Krimi ndodhi më 4 tetor të këtij viti. Njoftimi për Gjatën është dërguar në të gjitha pikat kufitare dhe nëse këngëtarja paraqitet aty, ajo do të shoqërohet për t’u marrë në pyetje.
Ajo u shpall në kërkim më 9 tetor, ndërsa Prokuroria urdhëroi shoqërimin e detyrueshëm të këngëtares, e cila ishte në lokalin ku ndodhi ngjarja vetëm 20 minuta para krimit.
Shpallja në kërkim policor e detyronte Gjatën që të paraqitej për të dhënë shpjegime brenda 30 ditëve, pasi duhej të jepte deklarimet e saj për ngjarjen. Por kjo gjë nuk ka ndodhur.
E cilësuar si ‘mollë sherri’ për vrasjen në Bllok, ngjarje në të cilin u përfshi dhe i dashuri i saj, Ervin Mata, këngëtarja e njohur shqiptare u largua nga Shqipëria më 5 tetor, vetëm pak orë pas ngjarjes.
Këngëtarja ishte larguar nga Rinasi drejt një vendi të BE, ndërkohë që nuk dihet vendndodhja e saj.
Kujtojmë se Mata aktualisht është në kërkim policor, bashkë me Meviol Bilon, kushëri i këngëtares. Meviol Bilon akuzohet se qëlloi ndaj viktimës duke e lënë të vdekur.