MENU
klinika

Nga Project Syndicate

Pse Kina ka ndryshuar sjellje me ‘fqinjët’?

19.11.2018 - 15:51

Duke u përballur me rritjen e konkurrencës gjeopolitike nga SHBA, Kina po përpiqet të fitojë miq në Azinë Lindore. Por, fqinjët e Kinës nuk duket se po mashtrohen nga “bisedat e ëmbla” apo marrëveshjet tregtare.

Muajt e fundit Kina ka surprizuar me ofensivën e saj në Azinë Lindore. Po çfarë ka ndryshuar? Sjellja e Kinës ka ndryshuar mjaftueshëm.

Në vitin 2013, Kina deklaroi një zonë të identifikuar të mbrojtjes ajrore që mbulonte ishujt e diskutueshëm Senkaku/ Diaoyu të Detit të Kinës Lindore, një veprim që përkeqësoi marrëdhëniet me Japoninë. Një vit më vonë, Kina filloi të ndërtojë ishuj të mëdhenj artificialë në zonat e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore. Në vitin 2016, Kina vendosi sanksione ndaj Koresë së Jugut në përgjigje të vendimit për të lejuar Shtetet e Bashkuara të vendosnin një sistem mbrojtës kundër raketave atje.

Tani, megjithatë, një ngacmim i tillë gjeostrategjik nuk i shërben aspak diplomacisë. Muajin e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping përshëndeti kryeministrin japonez Shinzo Abe në Pekin. Vizita e Abe në Kinë ishte e para vizitë e një udhëheqësi japonez në shtatë vjet dhe vizita e planifikuar e Xi në Japoni vitin e ardhshëm do të jetë vizita e parë e një presidenti kinez në më shumë se një dekadë.

Javën e kaluar, Kryeministri kinez Li Keqiang shkoi në Singapor, ku nënshkroi një version të përmirësuar të marrëveshjes së tregtisë së lirë Kinë-Singapor. Ai gjithashtu shpreson të nënshkruajë dhe të zbatojë Partneritetin Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, të cilin Kina e filloi disa vite më parë për të luftuar partneritetin Trans-Paqësor.

Qasja e re, më pak antagoniste e Kinës nuk pasqyron një ndryshim të objektivave nga ana e udhëheqësve të saj, por një ndryshim në peisazhin gjeopolitik rajon. Duke u përballur me rritjen e konkurrencës gjeopolitike të SHBA, Kina po përpiqet të fitojë miq në rajon.

Ofensiva e Kinës duket qartë. Dhe ajo do të shfrytëzojë padyshim tregtinë. Si partneri më i madh tregtar i vendeve të shumta aziatike, Kina do të ofrojë kushte tërheqëse tregtare për fqinjët e saj, ashtu siç ka bërë me Singaporin.

Taktikat e reja të Kinës përfshijnë gjithashtu angazhimin më të fokusuar tek lojtarët kryesorë rajonalë, si Koreja e Jugut, Indonezia dhe Vietnami. Për shembull, Xi Jinping pritet të vizitojë Filipinet në 20-21 nëntor.

Përmes samiteve, Kina do të përpiqet të ketë marrëdhënie miqësore me fqinjët e saj. Për këtë arsye, Kina po mundohet të shmangë retorikën nacionaliste dhe të mos ofendojë fqinjët e saj.

Vendet e Azisë Lindore deri më tani kanë reaguar pozitivisht ndaj diplomacisë së re të Kinës. Por as “bisedat e ëmbla”, as marrëveshjet e tregtisë nuk do të sigurojnë aleatë të besueshëm për Kinën, veçanërisht në një garë kundër SHBA-së.

Shumë pak vendw në Azinë Lindore duan të jetojnë në hijen e një vendi hegjemonik. Për të qenë të sigurt, shumica e vendeve të Azisë Lindore preferojnë të mos zgjedhin të mbajnë anën e ndonjë pale në konflikt.

Por nëse SHBA dhe Kina do të kishin konflikte të drejtpërdrejta, SHBA do të fitonte më shumë mbështetje, veçanërisht nga aleatët si Japonia, Korea e Jugut dhe Vietnami. Edhe Malajzia dhe Singapori ndoshta do të mbështesin SHBA-në.

 

Nëse Kina dëshiron të bëjë miq të besueshëm në “lagjen” e saj, ajo do të duhet të bëjë lëshime të mëdha për çështjet e sigurisë dhe mosmarrëveshjet territoriale.

Për shembull, një zgjidhje për çështjen e ishujve Senkaku/ Diaoyu do ta bindnin Japoninë se Kina nuk përbën një kërcënim serioz.

Siç duket, Xi Jinping nuk do të bëjë lëshime të tilla. Kur është fjala për ndërtimin e miqësive që mund të përballojnë konfliktin strategjik me SHBA, me shumë gjasa ato nuk do të jenë të mjaftueshme…

Minxin Pei është një profesor në kolegjin Claremont McKenna dhe autori i “China’s Crony Capitalism”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e Guvernatorit të Bankës Qendrore

“Kina po përgatitet për më të keqen”