MENU

Një takim liderash së shpejti

Pse Rusia po kërkon të afrohet me Afganistanin?

02.11.2018 - 18:43

Rusia ka ftuar në heshtje një grup politikanësh afganë për bisedime lidhur me talibanët në Moskë, duke anashkaluar qeverinë e Presidentit Ashraf Ghani, një veprim që ka zemëruar zyrtarët në Kabul.

Ftesat u konfirmuan nga gjashtë nga tetë udhëheqësit gjithsej, të cilët përfshijnë ish-presidentin afgan Hamid Karzai, ndihmësit e tij dhe nga politikanë të tjerë.

Rusia në gusht propozoi mbajtjen e bisedimeve shumëpalëshe për paqen në Moskë dhe ftoi 12 vende dhe Talibanin të marrin pjesë në një samit muajin e ardhshëm. Por takimi u shty pasi Ghani refuzoi ftesën.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu nuk kishin pranuar të merrnin pjesë. Ambasada e SHBA në Kabul nuk pranoi të komentojë më tej.

“Ne kërkuam që Rusia ta anulojë samitin sepse bisedimet me talebanët do të komplikojnë më tej procesin e paqes”, tha një zyrtar i lartë afgan që po zhvillon diskutime me Rusinë.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova tha të enjten se shpresonte të ishte në gjendje të tregonte detajet e konferencës në ditët e ardhshme. Zakharova u tha gazetarëve në një konferencë se lista e pjesëmarrësve po finalizohej, por Rusia donte të ishte absolutisht e sigurtë përpara se të bënte lajmërim në publik.

Marrëdhëniet diplomatike midis talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara u përmirësuan në tetor, pasi i dërguari i posaçëm i SHBA për paqen në Afganistan Zalmay Khalilzad u takua me krerët talebanë në Katar.

Karzai, i cili udhëhoqi vendin për 13 vjet pas përmbysjes së talebanëve në vitin 2001, është ndër ata që planifikojnë të shkojnë në Moskë.

“Karzai do të shkojënnë Moskë, sepse asnjë mundësi për bisedimet e paqes me talebanët nuk duhet të injorohet”, tha Mohammad Yusof Saha, një zëdhënës i ish-presidentit.

Talebanët në Afganistan thanë se do të dërgonin një delegacion në Moskë, pasi do t’u jepte atyre mundësinë për të komunikuar me vendet fqinje, duke përfshirë Kinën, Iranin, Pakistanin, Taxhikistanin, Uzbekistanin dhe Turkmenistanin, të cilët kanë thënë se do të dërgojnë përfaqësues.

“Rusia po përpiqet qartazi të kufizojë rolin e SHBA-ve në Afganistan”, tha një diplomat perëndimor në kryeqytetin afgan.

Bisedimet e Moskës nënvizojnë rolin gjithnjë e më aktiv që Rusia po luan në Afganistan, me planet e investimeve në biznes dhe mbështetjen ushtarake për qeverinë. Këto përpjekje vijnë në një kohë kur qeveria afgane po lufton për të rimarrë kontrollin e rretheve të humbura ndaj kryengritësve talebanë. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një bazë ushtarake në Afganistan

Terrorizmi/ Kina ‘i jep një dorë’ Afganistanit