MENU
klinika

Opinion

Punë e mençur sjellja e eshtrave të Mid’hat Frashërit

22.11.2018 - 10:35

Nga Petrit F.Zeneli

Sjellja e eshtrave të Mit’hat Frashërit në Atdhe?! Po, është një punë shumë e mençur, një akt i lartë civilizues, që i bën nder jo thjeshtë atij, por gjithë historisë së kombit shqiptar! Nuk ka humbës e fitues në këtë mes, nuk ka shtrembërim të historisë, nuk ka mohim të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare!

Jo! Ka më në fund një shenjë qytetërimi për shqiptarët, një shenjë pajtimi të madh kombëtar, një kthjellim të shumë mendjeve që, fatkeqësisht, e konsiderojnë historinë si sallë kinemaje ku shfaqet i njëjti film, ndërsa tek biletarija shkruhet: – s’ka më vende, biletat u shitën!

Nuk është historia as “ik o Prift të ulet Hoxha”, as çohu o Hoxhë të ulet Prifti”, por memoria e gjithë breznive të shoqërisë njerëzore pa dallime, është amfiteatri gjigand ku luajnë e aktrojnë të gjithë, është kështjella ku secili vendos nga një tullë.

Dhe Mit’hat Bej Frashëri, ky mendimtar dhe personalitet i shquar i letrave shqipe, ky pasardhës i tokës dhe gjakut të frashërllinjëve të mëdhenj përmetarë, nuk vendosi tullë por bllok mermeri në kështjellën e historisë sonë, nuk luajti figurantin por ndër rolet kryesore në historinë e shekullit të fundit; si i tillë, ka hyrë vet në historinë shqiptare, duam s’duam ne, pa çuar apo zënë vendin e askujt, legjitim në tokën e tij!

Ndalni për një çast dhe pyesni veten: – çfarë dobie i ka sjellë deri tani vendit lufta e gjatë dhe e egër me partizanë e ballistë, aq sa dhe fëmijët e vegjël, për 50 vjet rresht, përveç lojës me top lecke, të ndarë në dy grupe luanin dhe lojën “partizanët e ballistët”.

Asnjë dobi! Asnjë dobi! Përveçse përçarje, urrejtje, burgosje e internime të njeri-tjetrit! Po cili është fundi?! Përsëri sot, pas afro 30 vjet demokraci, i njëjti avaz, i njëjti refren, e njëjta grindje! Dhe bota tallet me ne për këtë debat kalamajsh e grotesk, ndërkohë që ajo e ka bërë punën e vet qysh në kryet të herës, duke e njohur kontributin e popullit tonë gjatë Luftës së Dytë botërore dhe rreshtimin dinjitoz përkrah bllokut të Madh Antifashist!

E kemi falur njëmijë herë gjermanin, italianin dhe çdo pushtues tjetër, bile i duam më shumë sot (se gjermani, na raftë pika, ngatërroi rrugën e kaloi këtej padashje, se italiani erdhi për një shëtitje deri në Tiranë dhe për një mbrëmje vallëzimi), por njëri-tjetrin, mezallah s’e e falim; edhe pse tashmë të drejtat e studimit, pranimi në 100 partitë apo zgjedhja deputet e qeveritar nuk ka më si kriter: çfarë qëndrimi ke mbajtur gjatë Luftës së Dytë Botërore, a ke bërë pjesë në organizatën e Ballit Kombëtar apo Legalitëtit, a ke pasur ndonjë partizan nga familja (siç shkruanim qëmoti në Flet-Anketat) etj, etj!

Edhe kundërshtari më i egër i Ballit Kombëtar, diktatori Enver Hoxha, kritikonte në kohën e tij historianë, shkrimtarë e artistë, që në veprat e tyre ballistët i quanin, të paditur, frikacakë, hajdutë pulash e lloj lloj epitetesh, duke u kujtuar se jo vetëm nuk ishte e vërtetë, por t’i cilësosh ata të tillë, theksonte, do të thotë “të zbehësh e injorosh luftën partizane”, që paska patur përballë të tillë kundërshtarë.

Çfarë ironie?! Po sot?! Sot ka ardhur koha që, tani, pas 70 e kusur vjetësh, të çlirohemi nga ky paragjykim raskapitës, ta shohim më me realizëm atë periudhë dhe të mos e marrim si etalon për vlerësimin e tjetrit. Jemi në kohë paqeje dhe jo lufte. Arsyetimi gjakftohë duhet të pushtojë mendjet tona! Sjellja e eshtrave të Mitat Frashërit është një apel i fortë për të gjithë ne, të xhvishemi nga urrejtja klasore e dikurshme! Madhështinë apo dobësinë e Frashërlliut simpatik le t’i kemi këtu, dhe sa herë t’i vemi para bustit, atje tek kodrat e liqenit, t’i themi me mënd, shiko, ke bërë këtë, por ke bërë dhe atë! Asgjë s’i hiqet e s’i shtohet atij! U bë nami kur u vendos shtatorja e Ahmet Zogut, tek ish-stacioni i Trenit në Tiranë.

Por ai është një figurë historike e pamohueshme dhe i takon. – U përmbys historia, – thoshin, kundërshtarët e tij, tradhëti! – U vu historia në vend, – brohoritën ithtarët!. Dhe ja ku është shtatorja, e lartë, hijerëndë, e asgjë s’ndodhi. Ndërsa ai qëndron me ndriçimin dhe dritëhijet e tij, pra me historinë siç ka ndodhur. Kështu që e do nderi i këtij vendi që çdo shqiptar, me të mirat dhe të këqijat e tij, të prehet këtu! Të shkuarën s’e ndryshojmë dot! Interpretimin ta bëjmë drejt!.

Ka një çelës “magjik’ që na e jep këtë mundësi, dhe ky çelës gjendet lehtë nga kushdo që e njeh mirë Luftën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore, shkaqet dhe fundin e tyre. Le ta rikujtojmë shkurt! Me Luftën e Parë lidhet triumfi i Revolucionit Socialist të Tetorit 1917, pra instalimi i komunizmit në një nga shtetet më të mëdha të botës. Kjo e ndau botën më dysh dhe e mbajti të ndezur konfliktin përmes thirrjes së Manifestit të dikurshëm: “Proletarë të të gjthë vendeve bashkohuni”.

Në Luftën e Dytë, përveç oreksit të madh të vendeve anëtare të Bllokut Fashist për një rindarje të re të zonave të influencës në botë, qëllimi tjetër i fshehtë ishte edhe lufta kundër komunizmit me qendër Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Por kur ofensiva e fashizmit u bë e papërmbajtshme, atëhere edhe Amerika, Anglia e Franca u bënë aleatë me Bashkimin Sovetik, përballë bishës naziste, se të vetme nuk e përballonin dot.

Megjithatë, edhe në mbarim të luftës, B. Sovjetik përsëri mbetej kundërshtari i tyre kryesor. Lindja bënte fjalë për një botë të re, pa të shtypur e shfrytëzues, ku të gjithë do të ishin të barabartë e të lumtur Kjo ëndërr (utopi) erdhi edhe në malet e Shqipërisë, dhe u bë ideologji sunduese tek Nacionalçlirimtarja, por e kundërshtuar nga nacionalistët. Pikërisht, fara e urrejtjes mes nesh, e mbjellë që në ato vite, hodhi rrënjë thellë dhe na shoqëroi, jo vetën në ato 50 vjet diktaturë, por edhe sot 30 vjet demokraci, nëse do e quajmë të tillë.

Në fakt ëndërra e kujtdo idealisti që luftoi e besoi shumë në “internacionale do të jetë bota e re”, dështoi, dhe tani është e pakuptueshme që jo vetëm të mos e pranosh këtë dështim, por dhe të mos gjesh forca për t’i shtrirë dorën e pajtimit kundërshtarit, nëse do e quanim të tillë, se më së pari jemi vëllezër.

Ndaj me shumë kënaqësi unë them: – Po, me Mitat Frashërin kemi hedhur një hap të madh drejt pajtimit kombëtar! Nderim penave të ndritura, por dhe atyre që kanë derdhur gjakun për këtë vend! Të gjithë jemi fitues me tolerancën e më të bashkuar drejt së ardhmes!