MENU
klinika

Firmëtari i Pavarësisë

Shkëlqimi, rënia dhe shkatërrimi i shtëpisë së Luigj Gurakuqit

30.11.2018 - 17:47

Dy ditë më parë, i mbarë kombi shqiptar kujtoi ditën kur në Vlorë, Ismail Bej Qemali ngriti flamurin e Shqipërisë, duke e shpallur këtë të fundit një vend të mëvetësuar nga Perandoria Osmane a më mirë, nga ajo çka kishte mbetur prej saj. Me këtë veprim zë fill shteti shqiptar i cili në këto 106 vjet ka pësuar peripeci të pafundme duke u kthyer në një pjatë nga e cila gjithkush ishte i zoti dhe harroi cilit ideal i shërbente, mundi të marrë.

Një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, i vetmi delegat nga Shkodra ishte Luigj Gurakuqi i cili menjëherë pas nënshkrimit u emërua si Ministër Arsimi në të parën qeveri. Ishte atdhetar i shquar dhe njeri i nderuar, aq sa Zogu e pa si një rrezik konstant dhe dha urdhër ta vrisnin në Bari të Italisë.

Miqtë e tij më të mirë ishin familja Kamsi e në veçanti, Gjon Kamsi i cili ruajti petkat me të cilat qe veshur Gurakuqi kur vdiq si edhe disa nga gjërat e tij personale. Mes tyre ishte edhe fletorja në të cilën Gurakuqi shkroi vjershat e tij, të botuara po me mbështetjen dhe punën e Kamsit, disa prej të cilave me ndikim nga Mjeda e Fishta.

Një ndër këto vjersha, shkruar kur ai jetonte në mërgim, është edhe “Shtëpisë sime”:

Te ti m’flutron mendimi, o shpiza e ime,

Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue;

Te ti, ku nisa s’parit me jetue,

Ku qela sytë, ku u reva , e pata gzime.

 

Gjith her’ ndër mend t’ kam ty, ku laq kujtime

T’ ambla, qi jetën m’ pan nji ditëgazmue;

Vetëm n’ dhe t’ huej, tue vuejt e tue largue,

T’kam n’zemër ty, ku ndieva t’ parët dashtnime.

 

Ai skaj ma i vogli i yt, ma e vogla skut

E jotja, ka për mue aq ambëlsi

Sa veq kujtimi i ynë shpirtin m’kputë,

 

E kur me ra shkoi n’mbramje, me mjeri

Ty t’ mendoj, e i thom vedit: oh a ma i butë

Shtrati e ma i kandshëm a pushimi n’shpi!

Kur Gurakuqi jetonte aty, shtëpia e madhe në G’juhadol qe kthyer në një vatër të gjallë atdhetarie e kulture. Rreth sofrës së saj mblidheshin intelektualët më të rëndësishëm të kohës të cilët merrnin vendime për veprimet që në vijim do të bëheshin për të mirën e Atdheut. Ky moment ishte shkëlqimi i asaj godine me arkitekturë mjaft të veçantë dhe me pasuri të jashtëzakonshme falë bibliotekës së madhe që kishte.

Me vdekjen e tij e më pas ardhjen e komunizmit, shtëpia u kthye në një muze, vend i detyrueshëm që të vizitohej nga të gjithë nxënësit e shkollave të Shkodrës. Ishte i vetmi vend publik në të cilin nuk gjeje asnjë element propagandistik që lidhej me kultin e udhëheqësit. Shkëlqimi i saj vazhdonte të mos zbehej.

Demokracia ishte momenti kur filloi të ventiej ndriçimi që ai vend ruante. Qysh në mbledhjet e para të Këshillit Bashkiak, u vu re një tendencë për t’ia dhënë një individi atë shtëpi si pasardhës i Gurakuqëve.

Duhet theksuar se familja e Gurakuqëve që lidhet me Luigjin nuk kishte lënë asnjë pasardhës, pasi Luigji vetë nuk pati fëmijë dhe prindërit e tij nuk patën një tjetër djalë. Por edhe po të kishte, ajo shtëpi duhet të ishte e shtetit.

Me procedurat e gjyqet e vazhdueshme, muzeu u mbyll e bashkë me të, edhe dera e madhe e oborrit të shtëpisë. Kjo ishte rënia e asaj shtëpie.

Pak vjet më vonë, në media u dha lajmi se shtëpia ishte privatizuar dhe nga vatra e atdhetarëve e muzeu i intelektualëve, qe kthyer në një ofiçinë ku rregulloheshin makina. Ky ishte shkatërrimi i asaj shtëpie.

Për inerci, i zoti i saj Luigj Gurakuqi, pas vdekjes kaloi në po të njëjtat faza, veçse nga krahu i kundërt: fillimisht ishte rënia pasi u quajt tradhëtar, pastaj ngritja e në fund, shkëlqimi i cili kujtimin dhe figurën e tij do e shoqërojë përjetësisht!

/A.D