MENU

Mentor Nazarko

Shqipëria mund të diskutojë në NATO për kufijtë tokësorë me Greqinë

16.11.2018 - 21:56

Ish ministri i Jashtëm grek Kotsias u shfaq përsëri. U rishfaq në një intervistë, e cila parathotë shumë për ato se sa komplekse janë diskutimet apo negociatat me Greqinë, se sa shpirtra janë ato që e përbëjnë politikën e sotme greke. E bëri duke e vendosur gishtin e akuzës mbi qarqet drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes, apo mbi ushtrinë në përgjithësi. Kjo intervistë do duhet vendosur në kontekstin e duhur: ajo është refleks i luftës së brendshme për pushtet, i përplasjes  së fundit që u zhvillua brenda qeverisë greke midis ministrit të Mbrojtjes, prorusit dhe nacionalistit Panos Kamenos dhe atij të jashtëm  Kotsias.

Në emër të ruajtjes së stabilitetit qeverisës, kryeministri Tsipras  bëri një zgjidhje që u duk se i pajtoi të dyja kto rryma. E mbajti Kamenosin por ndërkohë në emër të vijimësisë së politikës së vet të jashtme të ndërtuar nga Kotsiasi, vendosi që ta drejtonte vetë portofolin e ministrisë së Jashtme.  Mirëpo siç thotë Kotsiasi në këtë intervistë të fundit, ngjarjet e paradokohshme (vrasja e Kacifas, varrimi i tij) rrezikojnë të çojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke disa vite mbrapa.   Është pikërisht ajo që është përmendur se në marrëdhëniet me Greqinë ne kemi luftë për kohën dhe luftë me kohën. Gjithçka ndodhi është një rezonim i atij impakti që ka krijuar ngjarja në Bularat në negociatat midis dy vendeve. Dhe ushtria greke si duket, ka lidhje dhe me Bularatin.

Disa thekse të intervistës së Kotsias

Kotsiasi thotë që brenda ushtrisë, qarqe ushtarake mendojnë që është ende në fuqi Protokolli i Korfuzit. Protokolli i Korfuzit i 1914-tës, i cili u nënshkrua midis  Grupit Ndërkombëtar të Kontrollit ku bënte pjesë ndonëse jo me fuqi vendimarrëse edhe Mehdi Frashëri, parashikonte autonominë e të ashtuquajturit Vorio Epir, por është edhe një protokoll që siç e thotë edhe ish ministri i Jashtëm Kotsias, i kapërcyer nga koha. Është një protokoll pra që nuk ka vlerë juridike, sepse është zëvendësuar nga Protokolli i Firences dhe nga Protokolli i Parisit,   në 1925-1926 ku u vendosën kufijtë për Shqipërinë me Greqinë. Në këtë kuptim është shqetësuese- thotë Kotsias- që qarqe të caktuara në ministrinë e Mbrojtjes, mendojnë që është në fuqi ende Protokolli i Korfuzit dhe na pengojnë për nënshkrimin e marrëveshjes të kufijve tokësore me  Shqipërinë. Pra lajmi është që Shqipëria nuk po arrin të nënshkruajë dy marrëveshje që janë si pasojë e përcaktimit të kufijve tokësorë, marrëveshja për mirëmbajtjen e shenjave të piramidave dhe zgjidhjen e incidenteve kufitare.

Për këto tema, Shqipëria është duke negociuar me Greqinë, edhe pse duket sikur çdo gjë ka ngelur vend numëro. Ka ngelur në vend pikërisht për shkak se komisioni që negocion zakonisht është shumëpalësh. Aty janë përfaqësues qoftë nga  ministrija e jashtme, qoftë nga ministrija e mbrojtjes apo nga institucione të tjera, në mënyrë identike siç krijohen grupet negociatore të Shqipërisë.  Pra lajmi është që përfaqësuesit e ushtrisë me gjasë të udhëhequr nga ministri i tyre, nuk njohin kufijtë tokësorë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të përcaktuar në këto dy marrëveshje që përmendi dhe Kotsias, pra në Protokollin e Firences dhe në Protokollin e Parisit të viteve 1925 dhe 1926. Ushtria greke, brënda strukturave të veta, apo ndoshta ndonjë organizim transversal, ka drejtues,, të cilat kanë ndjeshmërinë të besojnë, të punojnë, sikur midis dy vendeve nuk ekzistojnë kufijtë tokësorë. Ky është momenti i parë që duhet të nënvizojmë.

Momenti i dytë është që me gjasë, si pasojë e këtij fakti, qarqe ushtarake greke, ushtria greke në një kuptim ndihet në gjëndje lufte me Shqipërinë dhe dislokimi i trupave greke në kufirin me Shqipërinë, është i ngjashëm me atë të dy vendeve që janë në gjendje lufte. Prefekturat në zonat kufitare, i përmbahen një legjislacioni që është klasik i dy vendeve që janë vënde ndërluftuese. Për ta përforcuar këtë supozim, është dhe një moment  akuzues i fortë nga ana e Kotsiasit. Çfarë  roli luan thotë ai Garda Kombëtare në Greqinë e Veriut?  Është për tu evidentuar një ndërlidhje midis faktit të gjendjes së luftës, midis mosnjohjes së kufijve,  edhe me të ashtuquajturin incident të Peshkëpisë.  Kuptimi mbi atentatin që u bë mbi postën kufitare shqiptare të Peshkëpisë, ishte se këto struktura paraushtarake greke nuk e njihnin kufirin midis dy vendeve. Për këtë arsye ata sulmuan atë postë kufitare që shenjon kufirin.

Çfarë duhet të bëjë politika shqiptare?

Politika jonë e jashtme do duhet të bëjë një veprim natyral në një kontekst si ky: të ngrejë këtë çështje në një strukturë, në një organizatë të përbashkët ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria edhe Greqia, siç është NATO. Pra dy vende anëtare të NATO-s që kanë një problematikë kaq shpërthyese si kjo duhet të ballafaqohen. Zgjidhja për të rritur presionin mbi Greqinë, është ajo që me tone të përmbajtura, por të vendosura, Shqipëria duhet që ta ndërkombëtarizojë këtë çështje. Efekti i ndërkombëtarizimit është relativisht i madh. Sa për rikujtim  po e sjellim një precedent ndërkombëtarizimi. Në vitin 2000 presidenti Meidani vendosi që ta ngrinte çështjen e Ligjit të Luftës me Greqinë në OKB. Në fjalimin që ka mbajtur në Samitin e shtatorit të atij viti, presidenti Meidani e përmend faktin që midis  vendeve të caktuara në Evropë, dhe e kishte fjalën specifikisht për Greqinë, vazhdon të mbetet ligji i luftës në fuqi. Greqia u alarmua nga ky fakt dhe propozoi një zgjidhje, e cila parashikonte kompensime të pjesshme pronësore. Aq e vërtetë është kjo, sa për këtë ka shkruar edhe një njohës i mirë i marrëdhënieve shqiptaro-greke si Robert Goro, korrespondent i i BBC-s dhe ABC-së në Athinë, në librin e tij për marrëdhëniet dypalëshe. Dhe më në fund: do duhet që Shqipëria të kërkojë sqarim drejtpërdrejt ndaj Greqisë: çfarë është kjo Garda Kombëtare në Shqipërinë e Veriut? A kishte lidhje Katsifas me to? A ishte Katsifas vetëm në veprën e tij?