MENU
klinika

Lëvizjet revolucionare 1831

Si e mallkoi matematikani Galua, Luigjin e XIV

05.11.2018 - 16:42

Në të gjitha shoqëritë funksionojnë një gamë simbolesh kulturore që hedhin poshtë në mënyrë të dukshme, të pakundërshtueshme mesazhet që përcillen përmes fjalëve.

Thika mbi gotën e verës, urimin e kthen në mallkim vdekjeprurës!

Për të ilustruar këtë ide mjafton t’i referohemi një situate të ndezur në lëvizjet revolucionare antimonarkiste në Francën e vitit 1831. Në mes të një turme njerëzisht të eksituar, matematikani i ri gjenial Evarist Galua (1811-1832), i cili është karakterizuar si më i madhi ndër të rinjtë dhe më i riu ndër të mëdhenjtë, ngriti një dolli për mbretin me një gjest simbolik që e kundërshtonte atë dolli.

Në vijim po e riprodhojmë këtë situatë përmes përshkrimit mjaft të arrirë të njërit prej biografëve të Galua-it, Leopold Infeld:

Dhe papritmas:

– Për Luigj-Filipin!

Që të gjithë u ngritën në këmbë për të parë se nga vinte ky zë. Mos vallë ishte ndonjë spiun, të cilit i qe lidhur gjuha se kish bërë faj? Njerëzit shtrënguan grushtet. Duhet të mbyllej ajo gojë që kishte guxuar të shqiptonte këto fjalë! Ata shtynin njëri-tjetrin. Autorin që propozoi dollinë e rrethuan. Dhe përsëri u dëgjua:

– Për Luigj-Filipin!

Që të gjithë shikonin Galuanë. Me dorën e majtë pranë zemrës, mbante një gotë me verë. Me të djathtën mbi gotë shtrëngonte një thikë me majë të drejtuar nga poshtë. Ai qëndronte tamam si një statujë, që ish ngjallur për një kohë aq sa ishte e nevojshme për të shqiptuar 2 herë vendimin me vdekje të mbretit të francezëve.

Turma u vu në lëvizje. Ajo nuk ishte më kompakte. Kjo turmë e përbërë nga 200 njerëz u nda në 200 pjesë të veçanta.

– “Të largohemi këndej, – i pëshpëriti Aleksandër Dumait një mik i tij. Punët do të marrin kthesë tepër të rrezikshme”. 

Edhe Dumai nuk e gjente me vend gjestin e Evaristit. Sikur hyri më thellë.

-“Çfarë djal i papërmbajtur! A mundet vallë të kërcënohet jeta e mbretit”?

Ata u larguan menjëherë nga salla. Peshe d’Erbinvili i hodhi një vështrim Galuait, sikur nuk i përkiste asgjë nga ajo që po ndodhte dhe pothuajse pa hapur gojën fare, tha:

-Budalla!

Raspaj i buzëqeshi Galuait. Shumë nga të pranishmit shpejtonin të largoheshin, por më shumë se gjysma qëndroi. Disa republikanë morën nga tavolina nga një thikë, ngritën gotat me verë dhe duke imituar gjestin e Galuait thirrën së bashku:

-Për Luigj-Filipin!

Të tjerët që ndodheshin më larg, pasi morën vesh kuptimin e gjestit dhe u pëlqeu, u bashkuan me demostruesit, si një trup i vetëm. Këndonin “Mersejezën”, hidhnin valle dhe duke ngjitur lartë grushtet e shtrënguar, përsërisnin:

-Për Luigj-Filipin!

Asnjë nuk i pengonte. Ata dëfrenin dhe gëzonin, sikur gjesti i tyre magjik ta kishte zhdukur tiraninë mbi tokë. Një gjest i tillë simbolik me mesazhe kundër-monarkiste Evarist Galua e pagoi me jetën e tij.

Policia mbretërore e ekzekutoi në një duel të provokuar këtë shkenctar të ri, duke e privuar Francën dhe gjithë njerëzimin nga shumë zbulime shkencore aq të vyera në fushën e matematikës, që do të kishin autorësinë e tij.

 

Prof.dr Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!