MENU
klinika

Ulet numri i vizitorëve

Taksa në Rrugën e Kombit largon kosovarët?

23.11.2018 - 13:15

Vendosja e taksës së kalimit në Rrugën e Kombit duket të ketë pasur një efekt frenues në lëvizjen e shtetasve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Hyrjet e shtetasve nga Kosova kanë rënë me 16% për tetorin, ndërsa numri total i vizitorëve të huaj pësoi rënie për herë të parë këtë vit gjatë muajit tetor. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tetor Shqipërinë e vizituan 338 mijë shtetas të huaj, në rënie me 11% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.

Bilanci i këtij viti ngelet gjithsesi pozitiv. Për të gjithë 10-mujorin, Shqipërinë e vizituan 5.4 milionë shtetas të huaj, në rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e tetorit është e papritur, duke pasur parasysh tendencën rritëse të turizmit hyrës, jo vetëm gjatë muajve të sezonit veror.

Përveçse nga Kosova, numri i vizitorëve nga vendet fqinje ka rënë edhe nga Maqedonia, me 17% dhe sidomos nga Greqia, me 3% më pak krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, vizitat nga vendet fqinje, në një pjesë të madhe lidhen me qëllime pune apo biznesi, më shumë sesa me turizëm të mirëfilltë.

Po të shohim numrin e hyrjeve të shtetasve nga vendet e tjera, ato përgjithësisht ishin në rritje, çka dëshmon se ulja erdhi sidomos nga një volum i pakësuar i lëvizjeve me vendet fqinje.

Ndërkohë, vizitat e shqiptarëve jashtë vendit u rritën edhe për tetorin, me gati 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është në linjë me rritjen mesatare të këtij viti. Në dhjetë muajt e parë të 2018, shqiptarët kanë kryer 4.5 milionë dalje jashtë vendit, në rritje me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN