MENU
klinika

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Vettingu/ Konfirmohet prokurori Besnik Cani në detyrë

27.11.2018 - 12:26

Komisioni i Pavarur të Kualifikimit vendosi sot që të konfirmojë në detyrë prokurorin Besnik Cani, pas seancës së zhvilluar katër ditë më parë.

Sipas trupit gjykues të përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici, Cani nuk ka probleme për të kapërcyer Vettingun, edhe pse gjatë seancës së zhvilluar më 23 nëntor ai pati probleme me justifikimin e pasurisë dhe për disa çështje që kishte hetuar.

Aktualisht këshilltari i Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, gjatë vlerësimit për tre shtyllat; pasurinë, integritetin moral dhe professional, evidentoi disa probleme si ajo e pasurisë, për banesën në Paskuqan, një karburant dhe për bilancin negativ të të ardhurave për të justifikuar shpenzimet në vitet 2005-2011.

Cani, sipas DSIK, nuk ka kontakte të papërshtatshme dhe duhet të vazhdojë detyrën, ndërsa disa denoncime për korrupsion dhe kontakte me krimin e organizuar, dolën të pavërteta.

Megjithatë Komisioni ka ngritur dyshime për aspektin profesional pasi ka pasur një lumë denoncimesh kundër tij, ndërsa janë ngritur dyshime për disa dosje, mes tyre një në Fier dhe një në Elbasan.

E para për mos hetimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo për përfshirje në skemë korruptive për qeratë e buta, pasi dyshohet se kishte përfituar kredi si i pastrehë, por nga hetimi rezultoi se gruaja e tij kishte marrë statusin si e pastrehë.

Ndërsa dosja e dytë është për pushimin e hetimeve për tenderat në spitalin Psikiatrik të Elbasanit, kur ka qenë prokuror në këtë qytet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN