MENU
klinika

Edhe tremujori III në rritje

1.5 mld euro të ardhura nga turizmi

12.12.2018 - 09:45

Ndërsa investimet e huaja po hyjnë në një cikël të rënies, të ardhurat nga turizmi arritën një vlerë rekord prej 683 milionë eurosh në tremujorin e tretë. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga turizmi u rritën me afro 100 milionë euro.

Në nëntë muaj, të ardhurat nga turizmi arritën në 1.47 miliardë euro, në rritje me 12% krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, me ritme po kaq të shpejta po rriten edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit. Në nëntë muaj, këto shpenzime prekën vlerën e 1.1 miliardë euro.

Bilanci neto nga udhëtimet për 9-mujorin rrjedhimisht, ishte pozitiv me rreth 360 milionë euro, me një rritje prej vetëm 20 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

Për 10-mujorin e këtij viti, Shqipërinë e vizituan 5.4 milionë shtetas të huaj, në rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, vizitat e shqiptarëve jashtë vendit u rritën edhe për tetorin, me gati 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përgjithësisht, vizitorët prej vendeve fqinje vazhdojnë të dominojnë turizmin hyrës në Shqipëri, me mbi 60% të totalit. Megjithatë, rritje të ndjeshme, edhe gjatë këtij viti, ka regjistruar numri i vizitorëve nga Polonia dhe nga Gjermania, me 38% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN