MENU
klinika

Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, viti i humbjeve të mëdha për Evropën…

25.12.2018 - 11:06

Me të ardhmen e pasigurtë të marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe dhe krizën në Francë, Itali dhe vende të tjera, duket se viti 2019 do të jetë një vit tjetër i vështirë për Europën. Dhe nëse forcat populiste triumfojnë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj, mund të jetë jo vetëm i vështirë, por i pamundur.

Nga një perspektivë evropiane, viti 2019 premton të jetë një vit tjetër i vështirë, i dominuar nga sfida të mëdha që mund të shndërrohen lehtësisht në kriza shqetësuese.

Duke përbërë një ndryshim të madh, Mbretëria e Bashkuar do të tërhiqet nga Bashkimi Europian më 29 mars. Një krizë shpërthyese ekonomike dhe financiare në Itali do të intensifikohet duke kërcënuar stabilitetin e eurozonës. Dhe Franca ka të ngjarë të mbetet e mbytur nga protestat populiste, duke zvogëluar potencialin e saj për të marrë një rol udhëheqës në BE.

Për më tepër, zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj mund të siguronin një shumicë nacionaliste, e cila do të përcaktojë anëtarët e ardhshëm të Komisionit Europian, udhëheqësit e Këshillit Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane dhe Përfaqësuesin e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Pa dyshim, një fitore e  nacionalistëve do të ishte një fatkeqësi për BE-në, sepse do të shkatërrojë reformat e nevojshme dhe do të përçajë më tej shtetet anëtare.

Çfarëdo që të ndodhë, drama e brendshme politike e Evropës do të luhet në një sfond trazirash ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë që Rusia po rrit agresionin e saj në Ukrainën lindore, Presidenti i SHBA, Donald Trump po zhvillon një luftë tregtare kundër Kinës dhe mund ta zgjerojë atë në BE. Dhe më keq akoma, ekonomia globale po dobësohet dhe rritja do të vazhdojë të ngadalësohet në muajt në vijim.

Përballë këtyre sfidave, mbijetesa e vetë projektit evropian është në rrezik.

Sa i përket Brexit, situata do të varet shumë nga mënyra se si do të ndodhë procesi, në mënyrë të rregullt apo kaotike. Në rastin e dytë, të gjithë do të ishim humbës. Askush nga të dyja palët, nuk duhet të dëshirojë këtë rezultat. Jeta vazhdon pas divorcit dhe në përgjithësi është në interes të të dy palëve të mbajnë një marrëdhënie të shëndetshme.

Ashtu si me Brexit, udhëheqja e BE në Bruksel nuk mund të zgjidhë krizën italiane, por ajo mund dhe të ndihmojë disi. Italia ka nevojë për rritje. Për fat të keq, qeveria e saj aktuale nuk po ndjek politikat e nevojshme për të arritur këtë, dhe ka provokuar një konfrontim mbi rregullat e buxhetit të BE. BE-ja do të duhet të tregojë fleksibilitet, duke respektuar parimet që mbështesin qëndrueshmërinë e bashkimit monetar.

Në Francë, “Jelekverdhët” kanë artikuluar kërkesat e tyre kryesisht në aspektin ekonomik, duke protestuar së pari për një taksë të propozuar të karburantit. Por lëvizja gjithashtu përfshin elementë të fortë “identitarë”, ndjenjat e pakënaqësisë për humbjen e mënyrave tradicionale të jetës në epokën e globalizimit dhe integrimit evropian.

Elitat perëndimore nuk do të rifitojnë besimin e publikut derisa ato të ofrojnë një përgjigje ndaj kësaj humbjeje të besimit, pa të cilën demokracia dhe institucionet e saj kryesore nuk do të jenë në gjendje të funksionojnë. Ndërlikimi i çështjeve, balanca globale e pushtetit që po zhvendoset shpejt nga Perëndimi në Lindje, kriza e klimës, teknologjitë e reja dixhitale që po revolucionarizojnë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë, dhe emigrimi dhe valët e refugjatëve po i shtojnë karburantin populistëve.

Prandaj zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm janë kaq të rëndësishme. Nëse populizmi fiton, Europa humbet.

Rritja e Kinës dhe revolucioni në inteligjencën artificiale duket se po e lënë Europën mënjanë. Deri më tani kontinenti i vjetër ka qenë në gjumë. Nëse nuk zgjohet së shpejti, do të ketë humbur mundësinë që të shfrytëzojë forcat e ndryshimit për të mirën e vet.

Një epokë e re ka filluar, dhe kjo do të bëhet gjithnjë e më e qartë gjatë vitit të ardhshëm.

Në rastin më të mirë, viti 2019 do të jetë një vit manovrimi mbrojtës, në vend që të fillojë një rinovim evropian. Por në planin afatgjatë, një Evropë e rindërtuar është e vetmja mundësi.

Joschka Fischer ishte Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskancelari gjerman nga 1998-2005, Fischer hyri në politikën elektorale pas pjesëmarrjes në protestat e viteve 1960 dhe 1970 dhe luajti një rol kyç në themelimin e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, të cilën ai e udhëhoqi për pothuajse dy dekada./konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Joschka Fischer/ Project Syndicate

2019, vit vendimtar për Evropën…

Joschka Fischer/ Project Syndicate

Lamtumira e Angela Merkelit