MENU
klinika

Dossier

A po ndikon tarifa 100% midis tregut Shqipëri-Kosovë?

23.12.2018 - 16:00

Vitet e fundit, eksportet shqiptare po gjejnë gjithnjë e më shumë tregun e Kosovës. Referuar shifrave tregtisë së jashtme të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë muajit nëntor 2018, eksportet në Kosovë u rriten me 34 për qind në muajin nëntor, në raport me nëntorin e një viti më parë, teksa tarifa 100 për qind me Serbinë hyri në fuqi me datën 21 nëntor.

Pra, eksportet shqiptare në Kosovë shënuan një rritje të fortë në muajin nëntor, duke zëvendësuar disa artikuj në tregjet e Kosovës që më parë importoheshin nga Serbia.

Ritmet më të larta të rritjes shihet të jenë për materialet e ndërtimit dhe metalet. Përgjatë 11-mujorit ky grup njohu rritjen më të fortë të eksporteve në Kosovë me rreth 42 për qind.

Shqipëria dhe Kosova tregtojnë më shumë skrap

Eksportet shqiptare në Kosovë për këtë periudhë u rriten me rreth 25 miliardë lekë nga 19.4 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 28 për qind për qind.

Ritmet e rritje së eksporteve në Kosovë janë përshpejtuar këtë vit, teksa në vitin 2017 rritja në raport me 2016 ishte 16 për qind. Rritja ka qenë më e fortë në tre muajt e fundit, shtator, tetor dhe nëntor me mbi 40 për qind ne secilin muaj.

Hekuri dhe materialet e tjera të ndërtimit zunë 50 për qind të peshës së eksporteve duke shënuar rritjen më të madhe në raport me grupet e tjera dhe rritje e fortë u vu re edhe në eksportin e mineraleve dhe lëndëve djegëse me 29 për qind. Ky është grupi i dytë, me vlerën më të madhe të eksportit në Kosovë dhe dominohet kryesisht nga shitjet e naftës.

Shpesh ekspertë të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë kanë pohuar se Shqipëria mund të bëhet zëvendësuese e Serbisë në tregjet e Kosovës për hekurin dhe naftën.

Vlera e hekurit të importuar nga Serbia në Kosovë arriti në vitin 2017 mbi 80 milionë euro, ndërsa vlera e hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit që u importuan nga Shqipëria gjatë vitit 2017 ishin mbi 90 milionë euro.

Teksa eksportet në Kosovë pësuan rritje te admirueshme këtë vit, importet nga Kosova nuk u rriten me të njëjtat ritme. Importet nga Kosova për 11-mujorin 2018 arritën rreth 8 miliardë lekë me një rritje vetëm 5 për qind me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Mirëpo, marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës reflektojnë dobësitë strukturore të ekonomive respektive.

Eksportet janë lëndë të para dhe prodhime bujqësore pa ndonjë vlerë të shtuar, ku Shqipëria dhe Kosova e kanë ekonominë të profilizuar në konsum, i cili në të dy shtetet financohet në një masë të madhe nga prurjet e remitancave.

Eksportet Shqipëri-Kosovë, nëntor 2017-nëntor 2018

Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rezulton se, gjatë vitit të kaluar, në Kosovë kanë hyrë plot 449 milionë euro produkte nga Serbia dhe 81 milionë euro nga Bosnja e Hercegovina. Me një tarifë në 100 për qind mbi produktet e importit, do të thotë se shteti i Kosovës do të fitonte po aq, pra një total prej 530 milionë eurosh.

Por, sigurisht që kjo shifër është në kushtet kur prodhuesit serbë nuk do të dekurajoheshin nga kjo taksë e paarsyeshme për të eksportuar drejt Kosovës, gjë e cila patjetër që do të ndodhë, por duhet pritur për të parë se në ç’masë.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës e ka shfajësuar këtë veprim me një logjikë të pastër proteksioniste, por kësaj here jo vetëm në drejtim të tregtisë. Qeveria e Kosovës nuk ndihet e barabartë karshi Serbisë, dhe për të arritur qëllimet e saj po përdor “luftën” tregtare, ku sipas saj nuk ka çfarë të humbasë.

Në mes të një debati proteksionist dhe me tipare nacionaliste, Shqipëria edhe mund të korrë përfitime nga ky vendim i qeverisë së Kosovës.

Kosova ka importuar 449 milionë euro mallra nga Serbia në 2017 dhe vetëm 151 milionë euro nga Shqipëria, pra thuajse tre herë më pak. Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit do të mundeshin shumë mirë ta zëvendësonin hapësirën e lënë bosh nga Serbia.

Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës në drejtim të importit. Shifrat e tregojnë qartë këtë. Pas Serbisë me 449 milionë euro në vit, vjen Gjermania me 378 milionë euro, Turqia me 292 milionë euro, Kina me 275 milionë euro, Italia me 194 milionë euro, Maqedonia me 156 milionë euro dhe Shqipëria me 151 milionë euro, pra edhe më pak se Maqedonia.

Në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit në Pejë, dy qeveritë vendosën heqjen e të gjitha tarifave doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës, brenda një afati kohor prej gjashtë muajsh.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në këtë takim kishte thënë se duhet të shkojnë drejt një unifikimi doganor dhe se tarifa prej 100 për qind është një kundërpërgjigje politike dhe se ky vendim është irracional në kushte normale.

E pra, ja se si në këtë kontekst kaq te posaçëm goditjesh te vazhdueshme pas shpine ndaj Kosovës nga ana e fqinjit të madh, merr edhe shpjegimin tarifa 100 për qind për produktet serbe. Një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti, si ato që përvijon vijimisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100 për qind si vendim ekonomik, gabon. Jo, tarifa 100 për qind është reagim politik. Reagim politik ndaj akseseve të vazhdueshme të një sjelljeje suprematiste të Serbisë ndaj Kosovës”, ishte shprehur kryeministri Rama.

Kryeministri shqiptar, kishte thënë se pika e unifikuar doganore e Morinës do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis dy shteteve.

Pika e unifikuar kufitare e Morinës dhe lehtësimi total i qarkullimit të njerëzve e mallrave mes dy shteteve është hapi që ne do ta hedhim. Unifikimi i gjithë të dhënave të sistemeve tona të përbashkëta për hyrjen në kufijtë e Kosovës dhe në kufijtë e Shqipërisë, në funksion të kufirit të Kosovës dhe të Shqipërisë, është detyra që duhet ta marrin dhe ta kryejnë të dy ministritë e Brendshme. Të dhënat për të gjithë personat që hyjnë e dalin, duhet të jenë të dhëna në perimetrin e jashtëm të Kosovës dhe të Shqipërisë. Brenda perimetrit duhet të funksionojmë si një kufi pa kufi. Shëndet dhe jemi gati t’i presim të gjithë ata që janë të shqetësuar t’ua shpjegojmë si është kjo punë”, kishte thënë kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Më 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100 për qind tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Ky vendim është marrë në përputhshmëri me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës. /Konica.al

Dhjetëra sinjalizime për korrupsion dhe shpërdorim detyre

REL: Kurti erdhi në pushtet me premtimin për “duar të pastra”, por…

Nënshkrimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës

Albin Kurti: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira

Rindezja e konfliktit me Kosovën dhe rindërtimi i qeverisë

Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga protestat