MENU
klinika

Norbert Röttgen/ The Guardian

BE duhet të bashkohet kundër Rusisë!

13.12.2018 - 12:24

Të gjitha masat duhet të merren parasysh kur Europa të përpiqet të zgjidhë krizën në Ukrainë

Ishte vetëm çështje kohe para se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës në Detin e Azovit, të përshkallëzohej ushtarakisht.

Pas hapjes së një ure përgjatë ngushticës së Kerçit në maj 2018, Rusia gradualisht e ka marrë tërë zonën nën kontrollin e saj, duke shkaktuar dëme të rënda ekonomike në portet tregtare të Ukrainës të Mariupol dhe Berdyansk.

Kulmi i tensionit erdhi më 25 nëntor kur marina ruse sulmoi një rimorkiator ukrainas, kapi tre anije dhe ekuipazhet e tyre dhe bllokoi përkohësisht kalimin nëpër ngushticë.

Dy muaj më parë do të thosha se me rritjen e tensioneve në Detin e Azovit, së shpejti do të mund të dëshmonim një “Krime të dytë”. Kjo tashmë është e vërtetë. Rusia në fakt ka kontrollin e plotë të Detit Azov me anë të mjeteve ushtarake. Kjo është e fundit në një zinxhir të gjatë të ndërhyrjeve ushtarake ruse jashtë territorit të saj.

Me aneksimin e Krimesë në mars 2014, Rusia shkeli kufijtë dhe integritetin territorial të një shteti europian. Me këtë, rendi i Evropës pas luftës, dhe periudha më e gjatë e paqes së kontinentit , përfundoi.

Si rezultat, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës nuk është thjesht një marrëveshje dypalëshe. Përkundrazi, lidhet me gjithë Evropën.

Kur u bëra kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, në janar 2014, bota ishte ndryshe. Konflikti në Ukrainë, kriza e refugjatëve, Brexit dhe tensionet në marrëdhëniet transatlantike si pasojë e zgjedhjes së Donald Trump, nuk kishin ndodhur ende. Ballafaqimi me shkeljen e normave ndërkombëtare nga Rusia është bërë pjesë e vazhdueshme e punës sime.

Presidenti Putin dëshiron që Rusia të bëhet një kundër-model për rendin liberal të udhëhequr nga perëndimi. Destabilizimi i vendeve dhe shoqërive të tjera është bërë parimi udhëheqës i politikës së jashtme ruse.

Por është e rëndësishme të kihet parasysh se Putin është disi në vështirësi. Vlerësimet e popullit për Putinin nuk janë më siç kanë qenë.

Ankthi i Rusisë vjen nga humbja e ndikimit në arenën politike globale dhe veçanërisht në Evropën Lindore. Kjo ishte pasoja e pashmangshme e emancipimit të ish-republikave sovjetike. Rusia ndihet e mënjanuar dhe po përpiqet të ndalë rënien e vet duke përdorur fuqinë ushtarake dhe kontrollin mbi burimet e energjisë.

Çfarë duhet të bëhet tani? Ne nuk duhet ta shpërfillim idenë për agresionin e mëtejshëm rus, në bregun e Detit të Azov.

Mbi të gjitha, përgjigjja e BE-së duhet të jetë koherente dhe unanime: forca jonë më e madhe qëndron në unitetin tonë.

Para së gjithash, Rusia duhet menjëherë të lirojë anijet ukrainase të konfiskuara pranë ngushticës Kerç. Një shenjë e mirë është se Rusia tani ka rihapur Ngushticën Kerç për anijet e Ukrainës. Por liria e lundrimit në Detin e Azov duhet të garantohet në çdo kohë. Gjithashtu, Marrëveshja Minsk e vitit 2015 që synon zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës duhet të zbatohet menjëherë nga të dyja palët.

Por ne duhet të shkojmë më tej: Gjermania në veçanti duhet urgjentisht të rishikojë projektin e diskutueshëm të gazsjellësit Nord Stream 2.

Unë kam qenë prej kohësh një kritik i këtij plani. Nord Stream 2 vështirë se është një projekt thjesht komercial; ka implikime të forta gjeopolitike. Lejet e ndërtimit tashmë janë dhënë nga të gjitha shtetet evropiane të përfshira, me përjashtim të Danimarkës, kështu që ndalimi i projektit është bërë edhe më i vështirë.  Të paktën, Rusia duhet të garantojë se transportimi i gazit përmes Ukrainës do të vazhdojë. Ndërkohë BE duhet të sigurojë që tubacionet e gazit rus në territorin e saj të jenë në përputhje me rregullat e bllokut.

Një gjë është e qartë, nuk ka zgjidhje të shpejta për tensionin midis Evropës dhe Rusisë. BE-ja duhet të dialogojë me Rusinë, përndryshe nuk do të ketë paqe në Ukrainë.

Evropianët ndoshta kanë qenë shumë naivë në të kaluarën, por nëse qëndrojmë të bashkuar mund të krijojmë politika që do të mund të jenë shumë efektive për të ardhmen.

Norbert Röttgen është kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman.

The Guardian

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga New York Times

Rusia duhet ndëshkuar…

Petro Poroshenko/ New York Times

Putini duhet të dënohet…

Bashkëpunim, konkurrim, përballje

Si të riparohen marrëdhëniet Rusi-Perëndim?