MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Bushi i vjetër, kinezët dhe shqiptarët sot

02.12.2018 - 23:53

Xhorxh Bush i vjetër ishte një figurë e jashtëzakonshme, të cilën fati ynë e ka dashur që në jetën e tij të ketë lidhje me Shqipërinë dhe me shqiptarët.

Nëqoftëse do t’i ndiqnim shkrimet në rrjete sociale të shqiptarëve, do të vërejmë që Xhorxh Bushit të vjetër nuk i atribuohet vetëm paralajmërimi, vërejtja e Këshëndellave siç quhet, (letra që ai i shkruajti presidentit serb Millosheviç në dhjetor të 1992-shit, ku paralajmëronte se nëqoftëse ushtria serbe do të ndërmerrte veprime ndaj shqiptarëve në Kosovë, atëherë Serbia do të ballafaqohej me reagimin ushtarak amerikan), por dhe episode të tjera.

Dikush shkruante se Xhorxh Bushi ishte një ndër ideatorët e operacionit për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri apo vrasjen e Enver Hoxhës.

Dikush tjetër se ishte ideator për desantimin e trupave antiregjim, apo që ishte ideator i prishjes së marrëdhënieve kinezo-shqiptare. Edhe sikur këto aludime të mos ishin të vërteta, do të mjaftonte Vërejtja e Kërshëndellave që Xhorxh Bushi i vjetër të lidhej me shqiptarët dhe historinë e tyre moderne në mënyrë të pazgjidhshme.

Mentor Nazarko
Mentor Nazarko

Një gazetar me eksperiencë kujton se kur Bushi i vjetër ishte ambasador në Kinë, tentonte me të gjitha mënyrat të takohej me ambasadorin komunist të kohës, Behar Shtyllën, por ai i shmangej.

Dhe Presidenti Bush i vjetër e kërkoi dhe më pas, por zoti Shtylla kishte vdekur.

Edhe i biri, Xhorxh Bushi i ri e vizitoi Shqipërinë, në një vizitë historike në 2007-ën, u prit në mënyrë shembullore dhe atij i mbetet merita historike pse tha: Kosova duhet të bëhet e pavarur tani! Koincidencë unike!

Kush e ka ndjekur me vëmendje historinë e Shqipërisë pas viteve 90’-të, do të kujtojë që Xhorxh Bushi i vjetër ishte edhe presidenti i parë amerikan që ka pritur në maj 1992 në zyrën e vet zotin Berisha, si presidentin e parë demokratik të Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e marsit.

Paralelja që do duhet vendosur në lidhje me këtë ngjarje, lidhur me kontekstin e Xhorxh Bushit të vjetër me shqiptarët është kjo: a e ka përcaktuar këtë afërsi të Xhorxh Bushit të vjetër me shqiptarët, momenti personal, relacioni strategjik apo të dyja bashkë kanë ndihmuar njëra-tjetrën?

Momenti i interesit strategjik amerikan mbi rëndësinë e Shqipërisë të dalur nga diktatura, shndërrimit të saj në një shembull evolucioni të shpejtë, tranzicioni të shpejtë, nga komunizmi në një sistem demokratik me siguri ka peshuar më së shumti, i ushqyer nga kurioziteti personal i Bushit të vjetër, apo dhe tradita filoshqiptare që zë fill prej Presidentit Uillson.

Në vendet e vogla si Shqipëria, me shumicë myslimane në mes të Evropës mund të aplikohen shumë më lehtë, teoritë, praktikat demokratike, ndihma nga jashtë mund të japë rezultate shumë më të shpejta se sa në vendet e mëdha.

george-hw-bush-konica.al
george-hw-bush-konica.al

Kështu shpjegohet pse Shqipëria ishte ndër vëndet e para që pritej të hynte në NATO, ndërsa në 1996 Shqipëria ishte e gatshme, për të marrë statusin e vendit kandidat në BE që në vitin 1996, pra 22 vjet më parë.

Mirëpo çfarë ndodhi? Pse ky kombinim faktorësh nuk solli në anëtarësimin e Shqipërisë?

Roli i Berishës


Vdekjen e Xhorxh Bushit të vjetër po e përkujtonte me një lloj bashkëautorësie në miqësinë moderne të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetë zoti Berisha kur tha se “humba një mik të madh”.

Ka të drejtë: e vërteta është siç duket edhe nga pamjet video të takimit në Shtëpi të Bardhë të zotit Berisha me presidentin Bush në maj të vitit 1992, se midis dy presidentëve ka patur një lloj afërsie njerëzore të posaçme.

Një afërsi e cila u duk edhe në prill të vitit 1996, pra katër vjet pas takimit të parë të tyre, kur Xhorxh Bushi bashkë me Kolin Powell-in ishin në jahtin e një miliarderi shqiptaro-greko-amerikan Janis Llacis dhe vizituan Berishën në vilën e tij qeveritare në Vlorë. Bushi i vjetër nuk u rikthye, por djali i vet u bë President katër vjetë më vonë, ndërsa Kolin Powell-i u kthye fuqishëm në jetën politike amerikane si Sekretar Shteti i SHBA-së në vitin 2000.

Berisha, Powell dhe Bush në Vlorë diskutuan çështje të ndryshme, në një vizitë që ishte më tepër një vizitë kortezie.

Berisha u përpoq të rikthente nëpërmjet tyre të hapte një derë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo nuk patur sukses. Kompanitë e lobimit që ai ka punësuar më vonë kanë patur shumë sukses.

Kur lopa e mbush plot kovën dhe e derdh po vetëm.

Është e vërtetë që Berisha si president, vendosi ndoshta raportin më të afërt që ndonjëherë udhëheqësit shqiptarë e kanë vendosur me një president amerikan.

Mirëpo ky fakt nuk do duhej të përdorej me krenari nga ana e Berishës, por me kompleks faji. Edhe nëse besojmë se ai ka patur rolin kryesor, raporti i tij me SHBA-në na sjell ndërmend historinë e lopës e cila mund ta ketë mbushur një kovë plot me qumësht dhe pastaj e derdhi.

Arrestimi heroizues i të pesë minoritarëve, piramidat, dhe gjithë keqbërjet e tjera që prishën marrëdhëniet e tij me SHBA-në, janë një moment që do duhej të turpëronte zotin Berisha.

Ai i prishi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikërisht pse donte dorë të lirë edhe prej tyre për të kontrolluar personalisht zhvillimet e brendshme në Shqipëri, i la peng ato për disa vjet derisa u normalizuan.

Për fat të mirë, pas Bushit të vjetër erdhi Klintoni, i cili la gjurmë gjithashtu në historinë e shqiptarëve, sidomos me vendimin për të sulmuar Serbinë dhe për t’i dhënë fund gjenocidit që po ushtronte ajo me shqiptarët e Kosovës.

Një parantezë gjithashtu komike, shprehje e egocentrizmit shqiptar: njëri nga udhëheqësit e sotëm në Kosovë, në përpjekje për të shpallur si përcaktuese në këtë ngjarje jetën personale të Klintonit, ka thënë se ishte skandali i tij me Monika Levinskin, afera seksuale midis tyre, që përcaktoi këtë veprim të fortë amerikan!

Ky është një ndër ato budallallëqet ku shqiptarët marrin përsipër që t’i shpjegojnë me shumë seriozitet problemet e politikës së madhe botërore!

Mbas Klintonit kemi Bushin e ri, i cili gjithashtu e vendosi emrin e tij në historinë e shqiptarëve me vendimin e tij për ta njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

Pra Bushi i vjetër- Klinton-Bush i ri- kemi një stafetë presidentësh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët e kanë pohuar interesin strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët, pse jo edhe për Kosovën, duke tentuar që t’i shndërrojnë këto dy vende, këto shtete të krijuara nga shqiptarët në shembuj për tranzicionin nga komunizmi në regjim demokratik.

Si për ta konfirmuar këtë interes strategjik , gjatë një vizite që bëri në Tiranë, në parlamentin e Shqipërisë, Hillari Klinton, bashkëshortja e Bill Klintonit dhe kundërkandidatja për presidente e SHBA-së ndaj Donald Trump, tha që: “Kemi qenë bashkë 100 vitet e fundit dhe do të jemi bashkë edhe në 100 vitet e ardhshme”.

Dhe një parantezë tjetër- rasti kinez.

Nëse do të shkosh në Kinë, shoferët e taksive të brezit të mesëm, të kujtojnë filmat e realizmit socialist, këngët shqiptare, anëtarët e Byrosë politike, Enver Hoxhën.

E gjitha është fryt i marrëdhënieve të forta mes dy vendeve,1960-1979, me të cilat janë mbrujtur dhe udhëheqësit e sotëm të vjetër të Kinës. Dhe vetë ekspertët apo politikanët kinezë thonë: nëse ky brez udhëheqësish ikën, Shqipëria nuk do të ketë të njëjtën rëndësi emocionale për Kinën, si më parë, por do harrohet.

Ndaj përfitoni nga kjo gatishmëri sot, sepse nesër do të jetë vonë! Por sesi kemi përfituar ne prej kësaj stafete kineze, është temë tjetër.

Pyetja është: do të jemi bashkë me amerikanët vërtetë në 100 vitet e ardhshme, më saktë a do të jenë Shtetet e Bashkuara bashkë me shqiptarët? Se ne duam të jemi dhe duhet ta meritojmë të jemi!

clinton-bush-konica.al

Kjo pritet të vërtetohet në rast të vendimeve të mëdha që mund të merren në lidhje me Kosovën si marrëveshja e ardhshme e saj me Serbinë.

A do të kenë rol kyç Shtetet e Bashkuara në këtë marrëveshje? A do të peshojë në cilësinë e saj kjo marrëdhënie e fuqishme që ka pas ekzistuar midis presidentëve të mëparshëm me Shqipërinë dhe Kosovën apo ndryshimi i kontekstit kohor, ndryshimi i marrëdhënieve personale do t’i japë kahje tjetër apo modifikojë?

Më saktë, cili do ishte ndikimi i keqbërjeve apo mirëbërieve tona politike në ruajtjen e interesit amerikan për botën shqiptare?

Elementi i përbashkët në veprimin e presidentëve të periudhës së tranzicionit në Shqipëri prej 1992-shit, apo pavarësimit të Kosovës prej 1999-ës, që nga Bushi i vjetër, Klintoni dhe Bushi i ri, është fakti që SHBA e tyre ka dashur që Shqipërinë dhe Kosovën t’i shndërrojnë në histori suksesi- një model të zhvillimit të kalimit nga komunizmi (rasti i Shqipërisë) në regjim demokratik, apo kalimi nga një gjendje kolonializmi në shtet të pavarur një (Kosova).

Të dyja shtetet shqiptare filoamerikane, me shumicë myslimane, mund të ishin shembull demokratizimi, modernizimi, begatimi, falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që në rastin e Kosovës e kapërcyen të ashtuquajturën përkatësi fetare në emër të humanizmit.

Mirëpo në marrëdhëniet ndërkombëtare ka shumë rëndësi konteksti kohor, sepse ngjarjet zhvillohen në hapësirë, por dhe në kohë.

Miqësinë duhet ta meritosh gjithashtu sepse ajo ka dy kahje, ka dy palë. Presidenti Bush i vjetër, presidenti Klinton, Bushi i ri, kanë vepruar në kontekst të caktuar kohor.

Me gjasë nëqoftëse shqiptarët, në Shqipëri dhe në Kosovë, klasa politike e tyre do të kishte vepruar në mënyrë më agresive, mund të kishin marrë përfitime më të mëdha prej SHBA-ve. (Njëjtë dhe prej Kinës).

Sot është një kohë tjetër.

Sa i takon Kosovës ka disa shenja të cilat parathonë mesazhe të përziera. Pozitivisht për shqiptarët flet shqetësimi serb se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pranuar ligjin kosovar për ushtrinë, apo se Shtetet e Bashkuara i kanë bërë presion Serbisë që të heqë dorë nga fushata për të revokuar njohjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe po ankesa serbe se amerikanët u angazhuan që Kosova të bëhej pjesë e INTERPOL-it.

Njëherazi kemi shfaqjen publike të Xhon Bolton, këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit amerikan i cili ngjan se është në favor të një marrëveshjeje të shpejtë midis Serbisë dhe Kosovës, e cila mund të parashikojë edhe shkëmbimin e territoreve.

Pikërisht për të treguar apo konfirmuar atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë mbrapa marrëveshjes që ai po negocion me Vuçiç, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, zhvilloi këto ditët e fundit një vizitë të gjatë.

Ajo parashikonte takime me personazhe nga më të rëndësishmit të lobit shqiptar në Amerikë, përfshirë edhe familjen Bush, pra Bushin e ri i cili u dekorua prej presidentit Thaçi me dekoratën e Pavarësisë, madje ai u takua dhe me kongresmenin Engel, i cili në fakt u bë Kryetar i Komisionit të Jashtëm që do të luajë një rol kyç në përcaktimin e modifikimit të politikës së jashtme amerikane. Nderimi tek varri i Mc Cain ishte gjithashtu pjesë e vizitës.

Avokati Ngjela do t’i përgjigjej pyetjes sonë se orientimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shqiptarëve, në aspektin strategjik është afatgjatë.

Mundet.

Por pa hyrë nëpër prognoza se përse shqiptarët janë interesantë për amerikanët edhe në 100 vitet e ardhshme, le të presim këtë ngjarje, që është marrëveshja Serbi-Kosovë për të kuptuar vërtet nëse interesi amerikan ndaj shqiptarëve do të jetë afatgjatë.

Dhe duke vendosur pikëpyetje të përhershme tek sjellja jonë politike: a kemi bërë si komb gjithçka që ta meritojmë mbështetjen amerikane?