Vazhdon fushata e shtetit serb ndaj institucioneve të Kosovës. Mediat serbe raportojnë se edhe një shtet tjetër ka tërhequr njohjen e Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, ka njoftuar se Madagaskari ka vendosur ta tërheq vendimin e saj për njohjen e Kosovës.
Sipas tyre, Madagaskari është vendi i 12-të që ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Kemi pranuar notën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Madagaskarit, me të cilën jemi njoftuar se me 5 dhjetor, Republika e Madagaskarit ka marrë vendim që ta tërheq njohjen e Kosovës”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, ka deklaruar se numri i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës “së shpejti” do të bie nën 100.
Daçiç është i bindur se do të bie nën gjysmë numri i vendeve anëtare të OKB-së, që në total janë 193 vende.
Duke folur para gazetarëve në Beograd, ai ka thënë se autoritetet në Prishtinë kanë “probleme serioze”, pasi që pas kërkesës së tyre për pranim në INTERPOL kanë votuar “vetëm 76 vende, prej të cilave Kurasao dhe Saint Martin nuk janë anëtare të OKB-së”.
“Do të thotë se vetëm 74 vende anëtare të OKB-së, e ata thonë se i kanë njohur 116. Deri më tani kanë thënë se ato që po i them për tërheqjet e njohjeve janë vetëm gënjeshtra, ndërsa tani po del të jetë problem i madh për ata”, ka shtuar Daçiç.
Edhe pas lajmit se Unioni i Komoreve është vendi i radhës që ka tërhequr njohjen për Kosovën, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ku thuhet se Kosova është duke përcjellë me kujdes fushatën agresive dhe jo demokratike të Serbisë në funksion të propagandës dhe përhapjes së lajmeve të rreme në rajon dhe më gjerë.
“Në kuadër të kësaj fushate, me qëllim të bërjes së saj sa më të besueshme dhe me efikase, e njëjta, viteve të fundit nuk ka ngurruar të përfshihet edhe në marrëdhënie që cenojnë ligjin ndërkombëtar, sikurse është dhurimi i armëve regjimeve të cilat supozohet se do të mund t’i shfrytëzonin ato për projektim të dhunës në shtypje të pakënaqësive qytetare. Po ashtu, Serbia po keqpërdorë edhe reputacionin e vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën, duke përdorë logjiken e regjimit të Millosheviçit, me të cilën propaganda dhe mashtrimi synohej ta zëvendësonin realitetin. Në këtë frymë, edhe sot Serbia në bashkëpunim me mediat e instrumentalizuara përhapi lajmin e rremë, se gjoja Unioni i Komoreve paska tërhequr njohjen për Kosovën”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme siguron publikun se posedon informacion dhe korrespondencë nga burime të shumëfishta kredibile, nga akterë botëror, informacion i cili ri-konfirmon atë që është pohuar gjithnjë, që vendet në të cilat thirret Serbia, e mohojnë të kenë marrë apo të konsiderojnë të marrin vendim për tërheqje të njohjes.
Sipas raportimi të Televizionit Publik i Serbisë, Qeveria e Grenadës konsideron se mbështetja për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, është me rëndësi të jashtëzakonshme. Në një letër dërguar Serbisë, Qeveria e Grenadës deklaroi se kishte vendosur të rishikonte qëndrimin e saj mbi statusin e Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç dhe ai i Grenadës, Peter David, thonë se Grenada ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Deklaratat e zyrtarëve serb se Grenada e ka tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës, diplomatët kosovarë po i quajnë gënjeshtra.
Këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit, Fatmir Haxholli kishte deklaruar se kjo është vetëm një gënjeshtër e radhës dhe se sipas MPJ-së, autoritetet nga Grenada asnjëherë nuk kanë deklaruar se do ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës.
“Është vetëm gënjeshtra e radhës si rezultat i krizës së politikaneve serb. Me Granaden kemi marrëdhënie diplomatike dhe relacione të mira ndërshtetërore”, kishte deklaruar Haxholli.
Mirëpo, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, gjatë bashkëbisedimit me qytetarë përmes Facebook-ut, është pyetur edhe rreth lajmeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga disa shtete.
Në përgjigjen e tij, O’Connell ka thënë se fatkeqësisht kjo gjë ka ndodhur.
“Fatkeqësisht, disa vende i kanë tërheq njohjet e tyre për Kosovën. Nuk mendojmë që ka ndonjë justifikim për këto veprime. Kosova i përmbushë të gjitha kriteret për të qenë një shtet i pavarur, ne e kemi pranuar Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran”, është përgjigjur ambasadori.
Ende nuk dihet se për cilat shtete e ka pasur fjalën ambasadori O’Conell kur ka konfirmuar se kanë tërhequr njohjen.
Kujtojmë se kohëve të fundit Serbia ka rritur lobimin te disa shtete për të tërhequr njohjet për Kosovën. Ministria e Jashtme e Kosovës është detyruar shumë herë të demantojë pretendimet e Serbisë. /Konica.al