MENU
klinika

Reagon Thaçi

‘Dihet kush është viktima e kush agresori’

18.12.2018 - 10:10

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB, duke iu kundërpërgjigjur fjalimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk duhet mohuar të kaluarën dhe se në Kosovë dihet kush është viktima e kush agresori.

Nuk ka dhe nuk do të ndodhë rishkrim i historisë, lufta ka ndodhur në shekullin e 20-të andaj duhet të shikojmë pa drama, pa teatër, pa spektakël, por të pranojmë realitetin. Por pasi u përmenden gjëra jo të qëndrueshme, detyrohem të përmendi disa fakte para jush”, ka thënë Thaçi, duke aluduar në deklaratat e presidentit serb, se serbët janë viktima.

I pëlqeu dikujt apo jo, shteti i Serbisë ka vrarë 13 mijë civilë shqiptarë. Aparati i tyre shtetëror ka dhunuar rreth 20 mijë femra shqiptare. Për të vrarët asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përmendur edhe 1 milion shqiptarë të dëbuar me dhunë, 40 për qind e infrastrukturës e shkatërruar, 400 masakra kundër shqiptarëve – asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është thirrur me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e mandati të FSK-së në ushtri të Kosovës. /Konica.al/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN