Një komision me shumë specialistë vlerësuan disa vite më parë si të pabanueshme banesat e 18 familjeve në dy fshatra të ish-Komunës Gjergjan sot Njësia Administrative Gjergjan e Bashkisë së Elbasanit pas tërmetit të fuqishëm që goditi një pjesë të kësaj zone.
Muret e këtyre banesave për shkak të kësaj fatkeqësie natyrore u hapën 10 -20 centimetra dhe kur bie shi, uji futet brenda. Shumica e familjarëve jetojnë çdo ditë me frikën se muret e çara mund të shemben dhe mund të shkaktojnë tragjedi për jetën e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e familjeve në këto fshatra në pamundësi për të gjetur një tjetër strehë rrinë ende në to me ankth.
Janë 18 shtëpi që janë shpallur në atë kohë të pabanueshme plotësisht ose pjesërisht nga komisioni ndërinstitucional i krijuar me vendim qeverie për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga lëkundjet sizmike në zonën e ish-komunës Gjergjan. Komisioni atëherë përcaktoi vlerën në para të dëmeve e cila sipas vendimit të qeverisë gjashtë vite më parë do të paguhej në tri këste në kohë rekord.
Por edhe pse qeveria atëherë pati marrë angazhim për të zgjidhur shpejt situatën edhe këtë prag fundviti 18 familjet e Gjonmes dhe Gjergjanit janë në pritje të marrjes së pagesave të dy kësteve të tjera.
Mesa duket ata do ta kalojnë edhe dimrin e radhës në shtëpitë e dëmtuara. Banorët thonë se vetëm me paratë e marra nga qeveria deri tani nuk mund të ndërhyjnë për të realizuar as minimumin e minimumit të riparimit apo rindërtimit të asaj që ju është shkatërruar nga tërmeti.
“Me 30%, çfarë do bëjmë? Ne as nuk i riparojmë dot dhe as nuk i prishim dot. Prej muajsh na përcjellin me të njëjtat fjalë institucionet lokale dhe qendrore: “Prisni, prisni, prisni”.
Banorët e 18 familjeve në fshatrat Gjonme dhe Gjergjan në Njësia Administrative Gjergjan e Bashkisë së Elbasanit fatkeqësisht jetojnë prej disa vitesh në kalvarin e pasigurisë.
Disa familje aktualisht rrinë ende në shtëpi me qira. Të tjerë nën çatitë e shtëpive të shkatërruara. Të lodhur nga pritja e gjatë e marrjes së dy kësteve të radhës ata tanimë kanë humbur thuajse çdo shpresë.