MENU
klinika

Fundi i konfliktit shtatëvjeçar?

Erdogan: Do ta pastrojmë Sirinë nga kurdët dhe IS

22.12.2018 - 13:12

Turqia do të marrë përsipër luftën kundër grupit militant të Shtetit Islamik (IS) në Siri, pas tërheqjes së trupave amerikane nga vendi, tha presidenti Tayyip Erdogan të premten, në trazirat e fundit të shkaktuara nga ndryshimi i menjëhershëm i politikës së Uashingtonit.

Njoftimi i befasishëm i presidentit amerikan Donald Trump këtë javë që ai do të tërheqë afërsisht 2,000 trupa, ka tronditur Lindjen e Mesme. Kritikët thonë se vendimi i Trump do të bëjë më të vështirë zgjidhjen e konfliktit shtatëvjeçar të Sirisë.

Për Turqinë, hapi largon një burim konfliktesh me Shtetet e Bashkuara. Erdogan e ka kundërshtuar mbështetjen e SHBA për luftëtarët sirianë kurdë YPG kundër IS. Turqia e konsideron YPG një grup terrorist dhe një degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Në një fjalim në Stamboll, Erdogan tha se Turqia do të mobilizohet për të luftuar luftëtarët e IS në Siri dhe po bën planet për të sulmuar luftëtarët kurdë në verilindje të Sirisë.

IS filloi një sulm në juglindje të Sirisë kundër milicisë së SDF të mbështetur nga SHBA, duke përdorur bomba dhe dhjetra militantë.

“Në muajt vijues ne do të krijojmë një plan operacional me qëllim të largimit të Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) dhe gjurmëve të IS-it nga toka e Sirisë”, ka thënë Erdogan në Stamboll.

Presidenti turk kishte njoftuar planet javën e shkuar për të filluar një operacion në lindje të lumit Eufrat në Siri veriore për të rrëzuar YPG nga zona që ajo kontrollon. Këtë javë, ai tha se fushata mund të vijë në çdo moment. Por të premten, ai përmendi bisedën me Trumpin si një arsye për të pritur. “Biseda jonë telefonike me Presidentin Trump, së bashku me kontaktet midis diplomatëve tanë dhe zyrtarëve të sigurisë dhe deklaratave nga Shtetet e Bashkuara, na ka detyruar të presim pak më shumë,” tha ai.

Megjithatë, Erdogan tha se kjo nuk ishte një “periudhë e pritjes ” dhe se , për shkak të “përvojave negative” të së kaluarës, Ankaraja mirëpriti deklaratat e Shteteve të Bashkuara jo me aq kënaqësi.

Turqia ka shprehur në mënyrë të përsëritur frustrimin për atë që thotë se është zbatimi i ngadalshëm i një marrëveshjeje me Uashingtonin për të tërhequr luftëtarët e YPG nga Manbij, një qytet në territorin arab në perëndim të Eufratit në veri të Sirisë.

Ministri i jashtëm i Erdoganit tha se plani i tërheqjes do të diskutohej nga të dy vendet në Uashington në janar 2019.

Duke kundërshtuar vendimin e Trump, sekretari i mbrojtjes i SHBA, Jim Mattis të enjten, befas njoftoi se po jepte dorëheqjen pas takimit me presidentin.

Disa nga republikanët e Trump në Kongres, të bashkuar nga demokratët opozitarë, i kërkuan presidentit të ndryshonte rrugën, duke thënë se tërheqja do të forconte ndikimin e Rusisë dhe Iranit në Siri dhe gjithashtu do të mundësonte një “ringjallje” të IS.

Presidenti Trump, megjithatë, nuk dha asnjë shenjë të ndryshimit të rrugës së tij. Ai premtoi të largojë forcat nga Siria gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016./konica.al