Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka bërë përgjegjëse shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini për dështimin e dialogut me Serbinë, i cili kishte filluar që në vitin 2010.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka fajësuar serish shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini për dështimin e dialogut me Serbinë.
Pas mbledhjes me qeverinë e Kosovës ai ka zbuluar edhe arsyen e nervozimit gjatë takimit të djeshëm me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini në Bruksel, ndërsa shtoi se Kosova nuk do të jetë në mëshirën e të tjerëve.
“Kosova më nuk do të jetë në mëshirë të të tjerëve. Do të binden të gjithë që kjo puna e taksës jo vetëm që nuk ka me u heq, por do të konsolidohet dhe nuk do të ndryshojë deri në njohje të Kosovës. Është absurde me e heq”, tha Haradinaj.
Ndërkohë që nuk është ftuar në takimin që do të mbahet nesër në Bruksel, kryeministri Haradinaj tha se e mirëpret diçka të tillë.
“Nuk më ka mbetur më punë të jem aty. Unë i kam përfunduar ato çfarë duhet të thoja. Mogherini e ka çrregulluar dialogun, ka nxjerrë shumë probleme në rajon”, është shprehur kryeministri kosovar. /Konica.al/