MENU
klinika

Banesat tradicionale

Himara e bukur vlerësohet në Londër me çmim nderi

03.12.2018 - 18:16

Gjatë ceremonisë së Çmimeve të Ekselencës së INTBAU 2018, në Londër, Udhëzuesi Praktik për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Banesave Tradicionale në fshatrat e Bregdetit të Himarës është vlerësuar me çmimin e nderit në kategorinë e Dizajnit Urban.

Ceremonia u zhvillua në “Royal Society of Arts”, në Londër, më 28 nëntor, gjatë Kongresit Botëror të INTBAU 2018, një forum që zhvillohet çdo dy vite, i cili bashkon perspektivat dhe njohuritë globale në diskutim dhe debat mbi çështje të ndryshme sfiduese, me të cilat përballet mjedisi i ndërtuar dhe komunitetet rreth botës sot.

Lajmin e bën të ditur kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili thekson se anëtarët e jurisë, krijuan bindjen se ndikimi që udhëzuesi mund të ketë në ruajtjen e trashëgimisë/banesave tradicionale dhe zhvillimin e vendbanimeve rurale në Rivierën Shqiptare, bënë që udhëzuesi të meritojë këtë vlerësim.

Projektet e transformimit të fshatrave të Dhërmiut dhe të Vunoit në bashkinë e Himarës, mendohet se do të jenë të përfunduara brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm.

Në saj të projekteve synohet që të rikthehen në identitet këto fshatra duke respektuar në detaje të gjithë elementët dhe parametrat arkitekturorë e urbane të periudhave kur janë ndërtuar.

Banesat e fshatrave të bregdetit të Himarës përfaqësojnë jo vetëm traditat në ndërtim, por edhe stilin e jetesës së banorëve. Në fshatin Dhërmi, numërohen rreth 2600 banesa dhe godina të tjera, që janë pjesë e procesit të rikonstruksionit, ndërkohë që në Vuno, numri i tyre shkon në rreth 230.

Veç riparimit dhe restaurimit të fasadave, çative, dyerve, dritareve dhe grilave, në përputhje të plotë me traditën dhe kohën kur janë ndërtuar banesat, projektet përfshijnë edhe plotësimin me infrastrukturën rrugore.

Të gjitha rrugicat do të ndërtohen me kalldrëmin tradicional, aq i veçantë dhe karakteristik për këtë zonë, ndërkohë që gjithçka do të plotësohet me sistemin e kanalizimeve, me ndriçim dhe elementë të tjerë të nevojshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Kush është autori më i mirë i vitit

Panairi i Librit 2024 shpall fituesit

Pasurohet oferta turistike e qytetit

Hap dyert Muzeu Etnografik i Kavajës

Nga Athina në Rumani e kthimi në atdhe

Jeta e trazuar e Lasgush Poradecit!