MENU
klinika

1.8% për nëntorin

Inflacioni ulet më tej

07.12.2018 - 12:35

Inflacioni ra për të pestin muaj radhazi në nëntor dhe preku nivelin më të ulët në 10 muajt e fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit për nëntorin ishte 1.8%, nga 1.9% që pati qenë në tetor.

Rënia e inflacionit për nëntorin u ndikua sidomos nga grupet transporti, qira, ujë, energji dhe shëndeti. Rënia e çmimit të karburanteve në fund të nëntorit e ka ulur inflacionin e grupit transporti në 2.5%, nga 4.3% që pati qenë në tetor.

Ndërkohë, grupi me ndikimin kryesor ai i ushqimeve shënoi një rritje të lehtë të inflacionit, për herë të parë që nga qershori. Inflacioni i këtij grupi u rrit në 2%, nga 1.8% që kishte qenë për tetorin.

Rënia e inflacionit që ka nisur në gjysmën e dytë të vitit mund të shpjegohet me disa faktorë. Gjatë muajve të verës zbutja e çmimeve të prodhimeve bujqësore ka pasur një rol përcaktues.

Një ndikim të ngjashëm kanë dhënë çmimet e ulëta të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare. Gjithashtu, leku i fortë në kursin e këmbimit valutor ngelet gjithashtu një faktor me ndikim të konsiderueshëm në uljen e presioneve inflacioniste nga jashtë.

Këta faktorë kanë bërë që inflacioni të bjerë sërish nën intervalin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Vetë Banka Qendrore, në raportin e fundit të politikës monetare, shprehej se rritja e inflacionit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit, është ndikuar së shumti nga komponentë afatshkurtër.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3% vetëm në vitin 2020.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN