Banka e Shqipërisë vlerëson se ndërhyrja gjatë tremujorit të tretë të vitit e ka qetësuar tregun valutor dhe ka ulur pasiguritë. Ky konkluzion mbështetet në analizën e disa treguesve që tregojnë ecurinë e kursit dhe qëndrimin e agjentëve të tregut.
Treguesi i parë i marrë në konsideratë është spread-i ose diferenca midis çmimit të blerjes dhe të shitjes së euros. Kjo diferencë shënoi maksimumin në muajin qershor, çka tregon një pasiguri të lartë mes agjentëve të këmbimit valutor.
Pas qershorit, spread-i është ulur, duke iu rikthyer normalitetit. Rënia e pasigurisë është vërejtur si në ngushtimin e ndjeshëm të intervalit të shpërndarjes së spread-eve të kuotuara, ashtu edhe në uljen e nivelit mesatar të tij në tremujorin e tretë e të katërt. Kjo ecuri dëshmon për një qetësim të sjelljes së operatorëve financiarë në tregun valutor.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë inkurajoi bankat të marrin një rol më aktiv në absorbimin e goditjeve të tregut valutor, duke përcaktuar një ecuri normale të kursit edhe në mungesë të pranisë së saj. Pozicioni valutor i bankave tregtare tregon se gjatë tremujorit të tretë e të katërt, ato kanë akumuluar valutë në bilancet e tyre, duke u kujdesuar që të jenë në përputhje me kuadrin rregullativ.
Ky tregues pasqyron se në ndryshim nga më parë, bankat kanë ndryshuar sjellje dhe kanë marrë pozicione të gjata në treg, duke u bërë më aktive në rolin e tyre si ndërmjetës në tregun valutor. Një tjetër tregues që dëshmonte rritjen e pasigurisë në tregun valutor është dhe luhatshmëria ditore e kursit të këmbimit.
Gjatë muajit qershor, devijimi standard i luhatjeve ditore kulmoi gati në 4.6 herë më shumë se mesatarja e pesë viteve të fundit. Prania e vazhdueshme e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ndikoi në uljen e ndjeshme të këtij treguesi dhe kthimin në normalitet të tij, por luhatshmëria ditore e kursit euro/lek është tkurrur edhe në periudhën kur Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e pranishme në treg.
Në fakt, gjatë tremujorit të katërt, Banka e Shqipërisë pothuajse nuk ka qenë e pranishme në tregun valutor, ndërsa gjatë nëntë muajve të parë pati blerë rreth 400 milionë euro, kryesisht me qëllim frenimin e forcimit të lekut.