Në këtë material do të flasim për cilësitë e mira mjekësore që ka vërriu. Në këtë gjini bëjnë pjesë vërriu i zi dhe vërriu i thamë, të cilët janë shumë të ngjashëm nga përbërja dhe vetitë kimike që kanë.
Të dy llojet janë bimë drusore, që rriten deri në 25 m lartësi. Kanë një sistem rrënjor mjaft të zhvilluar, ndaj këshillohen të mbillen në zonat e rrezikuara nga erozioni.
Në bimët e reja, lëvorja e lëmuar e degëve mbulohet me qimet ngjitëse; në qendër ka palcë trekëndëshe, kurse në degët e vjetra bojëqielli në të murrme, lëvorja është e ashpër. Bima ka kurorë kupole në formë vezake dhe sythe ngjitës, rreth e rrotull, që mbulohen nga dy luspa.
Gjethet e sapodala janë të rrumbullakta dhe radhiten në formë spiraleje. Lulet dyseksore janë mjaltëse, sidomos në pranverën e hershme. Lulet mashkullore kanë bisht të gjatë ngjyrë kafeje dhe rrinë në tufa me nga 3-4 të tilla, kurse ato femërore kanë ngjyrë më të errët kafeje dhe formë topi në vezake.
Fruti i vërriut të zi është në formën e arrës dhe lulëzon gjatë muajve shkurt, mars dhe prill. Të gjitha pjesët e bimës përmbajnë lëndë regjëse. Boçet përmbajnë më së shumti taninë, kurse lëvorja është e pasur me terpentinë, terakserol, glutanon, lupeol, esencë të kuqe, rrëshirë dhe flobafen.
Të gjitha këto, e bëjnë shumë të rekomandueshëm në regjien e lëkurave. Gjethet e thata kanë protein, yndyrë, vitamina c, salicinë e populinë etj. Bima e vërriut të zi përdoret për efektet kurative të boçeve, lëvoreve dhe gjetheve. Boçet e drunjëzuara mblidhen gjatë periudhës vjeshtë-dimër, kurse lëvorja, nga degët e reja të pranverës, të cilat kanë më tepër lëng dhe gjethe.
Pas pastrimit nga mbeturinat e ndryshme, materiali thahet në vende të ajrosura mirë ose në furra. Gjethet thahen me vështirësi prandaj duhet pasur kujdes që shtresat të jenë sa më të holla. Pas tharjes, pasha e tyre zvogëlohet deri në katër herë, kurse përmasat deri në gjashtë herë.
Në gjendje të thatë, ato ambalazhohen nëpër torba pëlhure ose qese letre dhe ruhen në ambiente pa lagështirë. Përdoren mjaft mirë në trajtë çaji, duke hedhur dy lugë kafeje të grimcuara, në një gotë ujë. Gjethet e freskëta mund të përdoren si ushqim për bagëtinë, ndërsa të shydhura mirë mjekojnë puçrrat, mjasëllin dhe infeklsionet e lëkurës.
Kundër të ftohtit
Merret 20-30 gr pluhur i grimcuar prej boçeve të vërriut të zi dhe zihet në gjysmë litri ujë, për 20 minuta. Më pas, tretësira kullohet dhe çaji konsumohet nga një lugë gjelle, 4-5 herë brenda ditës, përpara ushqimit. Me përdorim të jashtëm, pluhuri i boçeve dhe lëvoreve, përdoret për të bërë gargarë në sëmundjet e gojës, bajameve dhe fytit, për larjen e plagëve etj.
Kurimi i qelbosjeve tek kafshët
Në këtë rast, pluhuri i “drogës” së bimës përzihet mirë me ujë, derisa të krijohet një masë në trajtë melhemi, që shërben për të lyer pjesët e sëmura të kafshës. Përzierja bëhet në pjestimin; 1 masë ujë me 10 maas pluhur të bimës. Po ky pluhur i lëvores së bimës, mund të përdoret edhe për ngjyrosjen e leshit dhe lëkurave, pasi përmban nuanca të ndryshme të së verdhës, së zezës, së kuqes dhe kafesë.
“Droga” e vërriut të zi, përdoret edhe në kurimin e:
Diarresë;
Temperaturës;
Çrregullimet e stomakut dhe zorrëve’
Hemorroideve.