MENU
klinika

Nga Igli Tola

Kosovë vs. Serbi, po Shqipëria?

04.12.2018 - 15:39

“Ballkani, fuçi baruti”, postulat që daton nga luftërat ballkanike të fillim shekullit të shkuar, por që duket shumë aktual dhe ‘trend’ edhe në ditët e sotme.

Duket sikur ‘ora biologjike’ ka mbetur në vend numëro, pasi realiteti socio-politik ka mbetur ‘kuazi’ identik dhe i vetmi progres i shënuar është kalimi nga lufta e armatosur, në trajta më konvencionale si lufta ‘ekonomike’.

Vendimi i Kosovës për të taksuar në masën 100 për qind produktet e importit nga Serbia dhe Bosnja u duk si ndonjë ‘tërmet’ 7-ballësh, pasi tronditi jo vetëm shtetet ballkanike rrotull ‘epiqendrës’, por ‘lëkundjet sizmike’ të tij u ndjenë deri në Brukselin ‘e largët’.

‘I largët’ jo vetëm për nga distanca gjeografike, por edhe interesimi dhe përkujdesi i munguar përkundër aspiratave integruese për në Union të këtyre vendeve. Vendimi sipas drejtuesve të lartë të BE-së bie ndesh me amendimin dhe zgjerimin e fushë-veprimit të “Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Vendet e Evropës Qendrore” (CEFTA) që u nënshkrua në Bukuresht më 19 dhjetor 2006 dhe filloi të zbatohej në vitin 2007.

serbi kosove
serbi kosove

Vendet që zbatojnë këtë marrëveshje mes tyre janë: Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Moldavia.

Pavarësisht se zbatimi filloi më 2007, politikat doganore u liberalizuan plotësisht vetëm pas vitit 2014, kur të gjitha vendet pjesëmarrëse implementuan “Protokollin Shtesë II” të kësaj Marrëveshjeje.

Megjithatë përkundër deklaratave të Mogherinit, shteti serb e ka shkelur rishtazi para Kosovës parimin e reciprocitetit sa i takon sferës ekonomike sipas CEFTA-s dhe MSA-së, duke u kthyer në precedent. Këto veprime i ka bërë jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Shqipërisë.

Shembulli më i qartë është bllokimi prej shumë vitesh nga ana e Serbisë i vënies në shfrytëzim të linjës së transmetimit (interkonjeksionit) 400kv të energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Projekti ka kushtuar afër 80 milionë euro dhe do ti shërbente jo vetëm Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe gjithë projektit europian të ndërtimit të rrjetit të përbashkët të energjisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Vendim i njëanshëm i qeverisë serbe që i shkakton dëm financiar miliona eurosh ekonomive tona.

Po a do të munden produktet shqiptare të shfrytëzojnë këtë mundësi?

Qeveritë tona në të dy anët e kufirit i kanë zëvendësuar tarifat doganore me taksa private që vijnë nga koncesionet, si tolli i “Rrugës së Kombit”, skanimi, terminali doganor në Kosovë etj.

Një biznesi nga Shqipëria që eksporton në Kosovë i duhet të harxhojë vetëm për një procedurë gati 276 euro. Nga kjo shumë 30 euro shkojnë për agjensinë doganore, 40 euro janë pagesë terminali, 68 euro kushton certifikata fitosanitare (ku 28 euro është pagesa standarde për 20 ton plus 2 euro të tjera për çdo ton).

Ndërsa 138 euro të tjera janë pagesa për tarifat e hyrjes në rastin e një kamioni dhe 22,5 euro të tjera pagesa e tollit të rrugës në Kalimash.

taksa kunder prodhimeve serbe-konica.al
taksa kunder prodhimeve serbe-konica.al

Tarifa të tilla që shkojnë deri në 10% të vlerës së mallit jo vetëm që i bëjnë jokonkurrues mallrat tanë, por gjithashtu zvarrisin procedurën e lëvrimit (zhdoganimit) të mallrave në mesatarisht 2 ditë. Pra, në terma të thjeshtëzuar, kosto e lartë dhe kohë e humbur, që në vetvete përbën kosto shtesë për biznesin.

Ka mjete për të lehtësuar tregtinë edhe pa ndryshuar kodin doganor. Për shembull, Shqipëria dhe Kosova mund të nisin të aplikojnë ‘faturën-deklaratë’.

Kjo do të thotë që, kur një kamion niset nga Tirana në Kosovë, fatura fiskale e Shqipërisë të njihet edhe faturë eksporti dhe anasjelltas, e të deklarohet në dy sistemet, në tatimet e Shqipërisë dhe ato të Kosovës. Në pikën doganore duhet të instalohet pajisja që të lexojë faturën fiskale dhe kështu, më pas, malli gjurmohet për llogari të Kosovës.

Vetëm nëpërmjet këtij investimi modest, kostot për një procedurë doganore lehtësohen me gati 80 euro, pasi kamionit nuk i duhet të ndalojë në agjensitë doganore

Pengesat tarifore dhe ato burokratike që u elaboruan më sipër bëhen pengesa për tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovë, por arsyeja kryesore se përse dy ekonomitë nuk kanë tregti dinamikisht të vrullshme mes tyre, është tjetër: mungesa e prodhimit.

As Shqipëria as Kosova nuk performojnë dot në sektorët e prodhimit dhe për më tepër në shumë drejtime për sa i përket tregtisë struktura e ekonomisë së Shqipërisë me atë të Kosovës është e ngjashme.

Pra nuk arrhet të shfrytëzohet parimi i komplementaritetit. Po të analizohen të dhënat për flukset tregtare mes 3 vendeve gjatë vitit të kaluar, shihet se Kosova importoi 450 milionë euro mallra nga Serbia, ndërsa importet nga Shqipëria për të njëjtën periudhë ishin tri herë më pak, ose 152 milionë euro.

Në pamje të parë duket si skenar pozitiv për Shqipërinë, pasi Shqipërisë i ofrohet mundësia të rrisë importet dhe njëkohësisht të përmirësojë defiçitin tregtar me 450 milion euro, por po të shihen mallrat që Kosova importon prej 2 shteteve respektive kuptohet që skenari bëhet praktikisht i parealizueshëm.

Gati 40 për qind e mallrave që Kosova blen nga Serbia përbëhen nga 6 produkte: energjia elektrike, karburanti, pijet freskuese, sheqeri, vaji dhe gruri.

Ndërsa importet nga Shqipëria janë edhe më të përqëndruara. Sipas të dhënave nga INSTAT, 73 për qind e importeve totale që Kosova blen nga Shqipëria dominohen nga 5 produkte. Në vend të parë është çeliku me 58.4 milionë euro. Pastaj vijnë me radhë karburantet, çimentoja, alumini dhe zarzavatet.

I vetmi produkt, të cilin ajo e importon në masë nga të dyja vendet është karburanti, që vjen si nga prodhimi vendas i rafinerisë së Ballshit, ashtu dhe rieskporti që bëjnë kompanitë shqiptare të karburanteve në Kosovë.

Në terma aftashkurtër, ky duket se mund të jetë dhe efekti më i rëndësishëm që taksimi i produkteve serbe do të ketë në tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës, pasi për produktet e tjera Shqipëria rezulton vend defiçitar (që nuk i prodhon vet, por i importon nga jashtë në masën më të madhe).

Mjafton të kujtohet mielli serb, që ka pushtuar tregjet e të dy shteteve edhe pse është shumë larg standarteve për vlerat ushqyese dhe përmbajtjen biologjike.

Po ashtu, thellimi i tregtisë me Kosovën pamundësohet edhe nga kostot e larta të prodhimit në Shqipëri, legjislacioni fiskal (akciza), mos shfrytëzimi i ekonomisë së shkallës, si pasojë e nivelit të ulët të automatizimit të prodhimit etj.

Vendi ynë ka çmimin më të lartë të karburanteve në Rajon, mbi 180 lek për litër, po ashtu për ujin paguhet gati 3-fish më tepër se në Rajon, energjinë gati 40% më shumë etj.

Përpos inputeve të shtrenjta mungon edhe teknologjia në sektorët industrial, apo agropërpunues, gjë që ndikon si në sasinë dhe cilësinë e produkteve të ofruara. Së fundmi, barra fiskale e rëndë dhe subvencionet e pakta në përkrahje të prodhuesve vendas, krahasimisht me shtetet fqinje i bën jokonkuruese produktet shqiptare.

Këtë vit, fermerëve vendas iu ndanë 20 milionë euro nga Skema Kombëtare e Mbështjetjes dhe 94 milionë euro nga IPARD-i, projekt i përbashkët mes qeverisë dhe Bashkimit Europian, ndërsa vetëm në Kosovë vitin e shkuar u shpërndanë 25 milionë euro.

Të tre këto faktorë, po edhe shumë të tjerë (psh. psikologjia dhe lidhja me produktet serbe që kanë konsumatorët kosovarë nga koha e Jugosllavisë), bëjnë që Shqipëria mos të gëzojë avantazh konkurrues për të rritur eksportet në Kosovë.

Fqinjët si Maqedonia, po pse jo edhe ekonomi anëtare të BE-së ta shfrytëzojnë shumë më mirë se Shqipëria këtë situatë, duke u favorizuar nga çmimet konkurruese, por mbi të gjitha nga vullneti dhe predispoziteti institucional për t’iu përgjigjur dinamikave dhe mundësive që ofrojnë tregjet ndërkombëtare.