MENU
klinika

Albert Çaçi

Kurdët përsëri vetëm

23.12.2018 - 15:33

Vendimi i Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria ra si një tërmet i fuqishëm duke tronditur nga themelet gjithë skakieren e Lindjes së Mesme. Valët e këtij tërmeti i lanë shumë nga aktorët  në një gjendje që shkontë nga të shokuarit si Kurdët dhe Israeli e deri tek të habiturit si Arabia Saudite, Katari, Jordania etj. 

I vetmi që nuk reagoi ishte Erdogani, pasi siç duket Trump ia kishte komunikuar vendimin më parë dhe ky ishte një burim irritimi për Netanjahun që u njoftua vetëm  pak minuta përpara shpalljes.

Në fakt vendimi i Trump nuk ishte një shpërthim i çastit emotiv por konkluzion i një analize të detajuar të gjithë situatës në kompleks.

Pavarësisht se Sekretari i Mbrojtjes Matis dha dorëheqjen dhe një pjesë e senatorëve dhe kongresmeneve ishin kundër, ashtu si edhe mediat kryesore New York Times, Washington Post (që nuk ka një vendim të Trump që ato të mos jenë kundër), ai ka arsyet e tij pse e mori këtë veprim që për shumë është sfidant.

1- Në radhë të parë është Turqia. Mbas një ambiguiteti të paktën 3-vjeçar tashmë SHBA duhet të bëntë nje pozicionim të qartë-  o me Turqine o me Kurdët .Situata ne terren me tanket turke gati për ofensivën e re në Sirinë verilindore kundër kurdëve po krijonte një gjEndje  jashtëzakonisht të komplikuar ushtarake. Këtë radhë ishte e pamundur të mënjanohej një përplasje direkte midis trupave të dy vendeve. Midis konfrontimit dhe tërheqjen  SHBA zgjodhën të dytën.

Në planin gjeopolitik si rrallë ndonjëherë SHBA duhet të zgjidhnin  ndërmjet një aleati madhor në planin gjeostrategjik botëror siç është Turqia, anëtar i NATO-s  dhe një aleati strategjik rajonal siç janë kurdët.

Mbështetja e mëtejshme e kurdëve dhe konfrontimi ushtarak do të  largonte përfundimisht Turqinë nga Perëndimi duke e shtyrë në aleanca me Rusinë e Putinit dhe Iranin e Ajatollahëve  dhe duke komplikuar shumë situatën gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

Bashkëpunimi shumë i ngushtë i Turqisë me Rusinë në fushën e gazit, energjisë atomike, blerjen e S-400 nuk mund të tolerohej më. Aq më tepër që një kontratë për blerje nga ana e Turqisë të 110 avionë  F-35 me vlerë 13 miliardë dollarë dhe sistemeve antirakete Patriot me vlerë 4 miliard dollarë, në rast të një konfrontimi në Kurdistanin sirian do të anullohej, duke shkaktuar një humbje jo të vogël për interesat e industrisë së luftës të SHBA.

Kështu që Trump e zgjidhi nyjen gordiane në favor të Turqisë.

2-Një zgjidhje të tillë e impononte edhe situata operative ushtarake në terren. Me konsolidimin e Asadit që tashmë zotëron mbi 2/3 e territorit ku banojnë  80% të popullsisë,  për SHBA u bë shumë i vështirë qëndrimi për një objektiv të vogël  siç është  mbrojtja e kurdëve.

Pozicionuar në pjesën lindore të Eufratit, me 2200 trupat e tyre speciale dhe në bazën në shkretëtirë të Al-Tanf në kufirin me Jordaninë, larg bazave në Mesdhe dhe Gjirin Persik, po bëhej gjithmonë edhe më e vështirë dhe shumë e kushtueshme mbështetja e tyre logjistike. Nga ana tjetër bllokimi i gjithë hapsirës ajrore nga S-400 ruse  dhe furnizimi  me S-300 e trupave të Asadit po bënte gjithmonë dhe më vulnerabël operimin e aviacionit  luftarak amerikan. Rreziku i një incidenti me rusët dhe nisja e një konflikti te paparashikuar po bëhej gjthmonë edhe më problematik.

3- Realizimi i këtyre objektivave të reduktuar tashmë, nuk po justifikonte me shpenzimet e mëdha financiare. Trump deklaroi qartë “Administata ime nuk dëshiron të bëhet një xhandar ndërkombëtar”.

Që nga 2003 kur ndërhymë në Irak kemi shpenzuar 7 triliardë dollarë, dhe çfarë kemi fituar në Lindjen e Mesme, pothuajse asgjë.

Ne na duhet fonde për të ndërtuar murin me Meksikën për të rritur sigurinë e SHBA dhe për të mbështetur planin tim madhor prej 900 miliard USD për infrastukturën në SHBA që ka probleme të jashtëzakonshme.

Duke parë se askush nuk paguante më për mbajtjen e  trupave në Siri (tashmë që rebelet dështuan, asnjë  nga financuesit e tyre nuk i mbështet më, pasi siç dihet me humbësit nuk ka dëshirë të merret askush) raporti kosto-përfitim rezultonte tepër negativ në Siri.

Të shpenzosh vetëm për kauzën kurde është shumë pak për të justifikuar impenjimin e superfuqisë më të madhe botërore.

Ata që ngelen me të vërtetë  të shokuar ishin Kurdët. Në momentin që po pregatiteshin për të përballuar ofensivën e re turke, për të mos lejuar përsëritjen e një Afrini të ri, tërheqja e SHBA, për  shtabi politik kurd konsiderohet një thikë mbas shpine.

Në fakt duhet të jesh miop gjepopolitik që të mos kuptosh se në fund të fundit midis një  aleati të fuqishëm si Turqia dhe kurdëve, SHBA nuk kishin asnjë arsye që të  zgjidhnin kurdët.

Tashmë kurdët si përherë në historinë e tyre tragjike  do të duhet të përballen të vetëm me turqit. Tentativa e tyre e fundit për të kërkur që të mbështetet nga Franca e Macron duket më tepër një lëvizje e dëshpëruar.

Kurdet tashmë do të përballen me skenarin me negativ të mundshëm  ku përballë kanë tanket turke gati për ofensivë, nga poshtë janë trupat jo miqësore të Assadit dhe SHBA që po largohet.

Lëvizja e fundit amerikane pa dyshim është pritur me shumë kënaqësi nga turqit. Tashmë nuk do të ketë  kush t’i pengojë që të ndërhyjnë për të krijuar një fashë sigurie prej 20 km për gjatë gjithë kufirit verilindor të Sirisë, duke i spostuar kurdët nga tokat e tyre. Nëse turqit do ta realizojnë këtë objektiv, atëherë do të rezultojë se kurdët janë një nga humbësit më të mëdhenj të luftës së Sirisë, pasi me gjithë sakrificat po humbin me shumë se ç’kishin  para fillimit të konfliktit në 2011.

Ai që e ka pritur me shumë  shqetësim  tërheqjen  e SHBA është Israeli. Largimi i SHBA, sipas Israelt, ia lë Sirinë plotësisht në duart e Rusisë  dhe Turqisë duke i lënë fushë të lirë si trupave iraniane ashte dhe Hesbollahëve.

Edhe për Israelin ky përfundim i luftës së Sirisë është skenari me negativ i mundshëm. Pavarësisht se Netanjahu deklaroi se  do të vazhdojë të godasë objektivat në Siri,  ky është më shumë një  deklarim politik se sa ka të bëjë me realitetin  operativ në terren. Furnizimi i Asadit me  sistemet kundërajrore S-300 i ka komplikuar së tepërmi  planet  israelite dhe rreziku i një hakmarrje ruse për avionin IL-20 të rrëzuar është gjithmonë prezent.

Akuzat kryesore që i bënin Trump NYT dhe Washington Post ishin se me këtë tërheqje ai ia linte Sirinë Putinit. Nuk përjashtohet edhe mundësia që mund edhe të jenë dakordësuar në takimin e Helsinkit.

Putin e ka shumë të qartë se largimi i amerikanëve është një avantazh i madh për përfundimin me sukses të aventurës siriane. Objektivat e Rusisë mund të konsiderohen të realizuar. Mbajti Assadin në pushtet, nuk lejoi ndarjen e Sirisë në tre pjesë sipas përkatësisë etnike, siguroi mbajtjen e e bazës  detare në Mesdhe, ndaloi ndërtimin e gasjellësit Katar-Irak-Siri-Europë që do të konkurronte direkt Gazpromin, konsolidoi prezencën në Lindjen e Mesme.

Por problemi nuk është kaq i lehtë sa duket, prandaj Putin po mban një profil të ulët dhe jo euforik,  pasi gjithçka mund t’i dalë jashtë kontrollit dhe ai e di shumë mirë këtë. Fakti që dje anije transporti ruse me armatim u  nisën nga Sevastopuli drejt Sirisë, tregon se lufta nuk ka mbaruar.

Putini i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe samitit të Stambollit në formatin 4 me Erdoganin, Merkelin dhe Makronin që do të përsëritet në Janar. Me këtë format që  përjashton Iranin (çdo involvim i Iranit  irriton SHBA dhe Israelin) ai synon të japë një zgjidhje politike për ta përfunduar këtë krizë sa më shpejt.

Futja e Gjermanisë dhe Francës në vendimarrjen për të ardhmen e Sirisë është një lëvizje për të demonstruar se kjo zgjidhje është dakordësuar edhe me një pjesë të Perëndimit dhe nuk është një provë force e Putinit që në këtë moment nuk ka asnjë arsye të irritojë SHBA dhe Israelin.

Lëvizja e fundit e Trump pavarësisht shumë kundërshtive që vijnë nga shumë anë mund t’i japë fund konfliktit 6-vjeçar sirianë. Dhe ashtu si çdo konflikt do të ketë fitues dhe humbës, pavarësisht subjektivizmit me të cilët vetëshpallen palët.

Dhe padyshim që humbësit më të mëdhenj pas ISIS, po rezultojnë Kurdët dhe  mallkimi historik duket se do të vazhdojë t’i ndjekë. U nisën me ëndrrën  për të krijuar shtetin e panvarur në Kurdistanin sirian (Rojava), por mbas 6 vjet luftime rezulton se u përzunë nga Turqia nga pjesa perëndimore e Eufradit që nga Afrini deri në Jarablus dhe  tani mund të përfundojnë me tanket turke, brenda shtëpisë në pjesën lindore të Eufratit.

Dhe është për të ardhur  keq se kanë bërë shumë sakrifica  dhe kanë shumë kontribute në luftën kundër ISIS, sidomos në marrjen e Rakës.

Por të jesh një komb pa shtet në skakierën më të vështirë të botës, atë të Lindjes së Mesme, ku armiku i armikut tënd nuk rezulton gjithmonë  të jet miku yt, është shume e vështirë  të orientohesh në zgjedhje aleancash  dhe pozicionime  strategjike.

Edhe njëherë  historia siç duket po iu kujton (pasi shpesh e harrojnë)  se sa i vërtetë është proverbi i tyre tragjik se kurdët në këtë botë kanë aleatë vetëm malet.

Albert Çaçi