Denoncimet e qytetarëve për korrupsion dhe abuzime me detyrën e kanë çuar Task Forcën Antikorrupsion gjatë javës së kaluar në dyert e ZRPP së Lushnjës, aty ku u paralajmëruan për pushim nga puna regjistruesi dhe 5 specialistë.
Rezultatet e kontrollit i bëri të ditura sot për mediat ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj njëherësh Koordinatorja Kombëtare e Antikorrupsionit.
Sipas saj, nga kontrolli në ZRPP e Lushnjës janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish në respektimin e afateve të trajtimit dhe përfundimit të kërkesave të qytetarëve çka ka bërë që në këtë ZRPP të ketë një numër të madh praktikash të prapambetura, ende të patrajtuara.
Po ashtu, janë konstatuar shkelje të urdhërave dhe rregulloreve lidhur me organizimin e brendshëm të punës si dhe bashkërendimit me ALUIZNI-n për procedurat apo kufizimet që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara.
Ministrja vlerësoi ndër të tjera punën e mirë të kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit ku vetëm në dy javë janë evidentuar 15 vepra penale në fushën e korrupsionit me 20 autorë.