MENU
klinika

13 kërkesa

Maqedonia si Shqipëria/ Studentët protestojnë

19.12.2018 - 10:30

Studentët e Universitetit të Tetovës, të cilëve iu janë bashkangjitur edhe disa grupe të studentëve nga Universiteti “Nënë Tereza” nga Shkupi dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, përmes protestës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për gjendjen në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Studentët gjatë parakalimit në rrugët e Tetovës kanë mbajtur parulla, ku shkruhej “Ndal korrupsionit”, “Kërkojmë drejtësi”, “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, “Jashtë partitë politike, poshtë nepotizmi”. Studentët marshin protestues e përfunduan para godinës së Universitetit të Tetovës, pasi atyre nuk iu është lejuar hyrja në oborrin e UT-së nga ana e forcave të policisë.

Studentët kanë parashtruar plotësimin e 13 kërkesave, mes të cilave heqjen e pagesës së praktikës dy mujore, zvogëlimin e tarifës për studentët e huaj, largimi i pagesës prej 100€ për çregjistrim nga universiteti, ndalimi i kushtëzimit me blerje të librave për nënshkrim nga ana e profesorëve të caktuar, furnizimi dhe renovimi i sallave, laboratorëve dhe mjeteve tjera të domosdoshme për studentët, parlamenti studentor të jetë i pavarur nga rektori dhe partitë politike, rishikim të titujve akademikë dhe verifikim të plagjiaturave, të ndërpritet ndikimi i emërimit të mësimdhënësve nga partitë politike dhe urgjentisht të çlirohet universitetet nga nepotizmi i skajshëm.

Nga Universiteti i Tetovës ka dalë një deklaratë për shtyp, ku theksohet, se kurrë nuk ka pasur hezitim të dëgjohet zëri i studentëve dhe se Universiteti i Tetovës është i rinisë studentore dhe popullit.

Për çdo shqetësim studentor, për aq sa kemi pasur ankesa të bazuara dhe të qëndruara, ne gjithmonë kemi marrë masat e duhura dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm t’i qëndrojmë fisnik këtij parimi human, etik dhe ligjor. UT është i popullit dhe rinisë studentore dhe nuk guxon të bëhet tabelë qitjeje e askujt, aq më pak e grupeve të caktuara të interesit. Çdo shqetësim, pakënaqësi apo revoltë duhet të zgjidhet institucionalisht”, thuhet në komunikatën e UT-së.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Shkup thotë se po i ndjek me vëmendje kërkesat e studentëve që i paraqitën në protestën e organizuar në Tetovë, edhe pse paraprakisht në rrugë zyrtare nuk janë njoftuar për to. /Konica.al/