MENU
klinika

Studentët e përzenë

Nikolla merr guximin të përballet me studentët

08.12.2018 - 13:57

Ministrja e Arsimit ka dalë në protestën e studentëve por është pritur me ovacione dhe ulërima pakënaqësie, çka ka bërë që ajo të kthehet sërish brenda Ministrisë.

Qindra e mijëra studentë vazhdojnë edhe sot lëvizjen dhe protestën e tyre. Ata kanë deklaruar se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe se nuk ka asnjë lidhje me politikën.

“Protesta do vazhdojë, s’do ketë tërheqje. Do vazhdojmë deri në grevë urie”, tha një student në protestë.

Të pyetur pse nuk ulen në bisedime pas thirrjes së kryeministrit ata thanë se së pari duhet të plotësohen kërkesat.

“Nuk ka asnjë arsye të bisedojmë me Kryeministrin për sa kohë nuk plotësohen kërkesat bazë”, u shpreh një tjetër.

Gjithashtu studentët me parulla në duar kanë kërkuar vetting për pedagogët, duke akuzuar shumë prej tyre për korrupsion.

Ndërkohë banorët e Unazës së Re kanë ardhur në Rrugën e Durrësit për t’iu bashkuar studentëve.

Por kjo gjë ka rënë ndesh me disa prej studentëve të protestës. Studentët janë të ndarë në qëndrime. Banorët kanë thënë se do mbështesin studentët dhe kanë ardhur për kauzat e studentëve.

“Do dalim në rrugë me qindra me mijëra po nuk ranë tarifat do bjerë ministria. Lindita Nikolla ti je ngelëse. Lindita Nikolla dil në bulevard shkolle është e jona jo biznes privat. Lindita Nikolla mos dil nga ministria sot erdhën studentët nuk erdhi ushtria”, kanë qenë disa nga thirrjet e studentëve.

Prej ditësh ata kanë parashtruar disa kërkesa ndaj qeverisë por kjo është dita e tretë që protesta është kthyer në një lëvizje dhe mbahet në të gjitha Universitetet e vendit.

Studentët janë ndalur në rrugë duke kënduar himnin kombëtar për disa çaste dhe më pas janë mbledhur para MASR.

KËRKESA E PLOTË E STUDENTËVE

Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla
Lënda: Kthim përgjigje me shkresë zyrtare
1. Përgjysmim i tarifës së studimi
2. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.
3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.
5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.
6. Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.
7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë.
8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.
Presim përgjigje zyrtare me shkrim deri në orën 14:00. Kërkesa drejtohet nga Këshilla studentor.

PËRGJIGJIA E MINISTRES NIKOLLA:

Të nderuar studentë,

Në përgjigje të kërkesës suaj, nr 12520, datë, 07.12.2018, bashkëlidhur ju informojmë se:
Lidhur me pikën 1, 6 dhe 7 të kërkesës, për vlerësimin e tarifave të studimit, vlerësimin e kushteve të rezidencave studentore dhe buxhetit për arsimin e lartë edhe sipas kërkesës suaj të datës 06.12.2018 do të ngrihen grupet e posaçme të punës, me përfaqësues të këshillave studentore, MASR dhe institucioneve publike të arsimit të lartë.

Lidhur me pikat 2 dhe 3 të kërkesës, konsiderojmë se është e nevojshme të vlerësohen ndryshime ligjore të cilat do të jenë gjithashtu pjesë e diskutimeve, të grupeve të posaçme të punës që do të ngrihen.
Lidhur me Pikën 4 dhe 5 të kërkesës, sqarojmë se mbështetja studentore për kërkimin shkencor dhe të studentëve të ciklit të lartë të tretë të studimeve përfshirë edhe gradën shkencore ‘Doktor’ tashmë është e garantuar ligjërisht.

Lidhur me pikën 8 të kërkesëse, sqarojmë se tashmë nga ana e MASR janë marrë masat e nevojshme dhe brenda vitit akademik 2018-2019, të gjithë studentët do të jenë të pajisur me kartën e studentit.
Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit është e hapur dhe e gatshme për të diskutuar në institucione, sipas cdo formati të propozuar nga ju të gjitha cështjet e ngritura.

Kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë merr vendimin për Fredi Belerin

Arrestohet disa orë pas daljes nga burgu “Buzëderri”!

Sokol Simonati përfitoi nga amnistia, por…

"Të rikthehen koalicionet dhe lista të hapura"

Bylykbashi prezanton qëndrimin për reformën zgjedhore