MENU
klinika

Paketa antishpifje

Oganizatat ndërkombëtare-Ramës: Tërhiqu nga ligji për mediat!

26.12.2018 - 16:54

Katër organizata i kanë dërguar kryeministrit Edi Rama e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, një letër të hapur ku i kërkojnë tërheqjen nga ligji për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen e mbylljen e portaleve online.

Kjo iniciativë është prezantuar pak kohë më parë nga kreu i qeverisë dhe lidhet me atë që ai e quan “paketa antishpifje”.

Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet.

“Iniciativa juaj është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne,” shkruhet në letër.

rama-konica.al

“Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim,” shkruhet aty.

“Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit. Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët,” vijon më tej letra.

Projektligjet e hartuara nga qeveria parashikojnë krijimin e një regjistri të medias online pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) si dhe vendosjen e përmbajtjes së medias online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash, një komision pranë AMA, i cili do të ketë fuqinë të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon moralin publik apo jo dhe nëse e gjykon të arsyeshme, mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe të urdhërojë mbylljen e këtyre mediave.