MENU
klinika

Pritet përgjigja

Drafti i paketës antishpifje në Bruksel

21.12.2018 - 16:16

Debatet mes qeverisë dhe grupeve të interesit për paketën antishpifje mund të marrin një zgjidhje pas përgjigjes nga Brukseli zyrtar.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë e ka dërguar draftin në Bruksel për të marrë një opinion mbi këto ndryshime ligjore dhe nëse janë në përputhje me direktivat e BE-së.

Drafti për ndryshimet ligjore, pjesë e paketës antishpifje, tashmë po shqyrtohet nga autoritetet e Brukselit.

Në kohën kur grupi negociator i qeverisë po zhvillon takime konsultative me grupet e interesit në kryeqytet, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka kërkuar opinion nga zyrtarët e BE-së.

Në një komunikim me Delegacionin, mësohet se përgjigjia nga Brukseli pritet të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar gjatë janarit, pas rikthimit nga festat e fundvitit.

paketa-antishpifje-ne-bruksel-konica.al

Drafti për ndryshimet ligjore është kundërshtuar nga përfaqësuesit e mediave, me argumentin se qëllimi i ligjit është tu mbyllë gojën mediave online sesa të rregullojë tregun.

Grupi nismëtar i Këshillit të Ministrave ka treguar që modeli për bërjen e këtij ligji është marrë nga Kroacia, duke respektuar direktivat e Bashkimit Europian.

Drafti arashikon gjobë për portalet dhe televizionet të cilat publikojnë lajme të rreme dhe nuk marrin në konsideratë ankesat e qytetarëve.

Në draft është vendosur që portalet të gjobiten me 100 mijë deri në 1 milion lekë.

E njëjta procedurë është edhe me televizionet, por me një masë më të reduktuar të gjobës, jo më shumë se 400 mijë lekë.

Krahas kësaj, gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.

Por jo vetëm kaq, është rregulluar me ligj që nëse një portal merr nga Autoriteti i Medias Audiovizive 5 masa administrative, atëherë AKEP pezullon deri në 1 vit me internet median në fjalë.