MENU
klinika

Kërkoi të dorëzohej vetëm tek sulltani

Prijësi ushtarak që kontribuoi për shqipërinë, Plavën dhe Gucinë

20.12.2018 - 16:06

Haxhi Zekë Byberi i njohur në histori si Haxhi Zeka, ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues i degës së Lidhjes së Pejës, ku u shqua si prijës ushtarak me kontribut në mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Vite më pas u përpoq të përtërinte të njëjtën frymë lëvizjeje nëpërmjet Lidhjes së Pejës.

Lindi më 20 dhjetor në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës, i biri i Mehmetit të Abedin Byberit dhe Zelfije Doçit nga Deçani. Familja e tij u shpërngul në Pejë, ata ishin pronarë tokash dhe Haxhiu ishte tejet karizmatik.

Qe ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e vilajeteve shqiptare dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tyre. 

Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës.

Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Komandonte fuqinë e Pejës, ku pranë tij u shqua Çelë Shabani. Haxhiu me të hollat e veta e mbajti ushtrinë gjatë gjithë dimrit.

Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së komanduar nga Dervish Pasha. Së bashku me Sulejman Vokshin dhe Kadri Bajrin, Haxhi Zeka më 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste.

Më 1893 Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër padrejtësive ekonomike e politike të perandorisë. 

Pasi autoritetet e shtruan me njësi ushtarake kryengritjen, Haxhi Zeka kërkoi që të dorëzohej vetëm tek sulltani; në dhjetor 1893 u dërgua i shoqëruar në Stamboll, ku u prit miqësisht nga Sulltani. Atje kaloi dy vite mërgim “vullnetar” dhe u kthye më 15 tetor 1895, i pritur me të madhe nga bashkëatdhetarët e tij në Shkup dhe Pejë.

Sipas disa burimeve, Haxhi Zeka me pasues të tij shkoi të shërbente në Luftën Greko-Osmane. Më 1897 kryesoi një kryengritje që nisi në Kosovë. Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës, ku u mblodhën 450-500 vetë.

U themelua Lidhja e Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj dhe përfaqësonte programin autonomist të Komitetit të Stambollit. Shumë qytete shqiptare shprehën solidaritet ndaj këtij organizimi.

Në prill-maj 1899 organizoi të parat komitete luftëtarësh të përgatitur në përballimin e grupeve revolucionare bullgare. Këto komitete u përgatitën më pas për kryengritje kundër perandorisë, por u shtruan nga Porta e Lartë. Vijoi të mbante takime në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës, në synim për t’i bashkuar shqiptarët kundër osmanëve dhe fqinjëve.

Në shkurt të 1901 në cilësinë e kryetarit të Lidhjes, organizoi një tubim te Tyrbja e Sulltan Muratit në Fushë Kosovë ku u shpreh për shqetësimet e tij për viset shqiptare; duke u bërë kësodore gjithnjë e më shumë armiku kryesor i ambicieve serbe.

Mendohet se Haxhiu i ofroi disa herë Perandorisë Austro-Hungareze shërbimet e veta dhe idenë për një bashkim mes Vilajeteve shqiptare dhe saj, por autoritetet vjeneze nuk i zinin besë sepse qe tejet i lidhur me oborrin sulltanor.

Autoritetet serbe i dërguan konsullit të tyre në Prishtinë, Sima Abramoviç, armikun personal të Haxhiut, gjakovarin Mehmed Zaimin. Ky nxiti të birin, kapitenin e zaptijeve Adem Zajmin që ta vriste Haxhi Zekën; kjo ndodhi më 21 shkurt 1902 në pazarin Pejë.

Haxhiu u varros në varrezat e xhamisë Sulltan Mehmed Fatih në Pejë. Vrasja e tij bëri të binte në fashë kryengritjet shqiptare që kishin shpërthyer në krejt vilajetin e Kosovës. Dorërasi u vra më 1912 nga autoritetet serbe, pasi kërkoi shpërblimin e premtuar para vrasjes.

Në nder të tij

Universiteti publik i Pejës, pasardhës i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në Biznes, mban emrin “Haxhi Zeka”. Gjithashtu një sheshi i është vënë emri i tij, në qendër të sheshit ndodhet shatërvani i ndërtuar në shek. XVI afër të të cilit ndodhet edhe shtatorja e Haxhi Zekës

Pronat e lëna

Mulliri i Haxhi Zekës është kompleks i madh i trashëgimisë industriale i cili i takon pjesës së dytë të shekullit të 19-të. Është ndërtuar me ndihmën e austro-hungarezëve. Ndërtesa përbëhet nga mulliri dhe hambari. Për kohën në të cilën u ndërtua ishte objekti më i lartë i cili posedonte tre kate.

Fasada është nga guri i kombinuar, tulla, dritare hark dhe korniza. Mulliri i Haxhi Zekës është mulliri i parë në Kosovë dhe regjion i cili ka pasur teknologji më të përparuar të sjellur nga Austria. Fillimisht mulliri ka punuar me ujë, pastaj është përdorur energjia elektrike. Aty ka filluar ekonomia industriale në Pejë. Në të kaluarën i gjithë regjioni ka kryer shërbimet e bluarjes së drithit dhe prodhimit të miellit.

Pas vdekjes së Haxhi Zekës, udhëheqës u bë nipi i tij, Jashar Pasha. Në vitin 1997 u mor në mbrojtje nga shteti. Gjatë luftës së vitit 1998-1999, mulliri u dogj, por u restaurua dy herë: në vitin 2004 pjesa e mullirit dhe në vitin 2016 pjesa e hambarit.

Në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” gjendet Kulla e Pashës apo e njohur edhe si Kulla e Haxhi Zekës, muret e së cilës janë të përbëra me punimet karakteristike të mjeshtërve shqiptarë të asaj kohe si: luani, vula e Sulejmanit etj.

Ka arkitekturë karakteristike të shekullit XVIII dhe XIX, është dykatëshe e ndërtuar prej guri dhe me dritare e frëngji të punuara me përkushtim nga mjeshtër shqiptarë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!