MENU
klinika

Nga Ramadan Sokoli

Origjina e Lahutës ndër shqiptarë daton e dokumentuar në 1335

18.12.2018 - 21:40

Në Shqipërinë Veriore lahutë quhet një vegël muzikore me një kordë,prej qimesh kali,së cilës i bihet me hark; ndërsa në Shqipërinë jugore llahutë quhet një vegël tjetër e gjinisë kordofone,e pajisur me katër palë tela,të cilëve u bihet me pendëz.

Pra,pavarësisht nga emri i përbashkët,kemi të bëjmë me dy vegla të ndryshme si për ndërtimin e tyre,ashtu edhe për mënyrën e përdorimit, veçoritë e tingëllimit,prejardhjen ose historikun e tyre etj.

Pa u zgjatur rreth burimit dhe ndryshimeve që ka pësuar ky emer gjatë kalimit të kohës,në këtë shkrim do të ndalemi kryesisht rreth lahutës së Shqipërisë veriore.

Malësorët tanë e përdorin me ëndje këtë vegël dhe e dëgjojnë me vëmendje kur shoqëron këngët e trimërisë nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare.

ramadan sokoli-konica.al

Lahuta përdoret në ato krahina të Shqipërisë Veriore ku këndohen këngët e kreshnikëve,domethënë nëpër trevat mbi lumin Drin.

Nepërmjet shtegëtimeve blegtorale të malsorëve tanë kjo vegël ka zbritur deri në jugun e Lezhës. Kurse nepër krahinën e Matit e të Dibrës nga njëra anë deri në rrethin e Krujës e nepër malësitë e Tiranës nga ana tjetër, përdoret një variant i lahutës (“laurija”) me dy,tre ose katër tela,të cilët nxjerrin tinguj nëpërmjet fërkimit me hark.

Një vegël e tillë përdoret gjithashtu nga arbëreshët e Greqisë.Përhapja gjeografike e këtyre dy veglave nuk është e kufizuar vetëm nepër krahinat e Shqipërisë Veriore dhe verilindore.

Vegla muzikore pak a shumë si lauria dhe lahuta jonë ( e cila përfaqëson tipin më të hershëm të veglave kordofone me hark) përdoren nga disa popuj të afërt e të largët.

Të tilla janë psh “gusla” e sllavëve jugorë që banojnë në vargmalet Dinarike,apo “ravanastroni” i Indisë,gjithashtu “kobizi” i Kazakistanit,”hixhaku” i Uzbekistanit dhe i Armenisë,”komisi” i Kirkizisë,”Uhr-Sieni” i Kinës,”rebabi” i Arabisë,”ceravali” i Etiopisë etj. Po kështu e afërt me laurinë tonë është “lira” e disa krahinave të Greqisë, apo “lirica” e Bullgarisë e Maqedonisë.

Gjithë këto vegla kan pak a shumë të njejtin ndërtim dhe të njejtën mënyrë përdorimi. Por kjo nuk do të thotë se ato kan gjithashtu të njejtat shprehi muzikore.

kolana e librave

Padyshim midis këtyre veglave ka lidhje origjine ose “farefisnie”. Rreth prejardhjes së tyre studiuesit kan shprehur mendime të ndryshme.

Disa thonë se ideja për nxjerrjen e tingujve nepërmjet fërkimit të kordave me anë të harkut paska lindur në kohën e lashtë nga imitimi i sharrës ose nga vetë harku i shigjetës. Kjo është vetëm një hamendje. Historikisht dihet se kultura e vjetër egjiptiane,asiro-babiloneze,greko-romake etj. nuk ka pasur vegla muzikore me hark.

Ndërkohë studimet muzikologjike më të përparuara e kan flakur tezën antihistorike të prejardhjes së veglave kordofone me hark nga Skandinavia apo nga India dhe kan provuar me argumente se djepi i tyre është Lindja e Mesme, kryesisht Persia. Së andejmi këto vegla janë përhapur gjatë shekujve nepër shumë vise të Azisë,Evropës dhe Afrikës.

Me sa duket shtegëtimi i tyre për në Evropë ka filluar pas shekujve VIII – IX,nepërmjet Bizantit, nga njëra anëdhe,nga ana tjetër,nepërmjet dyndjes së arabëve në Spanjë.

Hë për hë është ende shumë e vështirë të përcaktohet koha e depertimit të këtyre veglave në vendin tonë.

Dëshmia më e hershme që kemi rreth përdorimit të veglave muzikore me hark nepër vendbanimet e shqiptarëve ndodhet në manastirin e Deçanit,konkretisht në një afresk të pikturuar rreth vitit 1335,ku paraqitet një grup burrash që vallzojnë sipas tingujve të laurisë, gloriskës, lodërtisë dhe tullumbacit.

Kjo është dëshmia më e herëshme që njihet në Ballkan. Meriton të vihet në dukje roli i rëndësishëm etik dhe edukativ që kan luajtur lahutarët në jetën e shoqërisë sonë,duke ruajtur,përpunuar dhe përçuar brez pas brezi repertorin e tyre.

Gjatë robërisë shumëshekullore këngët e rapsodëve që lartësonin virtytet, veprimtarinë dhe shpirtin liridashës të trimave,ngjallnin tek dëgjuesit, dëshirën për të ndjekur shembullin e më të mirëve. / Marrë nga ShkodraWeb